E Diel, 1 Nëntor 2026

Tomor Kokalari dhe Vedat Kokona në portretizimin e Enverit

22-12-2012 / Nga Kostaq Xoxa

Memorialistika a mund të shërbejë si mbështetje për historinë? Po kujtimet gojore? Historianët tanë nostalgjikë, thonë: JO. E dinë se idhulli i tyre, E. Hoxha, do të dilte në fizionominë e tij të vërtetë, në shitjen e interesave kombëtare, në mizorinë e tij vetjake, në katandisjen e vendit të tij në mjerimin e tallonave dhe  në stalinizmin e tij gjer në mbarim të jetës (1985) , përmes këtyre dy mbështetësve të historisë, - kujtimeve  shkresore dhe gojore, - të cilat përbëjnë, në tërësinë e tyre, një portret të pakundërshtueshëm. Ata “historianë” nuk janë në gjendje të përballojnë këtë ortek të dhënash,  përballë të cilit kundërvënë retorikën boshe, të pabesueshme. Ata e dinë se disa nga memorialistët seriozë, argumentues, dokumentues, të besueshëm, janë vlerësuar me çmime ndërkombëtare, madje janë edhe nobelistë (Nënë Tereza, Çërçílli. De Goli, etj.) Por, si falsifikatorë të historisë, vënë në përdorim atë huqin e tyre të pashmangshëm: heshtin. Temat tabù janë në “argumentet” e tyre të vazhdueshme. Prandaj themi se parapëlqejnë retorikën boshe, në përsëritje monotone gjer në përsëritje të njëri-tjetrit. Madjé këtë huq e kanë trashëguar, si një atavizëm të bezdisshëm, që nga koha e diktaturës, kur individualiteti në qëmtimet historike ishte thjeshtuar gjer në kufijtë e zeros. Është e natyrshme: Do të përsëritnin si papagaj, gjithçka thoshte E.H.-a. Cili prej tyre ka dhënë një mendim vetjak për  lajthitjet ndaj figurës së Haxhi Qamilit? Kush mund të fliste për autarkinë që e çoi në mjerim ekonominë shqiptare të kohës? Kush tha një fjalë për të qenë për dekomunistizimin e Kongresit XX në BS,  të zbatuar në përmasa globale, domethënë jo vetëm në të gjithë Europën, po se po, por edhe në të gjitha kontinentet, me tri-katër përjashtime? E tani, në vend që të jenë të heshtur për dinjitet, për respekt të vetvetes, kërkojnë të jenë protagonistë në vlerësimet historike të festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë! Kërkojnë të mos shprehet kryeministri i vendit, Dr. Berisha, se “jemi né, këtu, historianët (me thonjëza, në të vërtetë) që do të përcaktojmë “të vërtetat” për këtë festim të madhërishëm! Së pari, sipas tyre, të mos e teprojmë me “emfazë” festimin. Por me përmbajtje, me modestí, pa ekzagjerime...  Për të mbuluar të vërtetën  se 28 nëntorët të festoheshin sa për të thënë, që të mos zbehej  festimi i bujshëm i 29 nëntorëve, në të njëjtën ditë festimi me Beogradin. Së dyti që, nëse i bëhej një statujë Ahmet Zogut I, kjo do të duhej t’i bëhej edhe... Enver Hoxhës! Ky, diktatori,  kishte jo vetëm një statujë, por me dhjetëra e qindra statuja dhe buste, në të gjithë vendin. Të gjitha këto i përlau uragani popullor. Nga ana tjetër, meqë janë kinse të etur për në hyrjen në komunitetin europian, a njohin ndonjë shtet të kësaj bashkësie që të vënë në piedestal diktatorë, qofshin këta të totalitarizmit të majtë, qoftë të atij të djathtë? Mbase prandaj “bëjnë sikur” u qan shpirti, bashkë me kryetarin e tyre E.Rama, për atë hatá që i gjeti, që e humbëm këtë rast fatlum të statusit kandidat, sigurisht për faj të kundërshtarëve të tyre! Por nuk thonë se e humbëm për herë të tretë! As se kushtëzimi i çështjes së Fierit është artificial me çka kërkonte BE-ja për ato që edhe vetë anëtarët grupit parlamentarë të Edvinit kishin rënë dakord paraprakisht me të tri kërkesat e komunitetit europian. Kur erdhi puna për miratim në parlament, na dalka edhe ai kërcuri përmbi samar, si sebep për bllokim. Na kujtohet ajo gruaja mendjelehte që i thoshte të shoqit: - Nuk e çoj fëmijën në kopshtin që e kemi te dera e shtëpisë, nëse ai kopshti tjetër, që ishte shumë larg, në Kombinat, do ta lyente fasadën me këtë ngjyrë dhe jo me atë ngjyrë! S’e besoja, por ai miku im që ma tha, ngulmonte se ishte e vërtetë!
