“Bllokimi i rregullores parlamentare, sajesë e PS për bllokimin e integrimit”

Flet Jemin Gjana, bashkëkryetar i komisionit të Reformës Parlamentare
Në një intervistë për gazetën “55”, bashkëkryetari demokrat i Komisionit për Reformën Parlamentare Jemin Gjana flet për punën e zhvilluar deri më tani për të ndryshuar rregulloren e Kuvendit dhe statusin e deputetit, për mënyrën sesi duhet të votohen emërimet për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj kushtetuese. Për Gjanën, PS-ja nuk firmos ndryshimet e rregullores së re parlamentare nëse nuk plotësohen kushtet e saj. Sipas tij, edhe në këtë rast kemi të bëjmë me sajime për të bllokuar procesin integrues, siç po ndodh edhe me Ligjin për Gjykatën e Lartë. Deputeti demokrat Gjana nuk lë pa përmendur arritjet e mazhorancës në reforma dhe shprehet sesi PD-ja duhet të kërkojë një mandatë të tretë
Marrëveshja e arritur nëntorin e kaluar mes opozitës dhe mazhorancës në një pikë të saj parashikonte ndryshime në rregulloren e Parlamentit. Konferenca e Kryetarëve ngriti grupin e punës për të ashtuquajturën reformë parlamentare. Ju si bashkëkryetar i këtij grupi pune a mund të në thoni në cilën fazë ndodhemi aktualisht?
Grupi i punës e ka mbyllur aktivitetin e tij në maj, sipas mandatit të dhënë nga Konferenca e Kryetarëve dhe ka pasur një shtyrje të mandatit pasi nuk mundëm t’i mbyllnim detyrat e përcaktuara në kohë. Dhe bazuar në tagrin që ka grupi i punës, sipas asaj që ka përcaktuara konferenca e kryetarëve, në objektivat që ka, ne kemi përmbushur të gjitha propozimet dhe shqetësimet që janë parashtruar kryesisht nga opozita. Ne i kemi shpjeguar ato në amendamente të bazuara gjithmonë në modelin e rregullores së Parlamentit Europian. Realisht janë 25 amendamente që janë përgatitura për rregulloren e parlamentit, që në fakt është në nivelin e ligjit, por në fakt është vendimi kuvendi. Pastaj kemi dhe dhjetë amendamente kryesisht për ligjin e statusit të deputetit, që janë ndryshime dhe përmirësime që lidhen dhe me ndryshimet me Kodin Zgjedhor, që janë ndryshime nga sistem mazhoritar në proporcional.
Megjithatë janë dy pika që PS dhe opozita ka këmbëngulur fort. Së pari kufizimi apo barazimi i kohës së kryeministrit në parlament me kreun e opozitës dhe së dyti me mënyrën e votimit të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë dhe asaj Kushtetuese. Dhe është këtu ku vullneti politik ka çaluar…, apo jo?
Janë dy çështje të cilat vazhdojnë ta mbajnë të bllokuar dhe kanë mbetur të pa kaluar në procedura parlamentare këto amendamente. Opozita kërkon që të barazojnë kohën e kryeministrit në çdo ndërhyrje të pasohet nga kryetari i grupit parlamentar të opozitës. Ne e kemi bërë të qartë që çështja interferon në dispozitat kushtetuese. Me Kushtetutë kryeministrit i jepet e drejta të marrë fjalën, në seancat parlamentit, sa herë ta kërkojë dhe për aq sa kohë i duhet. Ndërsa PS-ja kërkon që në rregullore të shtohej që pas sa herë kryeministri kërkon fjalën duhet t’i jepet dhe kryetarit të grupit parlamentar të opozitës.
Po për të zgjidhur këtë çështje, a janë konsultuar rregullore, praktika dhe Kushtetuta të vendeve Europiane?
E para, barazimi i kohës së kryeministrit me kryetarin grupit parlamentar të opozitës nuk ka asnjë Kushtetutë që këtë ketë një dispozitë siç e kërkon opozita. Por edhe sikur ta mendojmë se ka, ne duhet të zbatojmë Kushtetutën e vendin tonë. Së dyti, tagri i këtij komisioni është i përcaktuar nga konferenca e kryetarëve dhe nuk mund të merret me interferimet që kërkojnë ndryshime dhe interpretime të neneve të Kushtetutës. Por praktika e tyre kohëve të fundit ka treguar se e kanë për lojë këtë.
