Ekspertet Dollari do rritet ne 2011-en

"Dollari do të përshtatet më mirë se çdo monedhë në kushtet e ekonomisë ndërkombëtare në vitin e ardhshëm”, deklaroi ish-drejtuesi i Bankës së Rusisë, Alexander Kuptsikevich. “Rrikthimi i ekonomisë amerikane në rritje i ka zhvlerësuar presionet e brendshme inflacioniste.
Bondet që do të japë Rezerva Federale në SHBA do të pësojnë një rritje në numër, ndërsa vendet e huaja do të kërkojnë gjithmonë e më shumë borxhe në dollarë. Euro në këtë moment është një monedhë që ka humbur besueshmërinë, Japonia ka probleme me jenin ndërsa Anglia e ka të vështirë të ruajë kuotën e inflacionit 3% në vend dhe kjo ngre dyshime mbi stërlinën”.
Përsa i përket euros, eksperti financiar rus sheh kohë të vështira përpara: “Pas ndihmës që iu dha Greqisë e Irlandës, një tjetër ndihmë e ngjashme ndaj Portugalisë dhe Spanjës do ta godiste rëndë dinamizmin e ekonomisë dhe likuiditetet brenda eurozonës. Ulja e shpenzimeve në shërbime dhe ritmet e ngadalta të rritjes ekonomike sjellin shumë presione inflacioniste mbi euron”.
Në vitin 2010, ekonomia botërore iu rikthye dinamizmit, ndërsa volumi tregtar u rrit me 12,4% në krahasim me vitin paraardhës. GDP e të gjithë botës së bashku u rrit me 4,7%, por një pjesë e mirë e kësaj është meritë e rritjes së ekonomisë kineze dhe vendeve në zhvillim. Shumica e vendeve të Europës u përballën me rritje negative apo në kufirin e 1% në rastin më të mirë.