“Zgjidhja e konfliktit, ekzistenca e dy shteteve, Izraeli dhe Palestina”

Krerët e shtetit takojnë Ministrin e Punëve të Jashtme të Autoritetit Kombëtar Palestinez, Rijad Al-Maliki
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Autoritetit Kombëtar Palestinez, Rijad Al-Maliki dhe delegacionin që e shoqëronte.
Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen në vendin tone Ministrit të Jashtëm palestinez Al-Maliki, duke shfrytëzuar rastin që të përcillte përshëndetjet e tij më të përzemërta për Presidentin palestinez Mahmud Abaz dhe Kryeministrin palestinez Salam Fayyad.
Kreu i qeverisë Berisha nënvizoi se kjo vizitë është një dëshmi dhe një kontribut i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat.
Ministri i Punëve të Jashtme të Autoritetit Kombëtar Palestinez, Rijad Al-Maliki falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve si dhe mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë zhvillimit të vendit të tij dhe procesit të paqes në Lindjen e Mesme, në dobi dhe të paqes globale.
Kryeministri Berisha nënvizoi se Shqipëria vlerëson se zgjidhja më e drejtë e konfliktit është ekzistenca e dy shteteve Palestinë dhe Izrael, e cila do të krijojë bazat më të mira për një paqe të qëndrueshme në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme, si dhe shprehu dhe një herë mbështetjen nga ana e Shqipërisë, të çdo përpjekjeje të zgjidhjes së çështjes së paqes, në Lindjen e Mesme, nëpërmjet dialogut dhe negociatave, duke theksuar se kishte bindjen se me përpjekjet e autoriteteve të të dy vendeve dhe me mbështetjen e faktorit ndërkombëtar do të arrihej një zgjidhje afatgjatë, në interes të paqes dhe prosperitetit të të dy vendeve mike.
Topalli-Al Maliki
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i shprehu dje bashkëbiseduesit të saj të Autoritetit Palestinez, ministrit të Punëve të Jashtme, Riyadh Al-Malki, se paqja dhe siguria në rajonin e Lindjes së Mesme janë jetike për ekzistencën e harmonisë dhe stabilitetit mes dy vendeve atje. Kryeparlamentarja shqiptare, vuri në dukje se Shqipëria, tashmë anëtare e NATO-s është në koordinim të plotë me qëndrimet e Alenancës dhe BE-së, për çështjet e paqes dhe sigurisë në rajon e më gjerë.
Nga ana e tij, Riyadh Al-Malki, shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Shqipëria ka dhënë për procesin e paqes në Lindjen e Mesme.
Ai i përcolli Kryetares së Kuvendit përshëndetjet e përzemërta nga Kryetari i Parlamentit të Palestinës, si dhe dëshirën dhe ftesën për një vizitë të afërt zyrtare të saj në Palestinë.
Duke pranuar me kënaqësi këtë ftesë, Kryetarja e Kuvendit e cilësoi vizitën e Al-Malki si historike, pasi është e para e këtij niveli pas 20 vitesh.
Do të ishte kënaqësi e imja, tha ajo, të rikthehem në Palestinë, pasi ruaj kujtime shumë impresionuese nga momentet kur, para disa vitesh kam qenë e angazhuar si vëzhguese e KE-së në zgjedhjet në vendin tuaj.
Meta-Al Malki
Edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, u shpreh gjatë takimit të zhvilluar me homologun e tij të Autoritetit Kombëtar Palestinez, Riyad Al-Malki, se paqja në lindjen e Mesme mund të garantohet me respektimin e sovranitetit të të dy shteteve në konflikt, Palestinës dhe Izraelit. Të dy ministrat, gjatë takimit ndanë
së bashku vlerësimin për marrëdhëniet e mira të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Autoritetit Palestinez. Të dy palët shprehën gjithashtu, vullnetin për të zhvilluar më tej këtë bashkëpunim në fushën ekonomike, arsimore dhe kulturore.
Një vend i rëndësishëm gjatë bisedimeve iu kushtua edhe situatës në Lindjen e Mesme dhe kryesisht procesit të paqes në këtë rajon.
Në këtë kuadër, Meta u shpreh se qeveria shqiptare mbështet fuqimisht procesin e paqes në Lindjen e Mesme dhe përpjekjet e Kuartetit në këtë drejtim.
Ai nënvizoi mbështetjen e Shqipërisë për përpjekjet e Autoritetit Kombëtar Palestinez dhe të komunitetit ndërkombëtar për krijimin e Shtetit Palestinez, duke mbajtur në vijimësi qëndrimet e komunitetit ndërkombëtar për krijimin e dy shteteve, me qëllim vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Lindjes së Mesme.
Al-Malki vlerësoi qëndrimin e Qeverisë shqiptare për çështjen palestineze dhe shprehu qëndrimet e Autoritetit Kombëtar Palestinez në lidhje me procesin e paqes në Lindjen e Mesme.
Në fund të takimit, Al-Malki përcolli ftesën për një vizitë zyrtare të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta në Palestinë, ftesë e cila u pranua prej tij.