E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faturat e papaguara, CEZ: Pakt për ti ndarë me këste

Zyrat Qendrore të CEZ

Kush ka fatura të papaguara në shuma që nuk i përballon dot, mund të lidhë marrëveshje me CEZ-in për ti ndarë ato në këste. Kjo është strategjia e re e kompanisë për rritjen e arkëtimeve dhe shmangien e ndërprerjes së energjisë për klientët debitorë.
Në një intervistë, Blerta Zëre, specialiste në Drejtorinë e Arkëtimeve në CEZ Shpërndarje, shpjegon të gjithë hapat që ndiqen nga kompania deri në ndërprerjen e energjisë për ata që nuk paguajnë, sa janë afatet e shlyerjes së detyrimit dhe mënyrat e njoftimit të klientëve për kalimin e afateve.
CEZ Shpërndarje, shpesh është kritikuar se nuk po bën shumë në lidhje me rritjen e nivelit të arkëtimeve. Është ky një perceptim i gabuar?
Në të vërtetë, CEZ Shpërndarje, departamenti i arkëtimeve në veçanti, është duke punuar shumë për rritjen e nivelit të arkëtimeve. Ne besojmë që një nga mënyrat për të rritur nivelin e arkëtimeve është duke i prezantuar klientit mundësi pagesash që kursejnë kohë, që në ditët e sotme është shumë e vlefshme. Tani klientët e CEZ Shpërndarjes mund ta paguajnë faturën e tyre të energjisë te një nga arkat, të cilat ndodhen në pika të ndryshme të vendit dhe janë të hapura nga e hëna në të premte 08:00-15:00, si dhe të shtunën 09:00-12:00; te qendrat e kujdesit ndaj klientit, të cilat janë të hapura nga e hëna në të shtunë 08:00-20:00; te bankat e nivelit të dytë apo edhe te filialet e Postës Shqiptare kudo në Shqipëri. Gjithashtu, të gjithë ata klientë që kanë një llogari bankare mund ta paguajnë faturën e energjisë nga shtëpia apo zyra e tyre nëpërmjet shërbimit e-banking, ose nëpërmjet shërbimit të debitimit direkt (direct debit), duke eliminuar kështu pritjen në radhë të gjata, si dhe për të shmangur vonesa në pagesa dhe penalizimin me kamatëvonesë për to. Për klientët, të cilët nuk kanë mundësi për të paguar në total detyrimin e akumuluar, CEZ ka mundësuar lidhjen e një akt-marrëveshjeje me pagesa pjesore dhe zgjatjen e afatit të pagesës. Këto akt-marrëveshje mund të realizohen në të gjitha qendrat e kujdesit ndaj klientit. CEZ Shpërndarje është gjithmonë në kërkim të mënyrave të reja të pagesave të faturës të energjisë, që do ta bënin më të lehtë këtë proces për klientët tanë.
Çfarë ndodh me klientët që nuk paguajnë faturat e energjisë, pra me debitorët?
Pagesa në kohë e faturës së energjisë është një detyrim ligjor dhe mosshlyerja në kohë e detyrimeve mund të çojë deri në ndërprerjen e energjisë elektrike. Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë se në bazë të kontratës së re për furnizimin me energji elektrike, kamatëvonesa për çdo ditë vonesë është 0.1% e vlerës totale të faturës së energjisë. Në rast se një klient nuk likuidon brenda afateve të përcaktuara, ne ndërmarrim disa hapa për ti rikujtuar pagesat e faturave të energjisë elektrike.
Çdo klient, i cili ka regjistruar numrin e celularit në sistemin tonë të faturimit, njoftohet me SMS për shumën totale të faturës së muajit dhe i dërgohet një rikujtesë për pagesën e saj brenda afateve. Paralelisht, të gjithë klientët, të cilët janë regjistruar në shërbimin e-bill, njoftohen edhe nëpërmjet postës elektronike.
- Në rast se abonenti nuk e ka likuiduar ende faturën më të fundit (31 deri në 60 ditë nga afati i likuidimit), i dërgohet një kujtesë për pagesën e faturës, duke e rikujtuar që mospagesa në kohë është subjekt i kamatëvonesës prej 0.01% në ditë të vlerës totale të faturës.
- Në rast se abonenti është debitor për dy ose më shumë fatura, i dërgohet një kujtesë e dytë për shlyerje detyrimesh brenda 48 orëve. Në të njëjtin njoftim, abonenti informohet se nëse detyrimi nuk shlyhet brenda 48 orëve nga marrja e njoftimit, ai do të jetë subjekt i ndërprerjes së menjëhershme të furnizimit me energji elektrike.
