E Diel, 1 Nëntor 2026

Eksperiment i ri, lëndë me zgjedhje dhe në 9-vjeçare

Kjo është një nga risitë e draftit që ka përgatitur ministria e Arsimit. Zv. ministri Halit Shamata në një intervistë për AS, thotë se krahas lëndëve bërthamë, që janë të detyrueshme, nxënësit do të mund të zgjedhin edhe lëndë të tjera. Tashmë po punohet thotë Shamata për ndryshimin e kurrikulave në arsimin bazë.

"Deri më tash ne kemi një strukturë kurrikulare, bërthamë dhe me zgjedhje në gjimnaze. Tashmë kjo strukturë lëndësh bërthamë, dhe lëndë me zgjedhje individuale do të futet në gjithë sistemin parauniversitar. Të përzgjedhin lëndë në përputhje me përmbushjen e kurrikulës. Pra, lëndë bazë bërthamë janë një, dy e tre, si në gjimnaze. Kanë të drejtë dhe ata të përzgjedhin dhe kjo është një qasje evropiane dhe strukturimit të kurrikulës", tha Halit Shamata, zv. ministër i Arsimit. Shamata thotë se një nga ndryshimet e draftit do të jenë dhe rishikimi i teksteve. Për të shmangur ngarkesën në shkollat 9-vjecare, do të bëhet e mundur që disa tekste që kanë lidhje me njëra-tjetrën të shkrihen në një.

"Do të shkojmë drejt asaj që të  mos kemi disa tekste në fushën e shkencave siç janë kimia, fizika biologjia etj, por të kemi një tekst të integruar. Do të thotë që programet në shkollat e larta, sepse çdo ndryshim i sistemit, çdo reformë e rëndësishme nuk prek vetëm sistemin parauniversitar, po prek sistemin arsimor në tërësi, që programet e studimit në shkollat e larta, mësuesit që prodhojnë shkollat e larta, publike dhe private që ofrojnë mësuesi, duhet të jenë mësues me kompetenca të integruara, që të japin disa lëndë", tha Shamata.

 Drafti për arsimin parauniversitar po diskutohet ditët e fundit nga të gjitha grupet e interesit. Në qendër është vënë ndryshimi kryesor, ai i shtimit edhe me një vit të arsimit fillor, i cili tani do të shkojë në 6 vjet. Shumë shpejt drafti do të jetë pjesë e diskutimit të komisioneve parlamentare. /Start/

                                                                                             2012-02-27 14:52
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›