Pse mendoni kështu?
Sepse ata paraqitën disa propozime për ndryshime në Kushtetutë, në të cilën kërkuan që rregulloren e parlamentit kërkojnë ta bëjnë me shumicë të cilësuara. Një praktikë që nuk është asgjëkund. Madje ka jo pak vende që rregulloren e kuvendit e miratojnë në çdo mandat parlamentar. Pra, secila legjislaturë miraton dhe harton një rregullore të saj për ato katër vite. Sigurisht disa principe mbeten ndërsa të tjera jo. Kurse PS-ja kërkon ta bëjë ligj me shumicë të cilësuar (84 vota). Në qoftë se do ta kishin seriozisht kërkesën duhet të bënin propozime për ndryshime në Kushtetutë dhe ta sillnin për ta diskutuara. Miratohej apo jo, kjo është një çështje tjetër. Ligjvënësi, hartuesit e Kushtetutës, ekspertiza që është marrë atëherë nuk e ka harruar por është Ekzekutivi dhe Legjislativi, që janë dy pushtete në vete. Dhe kushtetutë i ka dhënë përfaqësuesit të Ekzekutivit, pra kryeministrit, një të drejtë që s’mund të japë dhe nuk mund ta këtë të njëjtë me palën që përfaqëson Legjislativin. Kryetari i grupit të opozitës ka të drejta dhe kompetenca e mundësi ligjore për seancën plenare dhe aktivitetin parlamentar të barabartë me kryetarin e grupit parlamentar të shumicës, të mazhorancës. Pra e kreu i grupit të opozitës e ka homologun e tij. Dhe nuk mund të homologohet në aktivitetin parlamentar rolin e Kryeministrit si përfaqësues i Ekzekutivit me kryetarin e njërës palë në Legjislativ.
Një çështje tjetër është ajo e mënyrës së votimit së emërimit të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë dhe asaj Kushtetuese. Dallimi mes votimit të hapur ose votimit në mënyrë të fshehtë në parlament, a duhet të jetë dhe për dekretet e presidentit të Republikës…?
Ne e kemi bërë të qartë që çështje është principiale, parimore: ne votojmë dekretin e Presidentit në Kuvend. Ndërsa për emra të përveçëm në poste të ndryshme si (guvernatori i Bankës së Shqipërisë, dhe dhjetëra funksione të tjera) ne i votojmë në mënyrë të fshehtë. Në këtë rast në votojmë për dekretet e Presidenti dhe dekretet e kreu të shtetit janë me votim në të hapur. Me dekretet ne emërojmë dhe shkarkojmë ministra apo gjithë qeverinë në fillim të mandatit. Së dyti duhet të thuhet edhe një gjë tjetër, precedentët e krijuar të japin shtysë për të reaguar dhe reflektuara në aktivitetin parlamentar. Herë pas herë disa precedentë kanë treguar që ka pasur “pazare” politikisht apo jo politikisht brenda sallës së Kuvendit, por deputeti duhet të jetë i identifikuar sepse mban një qëndrim dhe jo një tjetër një “x” çështje. Është një obligim që deputetët përballë problematikës së gjyqësorit të jenë sa më transparentë: po votoj pro ose kundër atij. Ndërsa vota e fshehtë mbetet gjithmonë e pashpjegueshme.
Besoj se duke pasur këto qëndrime parimore të ndryshme, çështja e rregullores parlamentare sipas asaj që është përcaktuar nga konferenca e kryetarëve ka mbetur pezull, edhe pse ajo është një prej rekomandimeve të BE?
Rregullorja ka mbetur pezull sepse ata nuk kanë pranuar që të firmosin materialin e amendamenteve në pjesën që kemi bërë, te rregullorja dhe statusi i deputetit, dhe mbi këtë bazë të operojmë dhe të futet në procedurat parlamentare. PS-ja ka thënë nuk firmosin nëse nuk pranoni këto dy kushte. Këtu kemi të bëjmë me sajime për të bllokuar procesin integrues, siç po ndodh edhe me Ligjin për Gjykatën e Lartë, këto janë detyrime dy fish sepse nëse nuk bëhet ligji për Gjykatën e Lartë nuk bëhet funksional ligji “për Gjykatën Administrative”.
