E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Punësimi nga zyrat e partisë, PS riktheu praktikat e Partisë së Punës

12-07-2013 / Gazeta 55

"Pa filluar ende detyrën Edi Rama i dha një mesazh negativ Brukselit" 

As morale dhe as ligjore nuk është thirrja e Edi Ramës për t’i dërguar CV e punësimit në Partinë Socialiste, sipas deputetit të PD-së Kastriot Islami. “Është e tmerrshme tu kërkohet shqiptarëve të dërgohen CV në zyrat e partisë, njësoj si para viteve 90. Nga pikëpamja morale kjo. Nga pikëpamja ligjore ligji i shërbimit civil ka procedurat e qarta. CV në PS, kjo është e rëndë për administratën publike, mesazh shumë i keq për Brukselin”, u shpreh Islami në një deklaratë për mediat.
Të njëjtin qëndrim Islami ka dhe për zyrën e Kryeministrit të zgjedhur, hapur në zyrën e PS-së.
“Të vendosësh termin kryeministri i zgjedhur është qesharake, për më tepër që zyra të vendoset në parti. Rama është peng i LSI-së dhe 30 deputetëve të lidhur me krimin në PS. Ky është problemi me të cilët do merret Rama në qeverisjen e ardhshme dhe jo të kërcënojë administratën publike”, nënvizoi ai.
Nuk është anëtar i Partisë Demokratike për rrjedhojë as votues më 22 korrik për zgjedhjen e kreut të ri. Nuk deklaron favoritin në mendjen e tij, por jep cilësimin e tij për garën. “E para është garë reale, dinjitoze. Gara do ketë një fitues. Humbësi do ta përshëndesë. Fituesi do të bashkëpunojë me humbësin. Dy konkurentët që janë dinjitozë në shumë kuptime t’i japin dorën njëri-tjetrit e të bashkëpunojnë realisht që të fitohen zgjedhjet lokale, që janë element shumë më i rëndësishëm se gara që zhvillohet në PD”, tha Islami.
Mbi 20 vjet në politikë, Islami thotë se gara Basha-Olldashi është rasti i parë që nuk lejohen lobingjet e funksionarëve në parti apo administratë për kandidatët dhe kjo sipas tij është risi pozitive në politikën shqiptare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›