Edhe njëherë për kujtimet: Nga ç’thamë, besueshmëria e tyre varet nga personat që i shkruajnë. Dhe mund të jenë të besueshme ose të pabesueshme. Kësisoj, Veprat e E.H.-s janë të pabesueshme. Prova më e qartë qëndron në ribotimet e ethshme, për të hequr nga Veprat ish-heronjtë, tanimë tradhtarë. Po ashtu edhe kujtimet e tjera të diktatorit, me korrigjime të kësaj natyre, madje edhe me fotomontazhet e qethura, paçka se janë bërë qesharake! Kështu, të kapërthyer nga retorikat boshe, pa argumente dhe me  mendime stereotipe janë edhe veprat e “historianëve” të të dy sistemeve. Por kjo masakër veprash (ku hyjnë edhe “Refleksionet” e Ramës), nuk mund të thuhet edhe për kujtimet e personave të ndershëm, seriozë, të besueshëm. Përmendëm edhe vepra të njohura botërisht, të kësaj natyre. Në këtë kategori hyjnë edhe kujtimet e Hamit Kokalarit dhe të Vedat Kokonës. Për këta do të flasim në vijim
***
Djalin e njërit prej eruditëve më të spikatur të vendit tonë, Hamit Kokalarit, e kam pasur nxënës në shkollë të mesme, ku jepja matematikë. Quhet Tomor Kokalari. Ishte  ndër nxënësit e shkëlqyer,  ndër më të mirët e gjimnazit, por edhe konkurrues në olimpiadat e matematikës, në rang republike. Në një revistë shkencore, që e drejtonte Kujtim Dedej, jepeshin problema me vështirësi të lartë dhe botoheshin, në numrin tjetër, emrat e nxënësve me përgjigjet më të mira. Emri i Tomor Kokalarit ishte i pamungueshëm në këtë revistë. Ishte me një thjeshtësi dhe me një edukatë shembullore. Më kujtohet një episod: Në një integral, pas shenjës së integralit dhe funksionit, në fund diferencialin e kisha vënë jo si duhet: Shoh gishtin e Tomorit, por pa folur. Kur ma dalloi syri, - Po, Tomor, - i thashë. - Ai diferenciali, mos duhet të shkruhet kështu? (Dhe diktoi variantin e tij). I hodha sytë dërrasës së zezë. Kishte të drejtë. - Tamam, Tomor, por pse nuk thua që unë, mësuesi yt, e kam gabim? Edhe né s’jemi të pagabueshëm. Të falënderoj, se do t’i riktheheshim ushtrimit dhe  ti  na kurseve kohën. Tomori u skuq, paçka se  kishte të drejtë. Por nuk e dija se kishte edhe aftësi letrare. Ai ishte i gjithanshëm. Më pëlqente që mësimin ta trajtoja në bashkëpunim me nxënësit. Tërhiqej më tepër vëmendja e tyre, përkundrejt monologut të mësuesit, që e kishim kritikuar në komisionin metodik, të cilin e drejtoja në atë kohë. Them “në atë kohë” sepse  kishte rënë paksà ajo ashpërsia e lutës së klasave, kur edhe Enveri u detyrua, përkohësisht, të fliste kundër kultit të individit. Por në këtë oshilacion, erdhën menjëherë kohë të mbrapshta. Tomori ishte, ndërkaq, student në universitet. Tepër i ndjeshëm, duket se e përjetoi thellë atë persekutim kur i ati kishte shpëtuar  krejt