E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani Rregullues i Tiranës prezantohet sot në Këshill Bashkiak



Plani Rregullues i Tiranës prezantohet sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Dy vjet pas hartimit përfundimtar të këtij projekti urbanistik, anëtarët e Këshillit Bashkiak vendosin sot për fatin e tij. Vendimi do të merret nga 55 anëtarë prej të cilëve Partia Demokratike, bazuar në marrëveshjet e bashkëpunimit me LSI-në, zotëron 30 vota.

Kështu, në rast se Plani Rregullues i Tiranës miratohet në këshill, ai kalon për miratim edhe në KRRTRSH dhe nëse merr OK edhe nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit, vetëm atëherë hapet rruga për nisjen e punimeve në kryeqytet. Në rast të kundërt, plani do të vazhdojë të mbetet në letër për një kohë ende të papërcaktuar.

Mbledhja

Një prej pikave që do të diskutohet në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak është vendosur konstituimi i 10 anëtarëve të rinj të këshillit si dhe prezantimi i Planit Rregullues të Tiranës. Bashkia e Tiranës ka vendosur të paraqesë përpara këshilltarëve projektin për rregullimin e kryeqytetit.

Dy vjet pas hartimit përfundimtar të draftit, bashkia pret që mbledhjen e sotme të miratohet Plani Rregullues i qytetit të Tiranës. Mbledhja e sotme pritet të jetë ndër më të rëndësishmet, pasi për herë të parë anëtarët e këtij këshilli do të njihen me planin si dhe do të vendosin mbi fatin e tij.

Pritet që mbledhja të shoqërohet me debate të forta, pasi prej shumë kohësh ky plan ka shkaktuar debate dhe akuza të forta mes Partisë Demokratike dhe Bashkisë së Tiranës. Mazhoranca e ka akuzuar Ramën se po e mban peng këtë plan, për interesa personale. Debatet pritet të jenë të forta, pasi ku për herë të parë pas zgjedhjeve vendore të 2007-s, Partia Socialiste nuk gëzon më mazhorancën, si pasojë e koalicionit mes Partisë Demokratike dhe LSI-së. Bashkia e kryeqytetit që udhëhiqet nga socialistët nuk do të mund të marrë asnjë vendim pa përkrahjen e kundërshtarit të saj politik.

Konstituimi

Sipas rendit të ditës, në këtë mbledhje pritet të konstituohen edhe 10 anëtarët e rinj të Këshillit bashkiak duke zëvendësuar kështu postet e 10 anëtarë që fituan postin e deputetit në Parlamentin e ri.

Kështu, Partia Socialiste ka propozuar 5 emra ashtu si edhe Partia Demokratike. Ndër emrat e propozuar nga PD janë Sokol Lekaj, Blegina Agolli, Besnik Aliaj, Sulejman Mema, Margarita Qirko.

Ndërsa nga PS janë Lili Nushi, Tatjana Selenica, Mimoza Hafizi, Irma Guga, Mehmet Hasanlami. Këta 10 anëtarë janë emrat e rinj që pritet të votohen si këshilltarët më të rinj të Këshillit Bashkiak.

Ata do të zënë vendet e ish-këshilltarëve të PD Flamur Noka, Gent Strazimiri, Adriana Gjonaj, Florion Mima. Si dhe këshilltarëve të PS-së Mimi Kodheli, Besnik Bare, Luiza Xhuvani, Ditmir Bushati, Arben Ahmetaj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›