Ekonomia në ngërç, shtyhet ulja e normës së interesit

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani
Banka e Shqipërisë në mbledhjen e dje-shme hezitoi sërish të ulë normën bazë të lekut. Edhe pse guvernatori pranoi se ekonomia po vuan nga mungesa e kreditimit dhe e konsumit, Banka u tregua më konservatore në lidhje me ndikimin në inflacion që jep një lëvizje e tillë.
Sidoqoftë, vetë Fullani pranoi se në të ardhmen pritet një ndërhyrje në uljen e normës bazë të lekut. Banka Qendrore mundet në të ardhmen të ulë normën, por pa cenuar objektivin kryesor të saj, stabilitetin e çmimeve.
Ekonomia
Me kalimin e muajve duket se edhe gjuha e zgjedhur nga Fullani për përshkrimin e ekonomisë shqiptare bëhet edhe më e drejtpërdrejtë. Sipas tij, ekonomia shqiptare ka një zhvillim të ngadaltë dhe me një ecuri të dobët të sektorit prodhues. Nga kahu i kërkesës, zhvillimet ekonomike të kësaj periudhe tregojnë një moderim të kërkesës së huaj, ndërkohë që kërkesa e brendshme mbetet e plogësht. Kjo e fundit diktohet nga ecuria e dobët e shpenzimeve dhe investimeve të sektorit privat, si dhe nga stimuli i ulët fiskal i kësaj periudhe. Me pak fjalë, sjelljes kursyese të konsumatorëve i është bashkuar edhe qeveria. Kjo sjell një gjendje të squllët të ekonomisë, e cila duket se po zvarritet duke mos pasur shpresë për një ringritje të shpejtë.
Bankat
Dhe shpresën për një ringritje të shpejtë mund ta japë kreditimi. Por, bankat duket se i janë bashkuar situatës së kursimit. Norma vjetore e rritjes së ofertës monetare shënoi vlerën 8.3% në muajin prill, duke qenë rreth 0.5 pikë përqindjeje më e ulët se në muajin mars. Ky ngadalësim ka reflektuar financimin më të ulët të bankave për qeverinë, si dhe ngadalësimin e kërkesës së sektorit privat për mjete monetare. Në të njëjtën gjendje letargjike janë edhe individët. Kërkesa e individëve për kredi konsumatore apo hipotekare paraqitet e dobët, si pasojë e orientimit të shtuar të tyre drejt kursimit.
Parashikimi
Fullani nuk ka ndryshuar as parashikimin për ekonomisë. Ajo do të vazhdojë të zvarritet dhe nuk pritet të ketë një ndryshim thelbësor në periudhën që vjen. Në mungesë të hapësirave për stimul të qenësishëm fiskal, ecuria e kërkesës së brendshme do të përcaktohet kryesisht nga konsumi dhe investimet private, të cilat deri tani kanë dhënë sinjale të pakta gjallërimi.
Norma e lekut
Duket se ulja e mëtejshme e normës bazë të interesit do të jetë në varësi të buxhetit të ri, kërkesës së qeverisë për borxh dhe situatës botërore. Këto kushte, në mungesë të goditjeve të paparashikuara, motivojnë ruajtjen dhe forcimin e mëtejshëm të natyrës stimuluese të politikës monetare. Rikonfirmimi i angazhimit të qeverisë për vazhdimin e procesit të konsolidimit fiskal edhe në rishikimin e ardhshëm të buxhetit, si dhe qetësimi i situatës në tregjet botërore, do ti hapnin rrugën rishikimit të qëndrimit të politikës monetare.
Moodys, ekonomia vlerësohet me B1
Pas Standard&Poors është agjencia tjetër botërore që e vlerëson relativisht mirë ekonominë shqiptare. Moodys, në raportin e para dy ditëve, thekson se ekonomia shqiptare është e qëndrueshme dhe vlerësohet me B1. Në parashikimin e vet, kompania tregon se në të ardhmen ekonomia shqiptare mund të kishte rritje të vlerësimit në rast se do të vazhdonin reformat strukturore. Është bërë progres, ndërkohë që orientimi dhe marrja e statusit të vendit kandidat do të ishte një sinjal pozitiv i dobishëm për vlerësimin e kreditit gjithashtu. Sistemi gjyqësor i përmirësuar dhe eficienca e tij do të përbënte një shtysë për investimet e huaja dhe, si rrjedhim, pozicion më të mirë tregtar e makroekonomik të vendit. Ankorimi i politikave të qeverise drejt integrimit europian ka qenë dhe mbetet orientimi më efikas në qëndrueshmërinë ekonomike, ndaj vazhdimësia do të gjenerojë gjithnjë vlerësime pozitive në të ardhmen. Megjithatë, agjencia nënvizon edhe rreziqet. Vlerësim do të pësonte ulje nëse qeveria nuk vazhdon të mbajë ritmin e programit të reformave si ato ekonomike dhe institucionale. Nëse qeveria nuk do ti kushtojë vëmendje konsolidimit fiskal për të ruajtur treguesit makroekonomikë, atëherë vlerësimi mund të pësonte rënie.
NERTILA MAHO
