Ekonomia, një betejë që mazhoranca po e fiton 9 muaj para zgjedhjeve
Kjo mazhorancë e gjen veten mes shumë surprizash të mira. Në një periudhe kur ekonomia jonë është në stanjacion e ku ajo e mbarë botës është në faza kritike diku e në faza falimentimi të plotë diku tjetër, mazhorancës tonë i ofrohen kontrata me vlera të paparashikuara. Oferta prej 850 milionë Eurosh për privatizimin e Albpetrolit ishte një nga lajmet më të mira që mund të merrte kjo qeveri. Në çastin kur po mungonin investimet e mëdha dhe kur shqiptarët po ndjenin efektin e një varfërimi gradual vjen lajmi për shtimin e 850 milionë Eurosh në arkën e shtetit. Në një perspektivë që nuk ishte shumë premtuese e ku asnjë nuk kishte pritshmëri tjetër përveç se privatizimit të Albpetrolit, brenda një shume që nuk do ti kalonte të 300 milionë Eurot. Kjo surprizë ia “lë kokën lart qeverisë” për të bërë premtime dhe për t’i mbajtur ato sidomos tani që jemi në prag të një viti elektoral. 850 milionë Euro do të vihen në shërbim të investimeve për shtrime rrugësh, rritje pagash e pensionesh, dëmshpërblime për ish të përndjekurit, larje borxhesh, investime në çdo sektor por sidomos në atë të arsimit, shëndetësisë dhe ekonomisë. Kjo ofertë ishte një injektim që i duhej ekonomisë sidomos në kushtet e një “parehatie të përgjithshme”, ku mjedisi jo i mirë ekonomik përkeqësohej dhe nga qendrimi politik i opozitës. 2 forcat më të mëdha në vend deri diku në heshtje por më shumë nëpër deklaratat për shtyp i shpallën luftë njëra-tjetrës për atë që duket se do të jetë beteja për zgjedhjet e vitit 2013: Ekonomia. Qeveria me këtë “thesar” do të shlyejë detyrimet ndaj kompanive private që kanë realizuar vepra publike dhe pjesa tjetër do te shkojë për investime, këtë e ka konfirmuar edhe vetë Ministri i Financave Ridvan Bode pak ditë më parë. Ky proces privatizimi me gjithë kohëzgjatjen e tij në kohë të paktën maksimizoi vlerën e vet. Por çfarë do të ndodhte nëse Albpetroli do të vazhdonte të funksiononte si një kompani shtetërore? Me siguri do të kishim më pak investime publike sepse ky kapital do të kishte nevojë dhe me të drejtë nga ana e një kompanie që do ti nevojitej teknologji dhe para. Mbajtja e Albpetrolit do të kërkonte teknologji të lartë dhe shumë risk për të funksionuar si duhej, risk që qeveria jone nuk mund t’ia lejojë vetes dhe kapital shumë i madh për një vend shumë të vogël që ka nevoja të tjera parësore për të mos u përfshirë në një krizë që më pas s’do të kishte krye. Me këtë privatizim qeveria mund të kryejë një frymëmarrje më të lirshme për të zgjidhur një e nga një të gjitha të gjitha problemet që i shtrohen një shteti që është drejt hapave të konsolidimit të tij të plotë, që është në hapat e rikuperimit të plotë të gjurmëve jo të mira që kanë lënë qeverisjet e mëparshme, drejt një rrugë që patjetër dhe me çdo kusht duhet të na çojë drejt anëtarësimit në BE.
Pra çdo e ardhur në arkën e shtetit na çon drejt një hapi më tej. Të gjitha dilemat për këtë privatizim na çojnë në fakt përballë një kapitali të cilin shteti shqiptar nuk do mund ta përballonte për ta mbajtur në këmbë Albpetrolin. Shfrytëzimi i mirë i kompanisë merr zgjidhje me këtë privatizim. Dilema tjetër na çon përballë teknologjisë të cilën as këtë s’e zotërojmë. Dhe dilema e fundit na çon përballë pyetjes: A është kjo një shitje? Në fakt jo, sepse marrëveshja mes Albpetrolit dhe Bankers u lidh në vitin 2004 atëherë kur socialistët ishin në pushtet. Prandaj në thelb të gjithë jemi të një mendjeje.