Ekonomia e Shqipërisë është tani në një spirale zhvillimi
Forumi Ekonomik Botëror, në raportin e tij të fundit për aftësinë konkurruese të ekonomive e radhit Shqipërinë në vendin e 96-të, kur në vitin e kaluar e kishte vendosur në atë të 118-të.
Forumi Ekonomik Botëror filloi të hartojë indeksin e aftësisë konkurruese të ekonomive pesë vite më parë, në vitin 2004. Kalimi i aftësisë konkurruese të Shqipërisë këtë vit nga vendi i 108-të, në atë të 96-të përbën një tregues të zhvillimit të saj ekonomik dhe arritjes, në tërësi të ekonomisë në një stad cilësor më të lartë.
Artan Hoxha, drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Bashkëkohore, partner lokal i Forumit Ekonomik Botëror në hartimin e këtij indeksi thotë për DW: “Ky kapërcim është logjik, sepse vjen si pasojë e akumulimit të disa faktorëve”. Ai përmend si faktorë kryesorë që kanë sjellë këtë pozicion të Shqipërisë: klimën e përmirësuar të biznesit, garancitë ligjore dhe institucionale për të zgjidhur problemet që u dalin bizneseve, rritjen e interesit të investitorëve të huaj për Shqipërinë. “Ekonomia shqiptare tani vlerësohet se ka kaluar nga një ekonomi ku rritja ekonomike mbështetej tek disa burime bazë në një model ekonomie, që bazohet tek rritja e eficencës së bizneseve dhe shtetit”, - thotë Artan Hoxha.
Kjo ka sjellë edhe një renditje më të mirë të Shqipërisë në rajon lidhur me aftësinë konkurruese të ekonomisë së saj. “Shqipëria është më lart se Bosnjë- Hercegovina dhe më poshtë se vendet e tjera të rajonit, përjashtuar Kosovën, ekonomia e të cilës nuk është marrë në analizë nga Forumi Ekonomik Botëror. Por, e kemi ngushtuar distancën me vendet e rajonit. Vite më parë distanca me vende si Serbia, Maqedonia, Mali i Zi ishte e konsiderueshme, kurse tani është ngushtuar ndjeshëm. Kroacia, në indeksin e sivjetmë ka rënë me rreth 14 vende në krahasim me një vit më parë”, - thotë Artan Hoxha.
Por, ka edhe probleme qe ulin aftësinë konkurruese të ekonomisë shqiptare. Forumi Ekonomik Botëror bashkë me Institutin e Studimeve Bashkëkohore kanë konstatuar korrupsionin dhe mungesën e efikasitetit të shtetit si problemet më penguese në stadin aktual të zhvillimit të ekonomisë. “Ky konstatim bazohet tek intervistat dhe opinionet që kanë dhënë menaxherët e bizneseve më të mëdha të Shqipërisë. Në krahasim me një vit më parë, pyetjes se sa pengon korrupsioni në kryerjen e biznesit, iu përgjigjën vetëm 12 për qind e të intervistuarve në krahasim me 21 për qind, që iu përgjigjën një vit më parë. Ndonëse mbetet një forcë penguese kryesore ndikimi frenues i korrupsionit ka rënë. Burokracia shtetërore ka reduktime të ndjeshme në regjistrimin e bizneseve, licencimin e tyre më ngritjen e “one stop shop”", - thotë Artan Hoxha.
Megjithatë, korrupsioni dhe burokracia shtetërorë ekzistojnë, por tani nuk përbëjnë më faktorin kryesor të frenimit të aftësisë konkurruese të Shqipërisë. Artan Hoxha thotë së që të dyja këto probleme janë te lidhura me stadin e zhvillimit të ekonomisë. “Ekonomia e Shqipërisë është tani në një spirale zhvillimi. Ajo ka kaluar nga një nivel të ulët të cilësisë së zhvillimit që bazohej tek burimet, në një stad më të lartë të zhvillimit që bazohet tek eficenca. Kur të arrijmë në stadin e tretë të zhvillimit, që bazohet tek shkenca dhe inovacioni, do të dalin probleme të tjera si p.sh. cilësia e universiteteve, sa të afta janë ato të bëjnë kërkime shkencore dhe të furnizojnë bizneset me rezultatet e kërkimeve të tyre”, - thotë Artan Hoxha.
Argumenti më i freskët për ecurinë pozitive të ekonomisë së Shqipërisë është përballimi prej saj i krizës globale. “Ekonomia shqiptare jo rastësisht duket po përballet me efektet e kësaj krize në mënyrë relativisht të suksesshme. Ajo ka arritur të absorbojë goditjet e krizës dhe të mbajë ritme pozitive të rritjes ekonomike”.
Faktorët kryesorë të kësaj situate janë mbështetja e ekonomisë kryesisht tek biznesi i vogël dhe i mesëm, që janë më rezistencë ndaj krizës se bizneset e mëdha, operimi i bizneseve në një sistem me taksa të ulëta pa lënë mënjanë edhe mjedisin e besimit reciprok mes bizneseve, që tejkalojnë momentet e pamundësisë së shlyerjes së detyrimeve reciproke. Në raste të tilla në Shqipëri nuk kërkohet falimentimi siç ndodh në ekonomitë tërësisht të formalizuara, por në bazë të klimës së besimit gjenden formula që i japin mundësi biznesit debitor të vazhdojë aktivitetin e tij.