Për njoftimin e debitorëve, departamenti i arkëtimeve përdor edhe databazën e numrave të telefonit të abonentëve për ti telefonuar dhe komunikuar debinë përkatëse. Gjatë telefonatës, klientët debitorë orientohen gjithashtu për skemat dhe mundësitë e pagesës. Pagesa e faturës së energjisë elektrike jo vetëm që ndihmon kompaninë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, por edhe shmang kostot e tepërta që sjell kamatëvonesa.
Çfarë ndodh në rast se klienti i injoron të gjitha njoftimet paraprake?
Në rast se klienti nuk reagon edhe pas njoftimit, 48 orë më pas procedohet me ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike. Kjo realizohet në nëpërmjet departamenteve përgjegjëse të kompanisë si dhe në bashkëpunim me kompani të jashtme private të kontraktuara nga CEZ Shpërndarje. Këto kompani operojnë gjithashtu edhe me lajmërimet nëpërmjet SMS-ve, e-mail-eve dhe telefonatave, si dhe me ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike dhe rilidhjen pas pagesave nga ana e klientit, i cili në të gjitha rastet udhëzohet të drejtohet për pagesat pranë qendrave të kujdesit ndaj klientit.
Gjithashtu, që nga nëntori i vitit të kaluar, kompania CEZ Shpërndarje ka nisur bashkëpunimin me kompanitë private të Përmbarimit për ekzekutimin e urdhrave ekzekutivë, lëshuar nga gjykatat e rretheve përkatëse për klientët debitorë. Në bashkëpunim me 10 kompani private përmbarimore, ky projekt po zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe deri më sot janë ekzekutuar me dhjetëra urdhra. Çdo muaj, kompania çon në gjykata rreth 5 6 mijë raste për klientët debitorë, që përfshijnë klientë familjarë, privatë, buxhetorë e jobuxhetorë. Në bazë të kontratës së furnizimit me energji elektrike, kompanisë CEZ Shpërndarje i lind e drejta që ta zgjidhë atë në mënyrë të njëanshme, në rast se nuk respektohen detyrimet kontraktuale.
Çfarë skemash ofron CEZ Shpërndarje për ata klientë që nuk kanë mundësi ta paguajnë të gjithë debinë menjëherë?
Në rast se klientët nuk mund të likuidojnë menjëherë të gjithë vlerën e detyrimit, përfshirë këtu edhe kamatëvonesat, në bazë të debisë që ata mbartin, u paraqesim skemën tonë të pagesës me këste të detyrimeve, e cila varion për subjekte private apo familjare, apo edhe nga vlera e detyrimit të përfshirë. Pasi të dyja palët bien dakord për skemën e pagesave, nënshkruhet një marrëveshje për pagesa të pjesshme, e cila duhet të respektohet.
Çfarë ndodh nëse klienti nuk është korrekt në pagesën e kësteve?
Në rast se abonenti nuk i përmbahet skemës së akt-marrëveshjes, kontaktohet për ti rikujtuar pagesën e këstit të radhës, e nëse vazhdon të mos likuidojë, procedohet me ndërprerje të menjëhershme të energjisë elektrike. Në të njëjtën kohë, kjo marrëveshje nuk është më e vlefshme dhe klienti nuk ka më të drejtë të hyjë në akt-marrëveshje pas mospërmbushjes së kësaj të fundit.
Nëse në një zonë të caktuar do të ketë një numër të ulët familjesh apo biznesesh që nuk e paguajnë energjinë, CEZ do të marrë masa ndaj gjithë zonës apo vetëm ndaj këtyre subjekteve?
CEZ Shpërndarje asnjëherë nuk ka marrë masa penalizuese, siç janë ndërprerjet e energjisë ndaj një komuniteti për faktin se një anëtar i këtij komuniteti është i papërgjegjshëm. Çdo njeri është përgjegjës për faturën e vet të energjisë, për konsumin e vet mujor dhe sigurisht që çdo njeri është përgjegjës për penalitetet që vijnë nga mospagesa në kohë e faturës së energjisë. Prioritet për CEZ Shpërndarje mbeten klientët e rregullt në pagesa. Pavarësisht nga zonat se ku jetojnë, të gjithë klientët që nuk i paguajnë detyrimet janë subjekt për ndërprerjen e furnizimit me energji. Departamenti i arkëtimeve, në vijimësi do të ndërmarrë fushata të arkëtimeve në mbarë vendin.

Komuna Kolsh bllokon zyrat e CEZ
Djegia e një transformatori ka lënë prej disa ditësh pa energji banorët e komunës Kolsh. Të irrit

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›