E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protokolli - i pazbatueshëm edhe për serbët



Serbët e Kosovës nuk do ta pranojnë protokollin për bashkëpunimin policor mes EULEX-it dhe Serbisë dhe asnjë protokoll tjetër, nëse është jashtë kornizës së Rezolutës 12 44. Kështu thonë liderët serbë, Milan Ivanoviç dhe Dragan Veliç, nga Këshilli Kombëtar Serb në Kosovë. Sipas tyre, ajo që nuk pranohet nga populli, është e pazbatueshme.

Çfarëdo forme e zbatimit të protokollit për bashkëpunim policor, i cili është nënshkruar nga EULEX-i dhe Serbia e që nuk do të jetë në harmoni me Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, do të jetë e papranueshme për serbët e Kosovës.

Kështu vlerësojnë liderët e serbëve të Kosovës, të cilët thonë se në marrëveshjen për këtë protokoll, serbët e Kosovës nuk kanë qenë të inkuadruar dhe mospranimi i protokollit nga ana e tyre, nënkupton që ai nuk do të mund të zbatohet. Milan Ivanoviç, kryetar i Këshillit Kombëtar Serb për veriun e Kosovës, thotë se protokolli nënkupton forcimin e kontrollit në pikat dhe vijën kufitare në bashkëpunim të plotë me EULEX-in dhe policinë e Kosovës.

Sipas tij, serbët e Kosovës kanë parasysh që EULEX-i zbaton planin e Ahtisarit për Kosovën e pavarur dhe, në anën tjetër, pjesëmarrja e policisë së Kosovës do të nënkuptonte vendosjen e një sistemi unik të policisë.

“Mendoj se është fakt që serbët jetojnë në Kosovë dhe për të gjitha çështjet e pazgjidhura, ata duhet të njoftohen dhe të japin miratimin e tyre për zgjidhje. Unë mendoj se ajo që nuk pranohet nga populli, nuk mund as të zbatohet”, - thotë Ivanoviç.

Ndërkaq, Dragan Veliç, po ashtu nga Këshilli Kombëtar Serb, por për Kosovën Qendrore, vlerëson se protokolli për bashkëpunim policor në mes të EULEX-it dhe Serbisë, do të jetë i pranueshëm për serbët e Kosovës vetëm nëse sjell rezultate pozitive në zvogëlimin e kriminalitetit në Kosovë, por me kusht që zbatimi i tij të mos jetë jashtë kornizës së Rezolutës 12 44.

“Çfarëdo zgjidhje tjetër, jashtë kësaj, jo vetëm se do të jetë e papranueshme për ne, por nuk do të japë as rezultatet, të cilat ky protokoll po përpiqet t’i arrijë, në kuptimin pozitiv, për të gjitha bashkësitë”, - deklaron Veliç.

Ndryshe, këta liderë serbë të Kosovës kanë kundërshtuar edhe protokollet e paralajmëruara për nënshkrim nga EULEX-i dhe Serbia, për doganat dhe gjyqësinë.

Milan Ivanoviç thotë se me këtë krijohen sistemet unike të doganave, policisë dhe gjyqësisë në Kosovë dhe se serbët e Kosovës janë kundër kësaj, për shkak se, sipas tij, kjo do të nënkuptonte integrimin e serbëve të Kosovës në, siç i quajti ai, kuazi-institucionet e Kosovës së pavarur.

“Serbët nuk do t’i pranojnë marrëveshjet e tilla, pavarësisht se kush, eventualisht, do t’i nënshkruajë ato. Gjithsesi, se do të vihet në pikëpyetje edhe legjitimiteti i atyre që do t’i nënshkruanin marrëveshjet e tilla, sepse ne ato do t’i hedhim poshtë. Kjo është e vetmja mënyrë që ne të vazhdojmë të jetojmë në shtetin tonë të Serbisë”, - pohon Ivanoviç.

Ndërsa, Dragan Veliç, thekson se protokollet, të cilat nuk janë të zbatueshme sipas linjës së Rezolutës 12 44 nuk do të pranohen nga serbët e Kosovës, e sidomos nëse protokolli për doganat do të nënkuptojë vendosjen e vijës kufitare që do ta ndajë Kosovën nga Serbia.

“Në çfarëdo rasti, kjo për ne do të jetë e papranueshme. Ne nuk kemi mekanizma që ta parandalojmë këtë. Reaksionet janë të mundura, pak a shumë, por një gjë është e sigurt, se me këtë mënyrë të imponimit të zgjidhjeve, nuk do të mund të arrihet zgjidhja e asnjë problemi në Kosovë”, - thekson Veliç.

Sidoqoftë, liderët serbë të Kosovës, kanë theksuar se serbët e Kosovës këto ditë janë duke e nënshkruar peticionin kundër pranisë së EULEX-it, për shkak të, siç thuhet, zbatimit të planit të Ahtisarit, duke kërkuar që të riafirmohet UNMIK-u dhe Rezoluta 12 44, përmes së cilës, sipas tyre, duhet të zgjidhet çdo problem në Kosovë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›