Nano për president, Pëllumbi e Dokle kundër kandidimit
Pëllumbi: Ajo është një dëshirë e tij, po të them të drejtën, ata që vetëkandidojnë nuk i kam shumë qejf. Dokle: Do të flas kur Nano të ketë ditëlindjen
Ambicia e Fatos Nanos për t’u zgjedhur vitin e ardhshëm në postin e Presidentit të Republikës ka përçarë Partinë Socialiste. Zëra me peshë në këtë forcë politike janë shprehur pro dhe kundër një kandidimi të mundshëm të Nanos sërish në garën e ardhshme presidenciale. Kështu, Servet Pëllumbi e Namik Dokle kanë lënë të kuptohet qartë se janë kundër një rikandidimi të tillë, ndërkohë që nga ana tjetër Bardhyl Agasi e Arben Malaj kanë vlerësuar figurën e Nanos.
Pëllumbi
I pranishëm në festën e organizuar nga selia rozë me rastin e 75-vjetorit të tij, ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, veç falenderimeve që ka shprehur për surprizën e ofruar veçanërisht nga kryesocialisti Rama, i është përgjigjur edhe interesit të gazetarëve për sa i përket zhvillimeve politike dhe në mënyrë të veçantë deklaratës së bërë nga ish-kryesocialisti Fatos Nano, duke u shprehur i pakënaqur për vetëdeklarimin e tij si kandidat për president. “Ajo është një dëshirë e tij, por të them të drejtën, ata që vetëkandidojnë nuk i kam shumë qejf”, - tha Servet Pëllumbi në lidhje me deklaratën e Nanos. Ndërkohë që një figurë tjetër e rëndësishme e socialistëve, ish-kryetari tjetër i Kuvendit të Shqipërisë, Namik Dokle, pyetjes në lidhje me kandidimin e Nanos president nuk ka pranuar t’i përgjigjet në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke u shprehur se “kur të ketë ditëlindjen ai do të flas”. Nga ana tjetër ish-presidenti Rexhep Meidani, pavarësisht insistimit të përfaqësuesve të mediave, nuk ka pranuar të komentojë në lidhje me rikandidimin e Fatos Nanos në postin e kreut të shtetit.
Agasi
Por nuk kanë munguar edhe zërat pro kandidimit të Fatos Nanos në postin më të lartë shtetëror. Njëri prej tyre ka qenë ish-sekretari dhe ish-deputeti Bardhyl Agasi, i cili e ka mirëpritur një ambicie të tillë të ish-kryetarit të tij. Pyetjes nëse mund të jetë Nano një kandidaturë e duhur për postin e Presidentit, Meidani është shprehur: “Patjetër, është. Nano është një nga figurat më të njohura të politikës shqiptare, një njeri që ka demonstruar gjatë gjithë jetës së tij politike një kulturë demokratike që i ka munguar të tjerëve. Unë mund të numëroj se ai ka dhënë katër herë dorëheqjen, dy herë si kryeministër dhe dy herë si kryetar partie, pra ka vendosur një kulturë që nuk njihet në politikën e sotme”. Ndërkohë që pyetjes tjetër nëse duhet ta mbështesë PS-ja kandidaturën e tij, Agasi tha: “Po pse të mos e mbështesë një kryetar të sajin që e ka drejtuar për 15 vjet, e ka transformuar atë dhe e ka çuar deri në anëtarësimin në internacionale?”. Ai iu është përgjigjur edhe atyre zërave që janë shprehur kritikë për këtë ambicie të Nanos, duke mohuar që Nano të ketë votuar ndonjëherë kundër Partisë Socialiste. “Unë nuk mund ta besoj një gjë të tillë, nuk mund të votoj kryetari i familjes kundër familjes së vet. Ajo mund të jetë dhe një shprehje pakënaqësie për situatën e brendshme në parti, por nuk mendoj që Nano t’i kundërvihet PS-së. Ndërsa heshtjen e tij për kaq kohë unë e shoh akoma si një gjë tepër pozitive, sepse në fund të fundit ai tregon se nuk është më i njëanshëm politik, nuk është vetëm i PS-së. Nano me dimensionin e tij ka treguar se mund të jetë president”, - tha Agasi.
