Saimir Tahiri shpallet shpifës, Taulant Balla mashtron gjykatën

Edi Rama, një komandant frikacak i çetës së shpifësve - Saimir Tahiri shpallet fajtor për shpifjet e përsëritura ndaj familjes së kryeministrit Berisha si dhe disa deputetëve të mazhorancës, ndërkohë që Taulant Balla s’përballet dot me 12 familjet pronare të tokës së ish-klubit Partizani (mes tyre edhe të afërmit e socialistit Marko Bello). Balla i shkruan letër gjykatës se do jetë pranë zgjedhësve, por në fakt u shfaq sërish në foltoren e shpifjeve partiake, për të shqiptuar shpifjet që u jep komandanti frikacak i çetës
Në tentativën për ta ngritur gënjeshtrën dhe mashtrimin në institucion, krerët e PS-së, duke filluar nga Edi Rama e deri te Taulant Balla e Saimir Tahiri, nuk po munden “ti dalin për zot” këtij “institucionalizimi”, por zgjedhin të shmangin ballafaqimin në gjykatë, me “letra të hapura”. Sikurse komandanti i tyre frikacak, i cili në një hetim të mundshëm parlamentar sabotonte ballafaqimin si ish-kryetar i bashkisë së Tiranës, duke kënduar me megafon në mbledhjen e komisionit hetimor edhe Saimir Tahiri e Taulant Balla, sipas të njëjtës skemë, nuk këndojnë me megafon por megjithatë, nuk paraqiten në gjykatë. Të vënë nën akuza për shpifje nga ministra deputetë e familjarë drejtuesish shtetëror apo edhe familje pronarësh, në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, Saimir Tahiri e Taulant Balla zgjedhin të mos paraqiten për të provuar shpifjet e tyre, ndërsa nuk mungojnë të ridalin e ridalin në foltoren e shpifjes dhe si gramafona të prishur të fillojnë e të cicërojnë të njëjtat gjëra që kanë thënë si një vit më parë, si dy vjet më parë, si pesë vjet më parë, apo edhe si tetë vjet më parë.
Jo më larg se dje, Saimir Tahiri u shpall fajtor për shpifjet e përsëritura ndaj familjes së kryeministrit Sali Berisha si dhe disa deputetëve të mazhorancës ndërsa nga Gjykata e Apelit ju rikonfirmua dënimi me gjobë prej 10 milionë lekë (të vjetra). “Unë do vazhdoj të kërkoj të drejtën pa asnjë hezitim në Gjykatën e Lartë dhe nuk kam asnjë motiv të tërhiqem”, deklaroi Saimir Tahiri dje pas njohjes me lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, nga Gjykata e Apelit e Tiranës.
Asgjë më shumë se sa një shfaqje bajate nuk ishte shfaqja dhe deklarata e Saimir Tahirit. Duke pasur të gjitha mundësitë “të mbrohej” para gjykatës, ai ka zgjedhur të mos paraqitet, në justifikime të tipi “do të jem atje dhe nuk mund të jem dot këtu” …, etj…, etj.
Këtë e bëri edhe pakë ditë më arë në një tjetër gjyq më ministrin Genc Ruli, ku ndërsa i shkruante gjykatës se nuk mund të paraqitej në seancë sepse si deputet duhet të ishte në mbledhjen e komisionit parlamentar, jo në gjyq që nuk mori pjesë, por as në mbledhjen e grupit parlamentar nuk gjendej. Me këtë justifikim, Saimir Tahiri, e meriton të klasifikohet në një deputeto-fëmijë (të nivelit të kopshtit)…, pas mosparaqitjes për të 21 herë para trupit gjykues, rrjedhimisht pas shtyrjes për të 21 herë të seancës gjyqësor për shpifje, ndaj tij.
Dhe pas gjithë këtyre sjelljeve frikacake ai zgjedh të bëjë trimin “si kofini pas të vjelit”...
Oh...!
Taulant Balla është edhe më tip.
Duke mos u përballur dot me 12 familjet pronare të tokës së ish-klubit “Partizani”, Taulant Balla i shkruante dje letër gjykatës së do jetë pranë zgjedhësve, por në fakt u shfaq sërish në foltoren e shpifjeve, për të shqiptuar shpifjet që u jep komandanti frikacak i çetës.
Dhe frikacaku, gjeti të bënte trimin dje, para kamerave, kur këtë duhet ta bënte para gjykatës.
Pa ia kërkuar askush, “trimi” Taulant Balla artikuloi dje frazën “Dua ta bëj të qartë që Saliu ta marrë vesh mirë, që nuk ma mbyll dot gojën me kërcënime”.
E artikuluar nga Taulant Balla, më për të qeshur, nuk ka frazë tjetër që mund të të bëjë e të krijojë një ndjesi alegrie.
Dhe kush pa…?!
Taulant Balla…, i cili dy vjet më parë, ankohej e qahej se Sali Berisha e kishte kërcënuar se “nuk shkelë i gjallë në Kuvendin e Shqipërisë”.
Këtu fillon më e madhja… Sepse sipas vetë taulant Ballës këtë kërcënim e kishte marrë katër vjet më parë, saktësisht që atëherë kur iu bë “surrati më i zi se këpuca”, pse nuk e dinte se “çfarë pune i bënte motra”…, por që ai u kujtua vetëm pas dy vjetësh se ndjehej i kërcënuar, duke në bërë të mendojmë se, më e mira, ai është një qafëgjatë që i venë fjalët me vonesë, dhe më e keqja një veshgjatë, i cili i percepton kuptimet e fjalëve me vonesë…
Qafëgjatë apo veshgjatë, frikacaku i trimëruar, sërish nuk heq dorë nga zakoni, i të bërit frikacakun, kur vjen puna që ai duhet të ballafaqohet me shpifjet e tij para gjykatës…, duke na kujtuar me këtë se surrati i tij vazhdon të jetë ende më i nxirë se i këpucës…