E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për cilën administratë flet Erla, Luli, Koli?!

florenc hoxha duneNga Anila Çobani

Ndërrimi i pushteteve në Shqipëri është shoqëruar me shqetësimin e madh së çdo të bëhet me administratën.

Është e pranueshme, dhe kjo ndodh dhe në vendet më të përparuara se ne (se mua tashmë më shoqëron ideja se jemi vendi i dytë pas Gjermanisë), që stafet menaxhuese dhe ndërtuese të programit qeverisës të drejtojnë administratën e re për të jetësuar ato që janë premtuar.

Në fakt këto ditë nuk ndjehet aspak shqetësim në vetë administratën shtetërore, që mesa duket i është bindur dhe ka pranuar sfidat e qeverisjes së re të vendit, se ai që e mban dhe ka shërbyer si profesionist do vazhdojë të jetë ndryshe nga të tjerët që erdhën me revanshin e pushtetit, me një CV të vetme, teserën e PD në xhep me meritën e vetme se ishin pjesë apo i shërbenin familjes.

Mesa duket janë gati turravrap ti braktisin vendet e tyre pa meritë dhe të bëhen pjesë e foltores me më shumë megafonë sesa dëgjues!

Jo vetëm mua, por askujt nuk do i bënin përshtypje ankesat e një opozite si ajo e PD-së, që vetëm lotët i kanë mbetur, por kjo të shkakton jo habi (se me këta u mësuam plot 8 vite) por të vesh duart në kokë !

Lulëzim Basha ka ndërmarrë turin për të qenë pasardhësi i babait shpirtëror, por mesa duket ai ia ka firmosur fermanin me kohë dhe e vetmja gjë që i mbetet të bëjë në këto dalje është ti bjerë opozitës dhe shqetësimit të madh se çdo i ndodhë ithtarëve të tij në administratë!

Po a nuk është ky personi përgjegjës që sot i numërohen të hequr nga Bashkia e Tiranës më shumë se 300 punonjës, që sot kanë fituar dhe të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe presin të dëmshpërblehen nga zotëria një më një?

Nuk është ky ai evropiani, që pasi theri kurbanin në mes të bulevardit, më pas çonte xhandarin për të nxjerrë dhunshëm punonjësit nga zyrat ku ata për vite iu kishin shërbyer qytetarëve të Tiranës?

Për kë ligj flet ky djali i krehur me stil enverian? Për kë do i hapë zyrat e konsulencës juridike? Për mijëra specialistë që ndoshta dhe rotacioni nuk iu njihej, por mëkati i vetëm i tyre ishte se kishin shërbyer në një administrate socialiste? Ata kanë sot e 8 vite letrat e vulosura ligjërisht për rikthim në punë!

Zyra për të cilin ju flisni do të shërbejë për të zbatuar më në fund pas 8 viteve të drejtën e mijëra specialistëve për rikthimin në punë?

Ju për çdo gjë mund të flisni sot ti, Erla dhe Koli!

Por jo për standardet në qeverisje dhe administratë!

U provuat… dhe e morët përgjigjen në 23 qershor!

Merruni me rimëkëmbjen e partisë suaj, merruni me gabimet dhe fajet mal që bëtë në 8 vite, bashkë me to dhe viktima, dhe këtë ne se harrojmë kurrë pa u bërë drejtësi!

Do i bënit nder çdo shqiptari, dhe atij që nuk ju ka votuar, të tërhiqeshit dhe të bënit opozitën që i duhet vendit dhe jo revanshistin apo moralistin e radhës, që vetëm juve sju shkon ta bëni!

Koalicioni i majtë, fitues i këtyre zgjedhjeve, nuk do ju japë shansin juve, Erlës apo Kolit, ti bini gozhdës, që tashmë është shtrembëruar dhe nuk vlen as për të varur xhaketën e babait tuaj, që tashmë ju ka nisur me mision për të nxirë gjithçka të bukur që pritet të ndodhë me qeverinë integruese të vendit.

Ai tashmë është bërë si Nastradini, që qëllonte me shuplakë djemtë e tij sa herë iu duhej të shkonin për ujë, që u thye, su thye shtamba, ata të ishin të fajshëm!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›