E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertë të huaj për pagat e policisë

Një grup pune do të rivlerësojë nivelin e rrogave, me qëllim përmirësimin e tyre

Policia e Shtetit do të rivlerësojë pagat e gjithë punonjësve, me qëllim përmirësimin e tyre. Kjo do të bëhet pas një studimi nga një grup pune, që pritet të realizohet deri në muajin qershor. Madje, për këtë do të kërkohet edhe ndihma e ekspertëve të huaj, me qëllim krahasimin e pagave të policisë shqiptare me ato të homologëve të Europës.

Niveli i pagave të punonjësve të policisë gjithmonë është kritikuar si tejet i ulët dhe ka pasur pakënaqësi nga i gjithë efektivi. Edhe me rritjet e qeverisë, ato ende mbeten në nivele të ulëta, duke lënë hapësira që punonjësit e policisë mos të jenë dhe aq të motivuar në punën e tyre. Por, buxheti i shtetit për pagat e policisë nuk ka qenë aq “dorëlëshuar” për oficerët e ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike. Për ta arritur një gjë të tillë, me qëllim që të japin edhe argumente bindëse, një grup pune brenda policisë do të bëjë një rivlerësim pagash. Sipas të dhënave, në këtë rivlerësim do të ndihmojnë edhe përfaqësuesit e huaj pranë policisë shqiptare. Ndihma e tyre do të jetë pikërisht për të bërë krahasimet mes pagave të policisë në vendin tonë dhe në vendet e ndryshme të Europës, qoftë edhe ato në zhvillim. Sipas të dhënave të besueshme nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ekspertët e huaj do të shikojnë nivelin e pagave të uniformave blu, krahasuar me nivelin e jetesës në vendin tonë dhe më pas do shikohen ndryshimet me vendet e tjera. Nëse rezulton se do të ketë diferenca, ku specialistët shqiptarë shprehen të bindur për këtë, atëherë, do të studiohet një plan se si t’u rritet paga punonjësve të policisë shqiptare.

Në lidhje me mënyrën e rivlerësimit, burimet shpjegojnë se do të jetë një studim i detajuar, pasi mund të ketë funksione që kanë nivel page të lartë në krahasim me vendet e tjera, ndërkohë që mund të ndodhë edhe e kundërta. Grupi i punës do të shikojë gjithë këto diferenca dhe do mundohet që të përshtatë pagat me atë buxhet aktual, përafërsisht me nivelet jashtë vendit tonë. Veç kësaj, grupi i punës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nëse do ketë nevojë për rritje të buxhetit të pagave të policisë, fillimisht do të shikojë mundësinë që ta kryejë këtë veprim, duke tentuar të zgjidhë problemin me fondet brenda Buxhetit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Kjo do të kryhet duke studiuar shpenzimet në zërat e ndryshëm të buxhetit të policisë për të hequr pjesë prej tyre dhe t’i shtojnë në buxhetin e pagave për 6-mujorin e dytë të këtij viti. E gjitha kjo do të kryhet nën monitorimin e ekspertëve të huaj, por që u jep entuziazëm punonjësve të policisë për rritjen e pagave të tyre.

Nëse policia nuk do të arrijë që të krijojë fonde shtesë brenda buxhetit të saj për pagat, atëherë një projekt i detajuar dhe me argumente do i dërgohet Ministrisë së Brendshme dhe nëpërmjet qeverisë të miratohet një buxhet i ri për pagat e punonjësve të policisë. Gjithashtu, policia po shikon edhe mundësinë e ndryshimit të vendimit të qeverisë për vjetërsinë në punë. Sipas të dhënave, deri tani ata paguhen vetëm për vjetërsi në gradë dhe jo vjetërsi në punë, ashtu siç paguhet e gjithë administrata shtetërore. Sipas specialistëve të financës, pavarësisht se një punonjës policie ka mbi 20 vjet punë në polici dhe vetëm 4 vjet që i njihet grada, ai paguhet për një vjetërsi prej katër vjetësh, duke i mohuar vjetërsinë në punë. Ata shpjegojnë se kjo metodë i është bërë vetëm policisë, ndërkohë që ajo tashmë nuk është forcë e armatosur, por pjesë e administratës e duhet të përfitojë, ashtu si gjithë të tjerët.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›