E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekonomia miraton Leskajn, ja debatet me PS

SHKRUAN: Blerina Hoxha 15-12-2011 11:32

Dekreti i Presidentit për emërimin e Bujar Leskajt si kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit mori vetëm votat e mazhorancës në komisionin parlamentar të Ekonomisë.

Me një dosje voluminoze në njërën dorë dhe me Kushtetutën në tjetrën dorë, nëpërmjet një prezantimi më shuma se 20 minuta Bujar Leskaj ka arritur të marrë vetëm votat e mazhorancës dje në komisionin parlamentar të Ekonomisë, për të drejtuar Kontrollin e Lartë të Shtetit në 7 vitet në vazhdim. Ai premtoi para deputetëve se do ishte një kryetar KLSH-je pa imunitet dhe se do shtrinte kontrollet përtej abuzimit me fondet publike, duke vlerësuar performancën e institucioneve dhe administratës. Plani i tij prej 10 pikash për drejtimin e KLSH-së në të ardhmen është parë me mosbesim nga opozita. Mimi Kodheli në emër të PS-së tha se Leskaj është një kandidaturë thellësisht politike dhe se maxhoranca përdori dy standarde në rastin e dekretit të Presidentit për Sali Shehun, dhe standard tjetër për Leskajn. Ajo tha se dy kandidaturat kishin një profil thellësisht politik në të djathtën. Ndërkohë, vetë Leskaj në përgjigje të këtij shqetësimi nga ana e opozitës, tha se kishte 4 muaj që kishte dhënë dorëheqjen. Deputetët e opozitës u interesuan të dinë në lidhje me specifikat e ardhshme të inspektimeve të KLSH-së ndaj institucioneve që administrojnë fondet publike. Andis Harasani, deputet e PS-së, i kërkoi Leskajt nëse do të kontrollonte financat e Federatës Shqiptare të Futbollit, duke ia kujtuar si një merak që Leskaj e kishte qysh në kohën kur ishte ministër i Turizmit. Mirëpo Leskaj tha se KLSH, në bazë të Kushtetutës kontrollon vetëm përdorimin e fondeve publike dhe në ato ndërmarrje ku shteti zotëron më shumë se 50 për qind të aksioneve, dhe Federata e Futbollit nuk është një nga këto institucione. Kandidati për kreun e KLSH-së tha se në rast se zgjidhej, do të ketë në fokus kontrollin e disa institucioneve dhe profesioneve që gjenerojnë më shumë korrupsion. Si të tilla ai ka vlerësuar doganat, tatimet, procesin e emërimit në administratën publike dhe çështjen e administrimit të pronave shtetërore. Në vijim të planit të tij për drejtimin e KLSH-së, Leskaj tha se do t’i kërkonte një bashkëpunim më të ngushtë prokurorisë për të ndjekur me profesionalizëm denoncimet e KLSH për abuzimet dhe shkeljet e evidentuara. Gjithashtu ai ka premtuar edhe një bashkëpunim më të ngushtë me stafet akademike, universitetet dhe theksoi se do të ishte shumë më tepër transparent me Kuvendin. Mirëpo opozita duke i vlerësuar teorike dhe disa premtime të pamundura, ka shprehur shqetësim për mënyrën se si po operohet me përzgjedhjen e kandidaturave në krye të institucioneve të pavarura. “Unë nuk kam probleme me personin, por më procedurën që po ndjek Kuvendi për zgjedhjen e krerëve të institucioneve të pavarura. Nuk ka konsultime me opozitën dhe se kandidatët janë figura thellësisht politike”, - tha Erion Braçe, deputet i PS-së. Propozimi i emrit të Bujar Leskajt si kreu i ri i Kontrollit të Lartë të Shtetit u bë nga presidenti Bamir Topi më 17 nëntor. Dy ditë më parë, Bujar Leskaj mori pëlqimin e ish-kolegëve të tij dhe të shefit të mazhorancës, fakt që u konkretizua dje dhe më pas do të ndodhë në seancën plenare të Kuvendit ditën e enjte. Ndërkohë lideri i opozitës, Edi Rama, në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PS rikonfirmoi se opozita do të votojë kundra këtij propozimi.

Mimi Kodheli, në emër të PS tha se Leskaj është një kandidaturë thellësisht politike dhe se maxhoranca përdori dy standarde në rastin e dekretit të Presidentit për Sali Shehun, dhe standard tjetër për Leskajn

Batutat

Leskaj: Mos fol shumë shpejt se po mbaj shënim.

Malaj: Po ti sikur flisje shpejt, duhet edhe të shkruash shpejt

Leskaj: Unë, as nuk shkruaj dhe as nuk lexoj shpejt. Unë veproj shpejt.

Harasani: A do të kontrolloni KLSH dhe Federatën e Futbollit?

Leskaj: Sigurisht që do të kontrolloj KLSH, por nuk kontrolloj institucionet që nuk kanë mbi 50 % fonde publike.

Harasani: Jo e di, po desha të të kujtoj gozhdën që ngulët kur ishit ministër i Turizmit.

Leskaj: Mos u kapni nga bishti!

Harasani: Varet kë cilësoni juve bisht

Noka: Kujdes se bishti mban erë.

Malaj: Para ose mbas, varet kujt i ngelet bishti në dorë.

Spaho: Mos degradoni diskutimet.

Kodheli: Kolegu Noka gjatë prezantimit të kandidatit Sali Shehu tha se “nuk plotësoni kriteret, pasi jeni një person politik”......

Noka: Ju nuk mund të më keqinterpretoni mua dhe as të më citoni ballë për ballë.

Kodheli: Mirë... një kolegu ynë tha për kandidaturën e Sali Shehut, nuk e votojmë se nuk është konsultuar me Kuvendin.

Noka: Nuk është vërtetë, po keqpërdorni qëndrimet e mia.

Kodheli: Kandidatura e Leskajt nuk u konsultua me Kuvendin.

Spaho: Konsulta është konsensusi. Shehu nuk ia doli. Leskaj po.

Brace: Është shqetësuese procedura që po ndjek Kuvendi për miratimin e kandidaturave të institucioneve të pavarura.

Noka: Po Ermelinda Meksin në mbikëqyrjen bankare si e votuam?

Kodheli: Maxhoranca ndoqi dy standarde të ndryshme për Shehun dhe Leskajn.

Leskaj: Kam katër muaj që kam dhënë dorëheqjen nga të gjitha funksionet në PD.

Harasani: Zoti Leskaj, propozoj që të hiqni dorë nga kandidatura për kreun e KLSH dhe të kontribuoni në PD. Ajo ka nevojë për ju.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›