Mendësia e diktaturës dhe stanjacioni i kryeqytetit, peshqesh i E. Ramës
Tani, kur E. Rama e ka lakun në fyt për të qenë ende kryetar bashkie, po shohim dukuri të pazakonta. Në kasnecët e propagandës së shpifur të Edvinit shihet një gjendje nervozizmi, e rrëmbushur me pezm, ma mallkime e me kërcënime. Sloganin e përçartur të „Rrugës së vetme“, Mimi Kodheli e ka shprehur si „Rruga e PS-së“! Pra, na del se PS-ja nuk ka alternativa. Po shkon në brazdë të vetme. Si në kohën kur Enveri shpallte hullinë e vetme që i mbetej, për të ruajtur karrigen e përfshirë nga valët sizmike: „Ne edhe bar do të hamë, por nuk heqim dorë nga parimet“! Dhe kështu diktatori zgjodhi udhën e vetme, që i kishte mbetur: atë të autarkisë, të mbylljes në vetvete, të bunkerizimit. E kemi fjalën, tani, për bunkerizimin skajërisht të mendimit më të thjeshtë, që mund të merrej si një shmangie sado mikroskopike nga rruga e marksizëm-leninizmit, që filloi të behej demodé qysh në vitin 1956, kur stalinizmi mori plasarimat e para në BS.
Tani rruga e vetme, - ose Rruga e PS-së (në interpretimin e Mimit), - po na ofrohet sipas kallëpit të zgjedhjeve të 29 qershorit të 1997-s, zgjedhje në të cilat në mjaft zona zgjedhore ishin varur simbolikisht litarët e lidhur pemëve, me lakun poshtë, me nënkuptimin që t’u qartësohej atyre që do të orvateshin të bënin fushatë zgjedhore në ato “domene”, i priste litari! Ishin zgjedhje të papërfytyrueshme për nga arbitrariteti, kapadaillëku dhe terrori psikologjik. Si pasojë dolën deputetë injorantë, madje edhe deputete vampire, që u kishin pirë gjakun zyrtarëve të pafajshëm të shtetit, më keq se konti Drakula i legjendave tmerruese.
Ishin kohë ankthesh. Dr. Berishës i ishte ndaluar të bënte manifestime me popullin, në sheshin e Flamurit të Vlorës. Qeveria moniste (= e një force të vetme politike, një thuajse sinonim i rrugës së vetme), deklaroi se nuk mund të siguronte jetën e doktorit, nëse ky do të ngulmonte të vinte në domenin (domethënë në posedimin pronor) të PS-së. Berisha e mori përsipër. Sheshi i Flamurit u mbush sa s’kishte ku binte kokrra e mollës dhe, ajo më e rëndësishmja, u rrëzua miti i domeneve dhe i psikozave frikësuese.
Për këto lloj psikozash antidemokratike, Partia Socialiste ka pasur leverdi të madhe, në radhë të parë në pamjen elektorale, të atij tetëvjeçari të mallkuar të cilin E. Rama e batërdisi në vitin 2005. Por ja që tani po na bën apologjinë e atij tetëvjeçari dhe po na e jep si etalon progresi! Zgjedhjet e 2005-s duhej të respektoheshin nga Rama, që kishte synime të mbrapshta për të marrë pushtetin në dorë. Përndryshe, me atë mendësi komuniste që e kishte pështjelluar që nga 1998-a, kur i tërboi artistët shqiptarë, ai do t’i trajtonte zgjedhjet e 2005-s me më shumë agresivitet se ato të 2009-s. Meqë përmendëm këto zgjedhje, duhet thënë diçka edhe për këto. Zgjedhjet e tanishme të 8 majit 2011, ia hoqën përfundimisht të drejtën Edit, që të spekulojë me këto zgjedhje, duke i shkaktuar popullit mbrapshtí të njëpasnjëshme. Në emër të hapjes së kutive sipas oreksit të tij, - në kundërshtim me klauzolat e Kodit Zgjedhor që mban firmën e vet, - vendit iu shkaktuan fatkeqësi të vazhdueshme: Bllokimi i Parlamentit dhe i të ardhurave që do të na vinin me vendim të cilësuar, është njëra prej veprimtarive antikombëtare. UN-i i këtij mujshari s’donte t’ia dinte për këto të ardhura në begatí të vendit. Truri i këtij egoisti ishte në sinkron me atë të Luigjit, “après moi, le déluge”, që s’ka nevojë