rastësisht nga ekzekutimi pa gjyq në vigjilje të 17 nëntorit të përgjakshëm të Tiranës. Në librin “Tirana e përgjakur” të Bedri Alimehmetit, në faqet 23- 25, tregohet biografia e Mumtaz Reshat Kokalarit ( 1896-1944) dhe në faqet 26-31 flitet për  Vesim Reshat Kokalarin (1898-1944). Këta ishin vëllezërit e Hamit Kokalarit, domëthënë xhaxhallarët e Tomorit. Të dy u vranë në mjediset e Hotel Bristolit, më 12 nëntor 1944. Gjenerali i Kristo Themelko kishte thënë troç në plenumin e Beratit (23-27.11.’44)  se urdhri për listat e zeza (vrasjet pa gjyq) në Tiranë kishte ardhur drejtpërdrejt nga Enver Hoxha. Dhe S. Malëshova e kishte akuzuar E.H.-n në atë plenum se ishte terrorist.
Për Mumtazin do të themi se ishte një intelektual i mirëfilltë dhe njohës i gjuhëve perëndimore dhe lindore si frënge, italiane, angleze, turke, arabe dhe indiane. Sa për  Vesimin ky, po, u mor me politikë, duke qenë fanolist (antizogist, kuptohet). Pra, ishte në përkitje me antizogizmin patologjik të Enverit. Jo vetëm, por e kishte pritur Ahmet Zogun në kundërvënie ushtarake (qershor, 1924) kur ky kishte ardhur për të rivendosur pushtetin e rrëzuar me forcën e armëve. U pushuan nga puna të dy vëllezërit. Megjithatë  punoi si drejtor i një shoqërie private për zhvillimin e ekonomisë  blegtorale në zonat Gjirokastër-Delvinë-Sarandë. (Kuptohet se cili prej regjimeve ishte jashtë çdo shfaqjeje të luftës së klasave dhe cili ishte një regjim stalinist, terrorist).  Në vitin 1932 ishte pjesëtar i Lëvizjes së Vlorës. Gjykohet dhe dënohet me burgim  të përjetshëm. Lirohet më 1935. Pra, 3 vjet burg, gjatë të cilit u mor me studime ekonomike franceze dhe iu vu studimit të gjuhës gjermane. (Mund të lexohet sërish  ajo kllapa e mësipërme, për krahasim sistemesh!). Por krahasimin e kishte bërë vetë Vesimi, me letrën që i kishte drejtuar zonjës Makbule Xhomo (Vrioni), me anën e së cilës  i shprehej  se kishte vendosur  të arratisej, se “ai bashtoja” kishte vendosur ta eliminonte, për arsye thjesht personale, ndonëse  kishte qenë kundërshtar i nazifashizmit ( por nuk kishte përmendur veprimtarinë kundër Zogut). Meriton të citohet kjo frazë: “Fatkeqësia e kombit tonë  dhe e Shqipërisë së gjorë  është se ka rënë në dorën e një njeriu përbindësh, tinëzar, hakmarrës, inatçi, dinak, megaloman, egoist, që i do njerëzit nën vete (këtë e kishte thënë edhe Nako Spiru), kumarxhi, gënjeshtar, dhe, kur ishte jashtë shtetit  me studime, nuk dha asnjë provim, mbeti pas kabareve, kazinove, fëlliqi botën me borxhe... Por kam besim se këtij batakçiu, bashkë me djajtë e kuq, ka për t’i dalë boja... me të do të tallen edhe gurët e sokakëve” (A. Musta, M. Kokalari: “Kush ishte E. Hoxha, f.49).
