Votimi i Leskajt, rrjedhje votash nga grupi i PD
Tre deputetë demokratë pritet të abstenojnë sot në votimin për kreun e KLSH-së. Mazhoranca garanton kalimin e dekretit dhe për shkak të mungesave të deputetëve të opozitës në sallë
TIRANË Bujar Leskaj, kandidati i dekretuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, për të drejtuar Kontrollin e Lartë të Shtetit, kaloi dje vetëm provën e parë në komisionin e Ekonomisë. Anëtarët e mazhorancës në këtë komision dhanë mbështetjen e tyre duke lëshuar sinjalin e parë se vendimi i grupit parlamentar të PD-së i marrë pak ditë më parë në selinë e Kuvendit po respektohet. Por ndryshe nga vendimi politik i grupit, duket se kandidatura e Leskajt nuk do të mbështetet nga disa deputetë të PD-së, për shkak të marrëdhënieve të tensionuara të tyre që në kohën kur Leskaj ishte ministër i Kulturës, e po aq edhe nga disa kritika që ai i ka bërë pas largimit të tij gjatë drekës së famshme që presidenti Topi, asokohe nënkryetar i PD-së, konsumoi në Radhimë të Vlorës me 20 deputetë. Burime nga PD-ja thanë dje për gazetën MAPO se gjatë votimit të sotëm pritet që të ketë abstenime nga një grup i vogël deputetësh. Deri më tash bëhet fjalë për tre të tillë, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia edhe për ndonjë të katërt. Ndryshe nga kandidatura e kaluar (ajo e Sali Shehut), disa deputetë demokratë kësaj here do ta kenë më të lehtë për të thyer vendimin, sa kohë që për kandidaturën e Leskajt edhe Kryeministri nuk ka folur publikisht siç ndodh shpesh kur do të shpallë mbështetjen për një person. Pak ditë më parë, kreu i ekzekutivit tha se Leskaj nuk ishte kandidaturë e mazhorancës, porse ai do të votonte pro tij për shkak të shmangies së një krize të dytë me Presidentin e Republikës.
Votat
Përllogaritjet për kalimin e kandidaturës së Bujar Leskajt kanë filluar prej ditësh. Në pamje të parë duket se kandidatura e Leskajt nuk do të hasë vështirësi për miratim, sa kohë që ai votohet me shumicën e thjeshtë. Por kjo formulë ndërlikohet në rast se në sallë do të jenë të pranishëm të gjithë deputetët. Grupi parlamentar i PS-së ka marrë vendim për të qenë të gjithë të pranishëm, përveç Rudina Seserit, e cila ndodhet në SHBA dhe Dritan Priftit, i cili prej kohësh nuk ka qenë pjesë e punimeve të seancave plenare. Me mungesën e dy deputetëve të opozitës, në parim numri i deputetëve në sallë shkon 138, çka do të thotë që kandidatura e Bujar Leskajt duhet të marrë të paktën 70 vota në një kohë kur mazhoranca numëron 74. Deri këtu nuk do të kishte asnjë surprizë në rast se një pakicë deputetësh nga PD-ja nuk do të shprehnin paraprakisht qëndrimin e tyre abstenues ndaj kësaj kandidature. Bëhet fjalë për tre të tillë, por nuk përjashtohet edhe ndonjë votë tjetër abstenuese sa kohë që pakënaqësitë për këtë emër u shfaqën hapur edhe në mbledhjen e grupit parlamentar. Për pasojë, demokratët kanë negociuar paq me partitë aleate, me qëllim që votat e tyre të jenë në unison dhe të kompensojnë rrjedhjen e votave nga radhët e tyre. Burime nga PD-ja saktësuan dje se kandidatura e Leskajt ka probabilitet që të kalojë. Kjo edhe për arsyen tjetër, se nga PD-ja pritet që të ketë më shumë se dy mungesa nga radhët e grupit parlamentar të PS-së. Sa më shumë deputetë të opozitës të mungojnë, aq më pak vota do t’i duhen Leskajt për t’u miratuar.