E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Cërrikut, “organizatori” Bicja mohon përfshirjen



I cilësuar si një ndër eksponentët kryesorë të bandës së Cërrikut, së bashku me Met Bozin e Roland Xhepexhiun, për disa orë dje ka dhënë deklarime, por dhe u është përgjigjur pyetjeve të gjyqtarëve dhe prokurorit të çështjes duke u munduar të shfajësohet dhe të mohojë përfshirjen në masakër. Gjatë gjithë kohës u mundua të përsërisë faktin që nuk dinte gjë, nuk kishte parë njerëz të armatosur, apo dhe që ngjarjen e kishte mësuar përmes medias, madje edhe numrin e policëve të vrarë. Katër orë dëshmi dhënë dje nga i pandehuri Llazar Bicja nuk vlejtën aspak për provimin e akuzës nga ana e prokurorit, por faktet e mbledhura dhe deklarimet e dhëna prej tij gjatë hetimeve tregojnë që kishte dijeni për çfarë do ndodhte dhe çfarë ndodhi në Cërrik. Organit të akuzës dhe provave që disponon i rezulton si një ndër organizatorët e ngjarjes ku humbën jetë 6 gardistë. Një fakt të tillë e ka konfirmuar gjatë dëshmisë së tij edhe i penduari Bujar Buzani, i cili u shpreh se Bicja, bashkë me Bozin e Xhepexhiun, u kishin shkuar në banesë dhe u deklaruan se policia do vinte t’u dhunonte motrat dhe familjet. Por, lidhur me ngjarjen, Bicja dha një tjetër version, duke deklaruar se “atë ditë isha në bashki, së bashku me kryetaren dhe disa anëtarë të këshillit bashkiak. Të paktën kështu më kujtohet mua. Mbaj mend që erdhi dikush nga anëtarët dhe na tha se policia po rrethonte qytetin dhe ne na zuri paniku. Kur dolëm jashtë nuk pamë njeri dhe për shkak se e kisha shtëpinë larg dhe nuk mund të kaloja në qendër, unë u ktheva në banesën e kryetares së bashkisë, e cila në shtëpi kishte edhe burrin dhe djalin mesa më kujtohet”. Duke mohuar të ketë parë njerëz të armatosur apo dhe të ketë marrë pjesë në përplasjen mes efektivave të policisë e gardës me turmat e armatosura, i pandehuri Bicja u shpreh se “kur nisën armët jashtë dhe një plumb përshkoi dhomën e kryetares së bashkisë, u detyruam të futemi në një depo drush që kishte në korridor, e cila mbante pak persona. Ne ishim ngjeshur të tre me gruan dhe burrin e kryetares në depo derisa mbaruan krismat. Pastaj dola dhe shkova në shtëpi dhe më pas u ktheva në dyqan për të parë mos kishte dëme. Atë ditë nuk mora vesh gjë çfarë kishte ndodhur, por pas dy ditësh dëgjova të tjerët dhe lexova në gazetë për disa të vrarë. Herë shkruhej katër dhe herë pesë. Nuk kishim gjë zyrtare”. Këto ishin deklarimet e dhëna nga i pandehuri Bicja, ish-drejtues i PS-së në Cërrik në vitin 1997, shpesh të kontestuara nga prokurori Martini si të pavërteta.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›