Musine Kokalari, halla e Tomorit, është e martirizuara e regjimit despotik të Enverit. Është njëra nga gratë më të shquara të kulturës shqiptare. Shpërfillëse ndaj miklimeve të Enverit në moshën rinore, mbeti në defterin e hakmarrjes së tiranit të ardhshëm. Në të njëjtin defter me shkronja dhe me ndjenja të zeza ku kishte zënë vend  bashkëqytetarja tjetër, që s’u mor kurrë me politikë, por i ishte përkushtuar shkencës së kafshëve ujore, gjer në ekzekutimin  pa gjyq, me pretekstin e asaj që u quajt bombë në ambasadën sovjetike. Kurse Musineja, socialdemokratja me prestigj gjatë luftës, me aspirata për  një shoqëri pluraliste pas luftës, e kaloi kalvarin e saj të mundimeve nëpër burgjet dhe internimet që mbanin vulën e Enverit. Nuk u pranua as të shtrohej në spital kur ishte e internuar andej nga veriu, ndonëse sëmundja e saj ishte tepër e rëndë.
Tomori, me të gjitha këto rëndesa në qenien  e tij delikate, pati një tronditje të fortë në shpirtin e tij të pastër që ndikuan në gjendjen e vet shëndetësore, siç merrja vesh nga shokët e tij të gjimnazit, që kisha rastin t’i takoja më shpesh. E takova, çuditërisht në Pogradec, në behar. U çmallëm. Më dha edhe librin e tij të kujtimeve të babait, Hamitit. Hyrjen e kishte përgatitur vetë. Një hyrje e bukur, në të cilën më bëri përshtypje vepra e Hamitit, 1200 faqesh, e përfunduar në vitin 1982, me titull “Iliro-shqiptarët ndër shekuj. Kosova dhe trojet e tjera shqiptare periferike”. Lajmi i mirë ishte një kumt që na gëzonte, se vepra do të botohej së shpejti. Por aty marrim vesh se i ati kishte vdekur në mars të vitit 1989, ndërsa mendonte që librin e ri ta zgjeronte më tej (veprën e cituar)”. Të kishte jetuar edhe disa vite, që të kishim kujtime si ato të Vedatit, që vdiq në tetor të vitit 1998. Pra, edhe kujtimet e shkruara para rënies së komunizmit nuk mund të jenë krejtësisht të hapura si ato pas ndërrimit të sistemeve. Këtë privilegj e ka pasur Vedati, siç do ta shohim. Ndërsa Hamit Kokalari, për të dy vëllezërit më të mëdhenj, që e humbën jetën tërësisht të pafajshëm, madje duke qenë edhe kundërshtarë të Zogut, nuk e përmend dorën vrastare. Në faqen 111 të kujtimeve të tij, Hamiti  shkruan: “Lufta II Botërore shkurtoi shumë jetë; ajo rrëmbeu me dhjetëra miliona njerëz, midis tyre edhe dy vëllezërit e mi”. Ai e shmang emrin e Enverit, por lexuesi e kupton domethënien. Gjithmonë në këtë stil, ai, nga ana tjetër, bën vlerësimin njerëzor e kulturor të vëllezërve , si një mjeshtër i të shkruarit. I biri, Tomori, duke qenë i kujdesshëm e i përkorë, në hyrjen e tij e ruan edhe ai këtë delikatesë: “Më 12 nëntor 1944, Hamitit IU VRANË pa gjyq të dy vëllezërit e tij, Mumtazi dheVesimi, të cilët janë quajtur “viktima të terrorit komunist” (f. 8). E pamë letrën e Mumtazit  drejtuar zonjës Makbule, sesi e ka pas portretizuar atë bashton e Gjirokastrës, tinëzar e hakmarrës. Si mos të jenë të besueshme kujtime të tilla, të krahasuara me panegjirizmin mashtrues të enveristëve të pandreqshëm që kanë gjetur eldoradon në vendin tonë fatkeq?
