E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekonomia globale dhe aleancat ushtarake

12-07-2013 / Nga Ilirian Dahri

Panorama e ekonomisë botërore është e zymtë për vitin në vazhdim dhe e njëjta gjendje parashikohet edhe për vitin e ardhshëm. Vetë Fondi monetar ndërkombëtar ka ulur parashikimet e tij për rritjen ekonomike planetare duke përcaktuar madje edhe rreziqe të reja. Një ndër to është padyshim edhe ekonomia kineze që pas një bumi investimesh, ende nuk është kompensuar me rritjen e konsumit të brendshëm. Nga ana tjetër edhe pse flitet për një sukses të Abenomiks (të politikës së re ekonomike të qeverisë japoneze) për vitin në vazhdim, parashikohet që të ketë shqetësime për të ardhmen sidomos për fatin e borxhit publik. Ndërkaq edhe dalja nga politika e shtysës monetare të Federal Reserve ka sjellë një rritje të rendimentit të përgjithshëm dhe një dalje të kapitalit prej tregjeve emergjente. Po flitet gjithmonë dhe më shumë për një ekonomi botërore që udhëton me  tre shpejtësi, ku spikasin shtetet emergjente që kanë një rritje të lehtë, pastaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës që rriten me një ritëm normal, edhe pse duhet nënvizuar se jo me ritme spektakolare, por mbi të gjitha në panoramën planetare ka një zonë euro që vazhdon të jetë në recesion dhe ndoshta pikërisht kjo e fundit paraqet rrezikshmërinë më të madhe për të ardhmen e ekonomisë planetare. Në këtë situatë duket qartë se ekonomia botërore nuk ka ende një vend apo grupe vendesh që të jenë në krye të ekonomisë botërore, sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë frenuar disi ekonominë e tyre dhe po ashtu edhe eurozona, dhe këtu nuk mund të përjashtohen vende si Kina, Brazili apo edhe Gjermania që ka frenuar me - 0,3%. Një  përjashtim përbën  vetëm Japonia. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës masat fiskale që janë të  lidhura me shkurtimet automatike kanë frenuar përmirësimin e kërkesës private me një rritje të pritshme me afro 1,7%, në vitin 2013, dhe 2,75% në vitin 2014. Po flitet gjithnjë dhe më shumë se mungon forca e optimizmit të konsumatorit amerikan që e vetme tërhiqte ekonominë globale. Por edhe vendi që renditet i dyti në ekonominë botërore nuk është akoma në gjëndje që të tërheqë ekonominë planetare dhe të zëvëndësojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës sepse  investimet e shumta nuk kanë sjellë një rritje të konsumit të brendshëm. Nga ana tjetër një mungesë të madhe në panoramën planetare paraqet  eurozona e cila është përcaktuar nga Fondi monetar ndërkombëtar me “një rënie të madhe të kërkesës së brendshme”. Natyrisht që do të sillte  shumë optimizëm nëse do të arrihej tek  bashkimi bankar dhe kjo do të favorizonte sidomos  vendet mesdhetare. Ngadalësimi po vërehet pothuajse në të gjitha vendet dhe vetëm një shtet si Japonia nuk do të mjaftonte për të injektuar doza optimizmi në panoramën e ekonomisë globale. Vetë Japonia duket se ka  probleme të tjera që lidhen me vendet e saj fqinje. Libri i Bardhë mbi Mbrojtjen i cili është aprovuar së fundmi nga qeveria e Shinzo Abe-së nuk ka më tone prej pambuku madje shprehet qartë se Kina paraqet një kërcënim dhe se sipas japonezëve është një vend që shkel të drejtën ndërkombëtare. Gjithmonë sipas japonezëve është e nevojshme një rritje e shpenzimeve ushtarake madje duhet ndryshuar edhe strategjia dhe duhet krijuar  një trupë marinsash që të kenë si detyrë kryesore mbrojtjen e ishujve që mund të merren nga ana e kinezëve. Në fakt është regjistruar rritja e parë e shpenzimeve ushtarake që prej  11 vitesh dhe kjo ka ndodhur gjithmonë në kuadër të rreziqeve për sigurinë kombëtare. Natyrisht citohet Korea e Veriut por duket qartë se në plan të parë dominojnë tensionet me Kinën e cila shfaqet  agresive sidomos me ishujt Senkaku. Ministri i Mbrojtjes Onodera, ka evidentuar praninë e “faktorëve destabilizues, disa prej të cilëve janë shumë të mprehtë dhe problematik” sidomos në lidhje me “ekspansionin e shpejtë dhe intesifikimin e aktivitetit të kinezëve rreth Japonisë”, me ndërhyrjet në ujërat territoriale dhe në hapësirën ajrore të japoneze. Parë nga ky këndvështrim po theksohet gjithmonë dhe më shumë një përforcim i aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe po kërkohet gjithashtu një forcim  i Europës sepse një Europë e dobët do të shndërrohej shpejt në një pre të kinezëve.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›