E gjitha kjo a mos ka lidhje me faktin që kemi në vitin e quajtur “elektoral”, që i mbajnë partinë në pozicione të ndara, ku çdo lëshim duket si humbje?
Sigurisht që jemi në vitin elektoral. Por besoj nuk është çështje partish. Problemi është te standardet te ligjet sigurisht që forcat politike kanë programet, por atje ku domosdoshmëria është për të pasur një kohezion më të madh sesa shumica e thjeshtë në parlament, detyrimet e palëve duhet të jenë jo në funksion të lojës politike, duke projektuar vetën në zgjedhjet e radhës, por është një detyrim që ka vendi për të plotësuar në raport me procesin e integrimit qoftë në raport me zhvillimet e brendshme.
Sipas agjencive të lajmeve që kanë lexuar një pjesë të raportit, vendi do të marrë statusin e vendit kandidat. Kam një pyetje të fundit: Me çfarë bilanci shkon PD-ja në zgjedhjet parlamentare të 2013 duke pasur parasysh jo vetëm mandatin e dytë, por dhe vijueshmërinë e mandatit të parë?
Unë besoj se në një analizë krahasuese dhe me një analizë të detajuar, megjithëse në asnjë vend nuk është e lehtë të kërkohet një mandat i tretë nga një mazhorancë, ndonëse maxhorancës aktuale i lind një e drejtë, e drejta të synojë një mandate të tretë të bazuar në rezultatet me çfarë është arritur në dy mandate e fundit qeverisëse. Mund të veçojmë nga një shumësi çështjesh, por do të veçoja së pari zhvillimet në infrastrukturën e vendit, që janë një kapërcim i jashtëzakonshëm i jo i dy mandateve, apo dy dekadave, por i shumë dekadave prapambetje të akumuluar. Shqipëria mund të ketë qenë një nga vendet e vetme të në rajon që ka trashëguar deri në 2005, një infrastrukturë rrugore nga më të këqijat. Së dyti investimet në sektorin e energjetikës, me investimet kryesisht private, për shembull HEC i Ashtës apo i Kalivaçit, investime në Petroliferën e Vlorës, investimet në qindra koncesione për hidrocentrale që janë gur i fortë për qeverisjen në pavarësinë energjetike. Sepse nuk duhet të harrojmë problemet që kemi me energjinë elektrike, në lidhje me furnizimin dhe shpërndarjen, jo vetëm të qytetarëve por dhe bizneseve. Ne sot po ecim drejt rritjes së burimeve energjetike. Së treti reformat të bërë bë sistemin fiskal, Shqipëria është duke u marrë si shembull për reformat e saj të uljes së barrës fiskale. politikat që kanë synuar një shtrirje sa më të madhe të bazës së barrës fiskale, në shifra më të ulëta, rreth 50 për qind më të ulëta se në 2005, ndërsa janë shumëfishuar të ardhurat. Gjithashtu reformat qe janë ndërmarrë dhe do të ndërmerren ndaj klimës së biznesit apo reduktimin e mëtejshëm të lejeve dhe licencave, apo pengesave burokratike. Sot ka lehtësira për të regjistruar biznesin. reduktimi me dy të treta të lejeve dhe licencave dhe koncentrimi të segmenteve të kontrollit, pra inspektorateve, çka kanë rritur investime edhe ato të jashtme që kanë arritur në 3 miliardë dollarë investime të huaja. Reformat në shëndetësi, arsim apo bujqësi ku pasur përmirësim të ndjeshëm në plotësimin e produkteve të përditshëm. Gjallërimi në ekonomi me trefishimin e eksporteve tregon për një ekonomi të shëndetshme. Në një pamje makro të ekonomisë shqiptare mund të konstatosh rritje, kur vende jo vetëm që nuk kanë rritje ekonomike, por kanë stopim ose rënie me minus. Ne jemi nga të paktat vende që kemi rritje ekonomike. Të gjitha këto janë gurë të fortë të cilët qeveria dhe mazhoranca dhe aleatët na japin dritë jeshile për të kërkuar një mandate të tretë.
Intervistoi: Lavdrim Lita