Vedat Kokona në kujtimet “Endur në tisin e kohës” shkruan edhe ato që s’mund t’i shkruante dot Hamit Kokalari, që s’ia arriti dot të jetonte edhe disa vjet. Madje flet edhe për Hamitin.  Hamiti dhe Vedati ishin bërë tani të domosdoshëm për përkthimin e Raportit të E.H.-s  në Kongresin I, nga shqipja në frëngjisht. Duheshin përkthyer 400 faqe për dy javë. Vedati nuk ishte stërvitur në këtë punë të shpejtë dhe thotë se Hamiti ia dilte mbanë kur ai vetë, Vedati, ishte në gjysmë të udhës për arritjen e normës. Ishte Hamiti që, me anë të një fjalori të vogël të fjalëve të vështira, e shkurtonte kohën e përkthimit. Në faqet 182-3 tregohet  bashkëpunimi me defterin e vogël të Hamitit, të cilin e vlerësonte shumë. Ishte kjo punë që e bëri V. Kokonën të mendonte për fjalorin Frëngjisht- Shqip, ku kishte edhe frazeologji me spec. Për shembull, në f. 1108, te “trop”, gjendet kjo shprehje: Il a trop menti pour qu’on le croie (ai ka gënjyer kaq shumë saqë nuk e besojnë më). Në f. 53 Vedati shkruan: Më pëlqente të rrija me Enver Hoxhën, por edhe me Hamit Kokalarin, që ishte më i zoti se gjithë të tjerët, i binte mirë mandolinës dhe ishte më i miri në klasë në të gjitha lëndët. E.H.-a i ngacmonte të gjithë dhe e ngacmonin të gjithë se u punonte rrengje. Shokët e quanin “gazhel”, fjalë që kishte pak a shumë ngjyrimin e cilësorit të veshgjatit. Ata që e njihnin Enverin me rrënjë e me dhëmballë ishin Vedat Kokona, që kishte fjetur në një dhomë me të në Korçë;   Beqir Ajazi, student që e ndihmonte në bibliotekën e Liceut Francez për të lexuar, ku Enveri qëndronte aty se paguhej me orë; Fejzi Dika, që e njihte gjatë qëndrimit në Monpelié. Këta kanë shkruar kujtime të besueshme. Por nuk e di nëse ka shkruar edhe Foto Bala e Mentor Çoku, për tregimet gojore të shumta në Francë dhe në Belgjikë. Vetëm Mentori ka mbetur pa u prekur, se mbeti jashtë shtetit. Vedati shkruan, në f. 101 të librit të tij: “Nuk më foli kurrë për politikë, pa le për komunizmin...Nuk e besoja që pas katër vitesh do të ngrihej në ato lartësi marramendëse nga u dha munxët atyre që i kishin dhënë të hante dhe nga hodhi në greminë të afërmit, shokët dhe sidomos vendin që i kishte hapur sytë”. Për Llazar Fundon Vedati flet me admirim. Çmonte kulturën e tij të gjerë. “Më pëlqente të rrija me të, se përfitoja. Njihte mirë thesaret e Luvrit dhe ishte përkthyes veprash letrare. Bisha komuniste e hëngri, si shumë të tjerë, siç kam dëgjuar andej nga Kosova. U këput edhe një lule për t’u lënë vendin ferrave dhe gjembaçëve që mbuluan pastaj vendin (f.84-85). Historiani Luan Dode shkruan në librin e tij pë Kosovën: “E.H-a, me një radiogram të 21 shtatorit, shkruan: “Zai Fundon ta torturoni deri në vdekje, pastaj ta pushkatoni”  Dhe vazhdon: F. Noli, në vitin 1945, kur mori vesh vrasjen e Fundos,  kishte thënë: “Ç’i mbetet Shqipërisë, po i prishëm njerëz të mëdhenj, si Fundoja?” (f. 268). Tani dalin gjembat e gjembaçët që të na bëjnë apoteozën e një krimineli!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›