Malaj: Nano, kontribute
evidente pozitive në tranzicion
Për deputetin socialist Arben Malaj, debati për kreun e ri të shtetit është i parakohshëm. Në një reagim të tij në faqen e vet në rrjetin social Facebook, Malaj duke marrë shkas nga debate që ka hapur mes socialistëve shfaqja e ambicies së ish-kryesocialistit Fatos Nano për postin e Presidentit të Republikës, e ka konsideruar të tepërt për kohën një diskutim të tillë, megjithëse nuk nguron të flasë me konsiderata për ish-kryeministrin e vet. “Mendoj se është akoma shpejt që politika shqiptare të devijojë fokusin për reformat ekonomike dhe integruese, në debatin për kandidatët për presidentin e ardhshëm të vendit. Është e qartë që ky moment ka një rëndësi të veçantë për të zbutur ambientin politik apo për ta rikthyer atë në qëndrime bllokuese apo radikale. Nga mënyra se si maxhoranca dhe opozita do të zgjidhin këtë problem, do të përcaktohet maturia e klasës politike në tërësi, duke ndikuar edhe në zgjedhjet e 2013-ës”, - shprehet Malaj në këtë reagim. Më tej ai ka saktësuar se nuk ka qenë qëllimi i Nanos që me deklaratën e vet të fusë në debat socialistët. “Në vlerësimin tim, intervista e Nanos nuk synonte të hapte apo nxiste një grindje të re në politikën shqiptare dhe aq më pak në PS. Në këtë këndvështrim, si dhe duke marrë parasysh kohën tejet të mjaftueshme në dispozicion, do të jetë joefektive politikisht që të përfshihemi në debate publike të motivuara nga parapëlqimet apo hatërmbetjet e së shkuarës për diçka që pret”, - thekson Malaj. Ndërkohë, pavarësisht thirrjes për të mos i fryrë më shumë debatit, Malaj nuk nguron të flasë me vlerësime tepër pozitive për ish-kryetarin Nano, duke shprehur kështu në mënyrë indirekte dakordësinë e tij për këtë kandidaturë për postin e kreut të shtetit. “Kontributet pozitive të Nanos në këtë tranzicion të vështirë janë evidente. Nano ka synuar gjithmonë shtensionimin e politikës shqiptare në momente kritike të tranzicionit. Ato kanë nisur me ndryshimin e sistemit tonë politik dhe ekonomik në vitin 1991. Së bashku me kolegët e tjerë në PS, me vizion dhe përkushtim krijuam partinë politike moderne në të majtën shqiptare. Kontributet pozitive janë edhe në zhvillimet politike gjatë vitit 1997 dhe 1998 për të ulur tensionet politike, për të ndarë pushtet me opozitën dhe për të nxjerrë sa më parë vendin nga kriza politike dhe kriza e rëndë ekonomike. Nano ka nxitur bashkëjetesën politike duke ndaluar përkeqësimin e situatës politike në vend, siç është marrëveshja e San Egidios, krijimi i qeverisë me bazë të gjerë; ndarje reale të pushtetit me aleatët e koalicioneve, zgjedhja në poste të rëndësishme të institucioneve kushtetuese të personaliteteve edhe nga parti të tjera politike, siç ishte zgjedhja e presidentit Moisiu në vitin 2002, zgjedhja e kryetarëve të KLSH-së etj”, - shprehet Malaj. Mandej duke vlerësuar kandidaturën e Nanos dhe duke e ngritur në rolin e një personi mbi palët, Malaj është shprehur se Nano në vitin 2007 sakrifikoi duke marrë kosto personale dhe duke ndërhyrë në zgjidhjen e ngërçit që ishte krijuar në atë kohë për çështjen e certifikatave. “Në shkurt të vitit 2007, Nano mori kosto personale duke mos nguruar të japë mesazhe publike për domosdoshmërinë e shmangies së krizës së zgjedhjeve vendore dhe shmangien e një krize politike për zgjedhjen e presidentit, për të mos humbur mundësinë historike të anëtarësimit në NATO”, - tha Malaj.