E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekonomia e SHBA dhe reflektimi i saj tek Europa

22-12-2012 / Nga Ilirian Dahri

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shënuar rritje ekonomike. Lajmet për këtë rritje janë përhapur shpejt në botën financiare edhe për faktin se ekonomia amerikane është rritur me 3,1% në tremestrin e tretë dhe jo me 2,7% siç ishin parashikimet. Në këto ritme të larta dallohen më së shumti eksportet por edhe shpenzimet publike. Natyrisht shumë prej vendeve më të industrializuara do t’i kishin zili këto rezultate. Por në klimën e krijuar tashmë prej vitesh edhe kur vijnë lajme pozitive, duke parë situatën e përgjithshme, ka ende shumë analistë të cilët besojnë se ka ende pasiguri në botën financiare. Natyrisht kjo nuk do të thotë se kriza tashmë ka kaluar por këto janë sinjale të domosdoshëm jo vetëm për ekonominë amerikane por edhe për pjesën tjetër të globit. Këto pasiguri kanë të bëjnë më së shumti me vendimet e investimeve të firmave të cilët mund të përkeqësohen nëse presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama nuk do të gjejë një marrëveshje mbi reduktimin e deficitit brenda këtij viti. Në të vërtetë kjo marrëveshje dukej se ishte afër përfundimit dhe kjo ndodhi vetëm disa ditë më pare, ndërsa tani duket pak e largët. Edhe një plan tjetër rezervë i republikanit Boehner nuk ka arritur të dërgohet në votim. Por edhe ky plan rezervë sipas të gjitha gjasave nuk do të votohet nga opozita në Senat. Në këtë situatë do të shkohet sipas të gjitha gjasave drejt 3 janarit të vitit 2013, kur do të preken 600 miliardë dollarët e shkurtimeve në shpenzimet publike dhe kjo ndoshta mund ta shpinte ekonominë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rënie për vitin e ardhshëm me një rritje negative prej 0,5%. I çuditshëm është fakti se marrëveshja ishte shumë afër aprovimit. Boehner kishte propozuar rritje të taksave që arrinte në 1.000 miliardë dollarë përgjatë 10 vjetëve ndërsa presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama kishte kërkuar që të shkohej në 1.200. Ndoshta pikërisht dhe për këtë fakt Boehner ka propozuar planin rezervë, i cili nuk jepte zgjidhje për shpenzimet e pensioneve, ndihmën ekonomike etj. Pikërisht për këtë arsye nuk kishte shumë shpresa që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të arrinin në shifrat e 3%. Këto të dhëna tregojnë se ekonomia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është udhëhequr në trimestrin e tretë nga një rritje e shpenzimeve publike me 9,5%. Eksportet janë rritur me 1,9% ndërsa importet janë ulur me 0,6% falë rënies së cmimit të naftës. E gjithë kjo nuk ka qenë e lehtë, sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë patur shqetësimin e uraganit Sandi që ka paralizuar qytetet amerikane gjatë muajit tetor. Sidoqoftë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama ka qenë i gatshëm për të punuar me Kongresin. “Kemi besim në faktin se do të jemi në gjëndje për të gjetur një zgjidhje të shpejtë, që të kujdeset për klasën e mesme dhe ekonominë”.  Por prioriteti i Shtëpisë së Bardhë është që të sigurojë që taksat mos të rriten për 98% të amerikanëve dhe për 97% të firmave të mesme dhe të vogla. Nuk ka më kohë se po afrojnë festat dhe Kongresi do të fillojë pushimet. A do të jetë 2013 një vit krize? Natyrisht gjithcka varet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tashmë kanë kaluar 4 vjet që nga fillimi i krizës. Edhe atëherë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës filluan të kishin rënie ekonomike, rënia filloi pastaj vrullshëm në Europë dhe më gjërë. Ishte viti 2008 dhe e gjithë bota financiare u trondit dhe pësoi një rënie të natyrës financiare. Natyrisht që pati një rritje të cmimit të lëndëve të para e cila u pasua edhe nga një krizë ushqimore dhe një inflacion global. Ekonomistë të ndryshëm e krahasuan shpejt me krizën e vitit 1929. Natyrisht viti 2009, u cilësua si viti më negativ  dhe prodhoi një krizë të përgjithshme me rënie të Gdp në shumë vende të botës dhe sidomos në vendet perëndimore. Ndërsa një vit më pas në vitin 2010 filloi të verifikohej një rritje e pjesshme e rritjes ekonomike. Duket se për Shtetet e Bashkuara të Amerikës viti i ri do të fillojë me rritje dhe kjo do të jepte frytet e saj edhe për vendet e Bashkimit Europian.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›