Fitorja e Shqiptarisë
Një ditë para se shqiptarët në Shqipëri t’u drejtoheshin kutive të votimit, shkruam se kësaj here domosdo duhej të fitonte Shqipëria, në kuptimin që fitorja t’u përkiste shqiptarëve, në kuptimin që ajo fitore të mos ishte partiake, siç ka ndodhë thuaja në vazhdimësi, që nga rënia e komunizmit. Për më shumë se 20 vjet rropatjesh, siç dëshmuan proceset politike atje, edhe në dy vjetët e fundit, me refuzim të demokracisë, hyrjes në Kuvend, grevave të shtirura në rrugët e Tiranës deri te protestat e dhunshme të janarit, në të cilat Partia Socialiste, i dërgoi në vrasje katër ithtarë të saj, duke pretenduar kot së koti rrëzimin e qeverisë me dhunë, ishin dëshmi se Shqipëria nuk i kishte dhënë fund komunizmit, përkatësisht tranzicioni i pretenduar nuk ishte përmbyllur.
Dhe nuk kishte si të përmbyllej ky tranzicion derisa Partia Socialiste po qeverisej nga Edi Rama dhe klika e tij, të cilët e radikalizuan socializmin, duke e rikthyer vëmendjen e shoqërisë postkomuniste në të kaluarat e hershme të revolucioneve komuniste. Pra, Rama dhe klika e tij, si Gramoz Ruçi e Erion Braçe, simbolet më djallëzore të komunizmit, nuk po shqiteshin nga tendencat e tyre jo më antidemokratike, por antinjerëzore, që me emrin e shqiptarit në gojë, po pretendonin stërkeqjen e kombit. Retorika dhe veprimet që këta tre udhëheqës socialistë, kanë provuar në vazhdimësi edhe në dy vjetët e fundit, janë dëshmi të shfaqjes së mendësisë sllave dhe komuniste, e cila për interesa të veta nuk e pranon dhe as e njeh asnjëherë, as të vërtetën, as të drejtën dhe as interesin kombëtar.
Ishte Rama ai, i cili në emër të kozmopolitizmit, e dekoroi një këngëtar serb, Goran Bregoviç, me “Çelësin e Tiranës” (2006) titullin më të lartë të nderit që e jep kryeqyteti i Shqipërisë, pak vite pas luftës në Kosovë. Është interesant që pavarësisht fuqisë politike që e tregoi në Shqipëri, në tri mandate kryetar i Tiranës, dhe rreth gjashtë vjet kryetar i PS-së, ai kurrë nuk u mirëprit në Kosovë, pavarësisht ithtarëve jo të paktë majtistë. Pra, ai shihej me mosbesim nga të gjithë në Kosovë, veçmas u bë irritues kur doli hapur kundër ndërtimit të Rrugës së Kombit, ndërsa asnjëherë nuk doli në krah të proceseve në Kosovë, në kohën e bisedimeve kur po ndërtohej e tmerrshmja Pakoja e Ahtisarit. Ai u soll me indiferencë totale edhe atëherë, edhe tani pas Pavarësisë së Kosovës, në më shumë se tri vjet të pasluftës, ndërkohë që Veriu vazhdon të mbahet peng nga Beogradi. Ku ishte shqiptaria për të cilën fliste ai? Ky konceptim i tij për shqiptarinë është shpërfytyrimi më i çmendur që mund t’i bëhej kombit tonë në periudhën postkomuniste.
Ky numërim votash ia përplasi në sytë e tij, humbjen e dyfishtë Ramës, si kryetar i PS-së dhe Tiranës, humbjen morale nga Lulzim Basha, nga një njeri që dëshmoi qytetari dhe kulturë të lart demokratike, i cili hoqi dorë për garën nga çdo pushtet, është një humbje nga e cila se shpëtojnë as proceset ankimore; Dhe humbjen e 2009-ës, duke dëshmuar se kontestimi i votave (vjedhja) ishte një shpifje e tij.
Një qetësi vrasëse kishte pushtuar të dyja kampet e kandidatëve derisa po numëroheshin votat në kutinë e fundit, ankthi dhe tensioni shkatërrues, por që kjo urojmë dhe besojmë t’i japë dërrmën, ndjenjës dhe mendësisë sllavo-komuniste në Shqipëri, dhe shqiptarët të kthehen tek rrënjët dhe identiteti i tyre, i cili ka formësuar fisnikërinë në shkallën më njerëzore në botë, por që nëpër tranzicione të ndryshme u përvodh dhe u përzie me elemente të huaja negative, deri tek ai sllavo-komunist që ishte më i ndyri për shoqërinë shqiptare.
Pra, kjo transparencë e numërimit të votave e paparë në fytyrën e asnjë demokracie perëndimore, e bëri Shqipërinë dhe shqiptarët, popullin që demokracinë e përqafon në mënyrën më fisnike. Kultura dhe demokracia, po kthehen në djepin ku aty kanë lindur, në brigjet e Jonit dhe Adriatikut, tokën historike dhe prehistorike shqiptare, ilire-pellazgjike, ku janë rrënjët e qytetërimit perëndimor!
Editorial i botuar së pari në të përditshmen e Prishtinës “Bota Sot”