E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekonomia europiane drejt rritjes

16-05-2011 / Nga Ilirian Dahri

Ekonomia Europiane është duke u rritur. GDP europiane rikthehet me rritje dhe vitin që vjen do të jetë përsëri në nivelin përpara krizës ekonomike. Kështu ka deklaruar duke ilustruar parashikimet e pranverës mbi ekonominë europiane Oli Rehn, Komisari i Çështjeve Ekonomike dhe Monetare duke shtuar se GDP europiane do të rritet me 1,75 në vitin 2011 ndërsa në vitin 2012 do të rritet me 1,9%, ndërsa rritja në eurozonën do të jetë 1,6% në vitin 2011 për të arritur me 1,9% në vitin 2012. Vetë Oli Rehn shpreh një shqetësim të fortë për “situatën e rëndë të Greqisë” por ndërkaq shfaq optimizëm për Portugalinë sidomos pas planeve të ndihmave ndërsa duke folur për Italinë vë në dukje se duhet të reduktohet borxhi. Gjermania konfirmohet si vendi që udhëheq ekonominë europiane duke parë se ekonomia gjermane këtë vit do të ketë një rritje prej 2,6% pas 3,6% të vitit 2010 ndërsa vendet e fundit janë Greqia me -3,5% dhe Portugalia me -2,2%. Gjithsesi edhe pse me një ekonomi në të tilla nivele Greqia ka filluar të rritet në trimestrin e parë por nënvizon Rehn “Greqia gjendet në një situatë shumë të rëndë, dhe i bëj thirrje të gjithëve që të marrin përgjegjësitë e tyre”. Apeli i Komisarit të Çështjeve Ekonomike dhe Monetare i drejtohet të gjitha forcave politike greke por edhe të gjitha shteteve të Eurozonës në mënyrë që të dëshmojnë solidaritet kundrejt vendeve në vështirësi –duke shtuar se “duhen lënë pas ndasitë e brendshme dhe duhet të tregoheni të përgjegjshëm për gjithçka”. Nga  ana tjetër edhe vendet si Italia duhet të kujdesen në mënyrë që të arrihet niveli i stabilizimit në mënyrë që të fillohet me reduktimin e borxhit publik. Në fakt, po ti referohemi shifrave të Instat-it mbi ecurinë e ekonomisë italiane, GDP e Italisë është rritur me 0,1% përkundrejt trimestrit të mëparshëm dhe me 1% përkundrejt trimestrit të parë të vitit 2010 edhe pse ekspertët prisnin një rritje ekonomike. Siç u tha dhe më lart ekonomia gjermane konfirmohet si motori i ekonomisë europiane dhe këtë e dëshmon edhe GDP gjermane që është ngritur me 1,5% përgjatë trimestrit të parë duke shënuar një progres vjetor prej 4,9% duke befasuar edhe vetë ekspertët dhe analistët ekonomikë. GDP gjermane e trimestrit të parë është rritur nëpërmjet ekonomisë së brendshme duke u rritur deri në nivelin e para-krizës. Por kërkesa e brendshme ka patur këto arritje sepse papunësia ka rënë duke e krahasuar me kulmin e gushtit të vitit 2009 kur ishte 7,9% ndërsa në mars të vitit 2011 është ulur në 6,3%, vlera këto më të ulëta në 19 vitet e fundit. Një rol të madh në rritjen e GDP gjermane kanë luajtur shpenzimet e konsumit të familjeve, investimet e firmave të ndryshme dhe shpenzimet për ndërtimet. Gjithnjë sipas Destatis pesha e eksportimeve ka qenë relative sepse si eksporti po aq dhe importi janë rritur me ritme të njëjta sinjal ky i një vitaliteti të kërkesës së brendshme mjafton të përmendet fakti se shitja e makinave Bmw, së fundmi është katërfishuar duke regjistruar kështu fitimin më të madh në 95 vite të historisë së saj. Edhe pse jo me të njëjtën shpejtësi, rritet edhe ekonomia franceze dhe në tremestrin e parë të 2011 ka një rritje prej 1%. Sipas Insee, Institutit të Statistikës Franceze ekonomia franceze ka patur investime të forta të shoqëruara këto me shpenzime të konsumit dhe ndërsa ekonomistët prisnin një rritje prej 0,6% po aq, pak a shumë priste edhe Banka Franceze (0,7%,) këto të dhëna, pra 1% ishin jashtë parashikimeve. Duke u rikthyer tek ekonomia gjermane vihet re se ajo ka një nivel të lartë ndërkombëtar dhe kjo dëshmohet edhe nga eksportet të cilat arrijnë në pothuaj 952 miliardë euro (+18,55 kundrejt vitit 2009), ndërsa importet përtej 797 miliardë euro (+20%). Eksporti gjerman drejt vendeve të treta ka qenë më i paktë por gjithsesi ka ruajtur një nivel të theksuar (rreth 26% në vit) kryesisht me Rusinë 3,4 miliardë, Kinën 2,2 milardë dhe Brazilin 1,8 miliardë. Por në Gjermani është rritur edhe punësimi dhe besimi të cilët kapin nivelin më të lartë që nga koha e bashkimit të Gjermanisë. Në fakt në trimestrin e katërt të vitit 2010 personat aktivë nga ana profesionale në Gjermani kapin shifrën 41 milionë duke arritur nivelin më të lartë nga koha e bashkimit të Gjermanisë. Ka një rritje në sektorin e shërbimeve (+1,3% në vit) ku regjistrohen rreth 30 milionë të punësuar por një rritje ka edhe në sektorin e manifakturës prej 0,1%.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›