të përkthehet, se është bërë i njohur për shqiptarët! Shkojmë më tej: demonstratat-vargan përligjeshin, sipas trurit të tij të sëmurë, se i ishin vjedhur votat! Ajo turmë zhurmëmadhe, e njëtrajtshme dhe e përhershme rreth tij, e paguar dhe e dokumentuar me lekët që nxirrte nga torba F. Xibri, pa u bërë merak se po filmohej, përbëhej nga sherrxhinj të njohur, nga bashkiakë qendrorë dhe komunarë që rrezikonin vendin e punës, po të mos i hipnin autobusit xhaba. Doemos edhe nga ish-mëkatarë, të interesuar për të mos i kapur ligji i lustracionit! Numri i këtyre langove, që përbënin karvanin e njëngjyrshëm të populizmit liliput, duhej shumëzuar me 20 apo me 30, që të vihej shenja e barazimit të popullit me populizmin! Kutitë! Kutitë! - u bë një refren shurdhues. Por kutitë u hapën më 6 maj 2011! 72.000 vota plus kundër Ramës, në komunat vendore, në të gjithë vendin! Tani Edin e kanë zënë drithërimat, kur KQZ-ja po rinumëron votat, me një saktësi matematike! Nuk ka as guximin që të urojë kundërshtarin për fitoren, kur kundërshtari i tij, Lulzim Basha, me mendësi perëndimore, është deklaruar se do ta urojë E. Ramën, nëse fiton. Edhe kryeministri është shprehur se do ta pranojë verdiktin e KQZ-së. Vetëm E. Rama po përdridhet! Të ishte për atë, s’duheshin bërë fare këto zgjedhje. Në vendin tonë duhej të zgjatej pafundësisht ajo gjendje gangrenoze e viktimizimit “të të drejtave të vetvetes” dhe të anarkistëve që ai përfaqëson. Tani i ngeli fjala në grykë anarkistit S. Ngjela, që kërkonte ta rrëzonte qeverinë, pa zgjedhje, në tavolinë!
8 maji 2011 është një ditë fatlume për popullin shqiptar dhe për konfirmimin e vlerave të Lulzim Bashës, njeriut të nderuar, të urtë dhe tepër të aftë, me programin e tij të admirueshëm, të nxjerrë nga dëshirat qytetare për qytetin, duke paraqitur një perspektivë të shkëlqyeshme për kryeqytetin tonë. Është fakt se Edi Rama, në atë traktin e tij me titullin “E vetmja rrugë” nuk thoshte asnjë fjalë për betonizimin, për unazën e madhe, për parkimin e pamundur të automobilave dhe për qarkullimin katastrofik të automjeteve, në rrugët e tij të pakalueshme ende! Si shpërfillës i ligjit, bën propagandë zgjedhore në ditën e shtunë (7 maj), kur një gjë e tillë është e ndaluar me ligj. Shpall përfundimet zgjedhore, kur KQZ-ja është në mes të rrugës për shqyrtimin elektoral! Këtë punë bën edhe P. Majko. Çështje mendësie!
Tersllëqet që na vijnë nga Rama, e kanë burimin jo vetëm në ato që thamë, por edhe në mendësinë enveriste, që duhet shkulur nga rrënjët, - siç shprehej ai në vitin 1991. Mbase ia vlen edhe ta citojmë: “Uniteti i çeliktë, ky çelës i artë “i fitorjeve” tona, i farkëtuar për dyzetegjashtë vjet në kudhrën e ideologjisë stalinisto-maoiste, u shpërbë për katër ditë në dy forca kundërshtare. Nga njëra anë Partia në pushtet (e Ramizit, - shënim), e cila mbron interesat e një grupi gjithmonë më të kufizuar njerëzish, pra mendon vetëm për të tashmen për të ruajtur të kaluarën, nga ana tjetër Partia Demokratike e cila, duke mbrojtur interesat e një numri më të madh njerëzish, duhet të kontrollojë domosdoshmëruisht të kaluarën, për të përgatitur të ardhmen”. O tempora, o mores!
Antikomunist i prapë, ky Edi! Ç’e do se tani u bë komunist i tërbuar, mbrojtës i mëkatarëve dhe i mendësisë së tyre, që jo vetëm s’e kontrolloi të kaluarën katërvjeçare të bashkisë në stanjacion, por na la në prehër edhe mendësinë enveriste, që mund të provohet si një e një që bëjnë dy, në një shkrim tjetër të dokumentuar.