Berisha Shkojme krenare drejt 2011-es

Në mesazhin e tij, kryeministri është shprehur se Shqipëria hyn në vitin 2011 krenare pasi gjatë vitit që po lëmë pas ka realizuar një sërë arritjesh të rëndësishme.
“Ne me punën, përkushtimin dhe reformat tona, sonte festojmë më të lirë dhe më me dinjitet sa kurrë më parë. Kjo, sepse ne arritëm që në vitin 2010 të shembim një mur shekullor izolimi por edhe paragjykimesh që na rrethonte dhe të shndërrojmë në realitet një nga ëndrrat më të bukura të jetës sonë, atë të lëvizjes sonë të lirë dhe dinjitoze në mbarë hapësirën europiane”, ka deklaruar Berisha.
Një tjetër arritje sipas kryeministrit, i cili gjithësesi ka pranuar se gjatë 2010-ës janë verifikuar edhe fatkeqësi, ka qenë rritja ekonomike, e cila bëri të mundur rritjen e rrogave dhe pensioneve.
“Gjatë vitit 2010, me mundin, djersën, iniciativën e lirë dhe reformat tona, arritëm që ekonomia jonë dhe në kohën e krizës së rëndë ekonomike të botës të shënojë rritjen më të lartë në Europë. Në Shqipëri gjatë këtij viti, të ardhurat buxhetore u rriten me 8,5%, eksportet me mbi 50%, pra më shumë se kudo tjetër në botë, deficiti buxhetor dhe inflacioni ishin rreth 3%, pra, ndër më të ulëtat e kontinentit. Mbi të gjitha rritja ekonomike bëri të mundur që qeveria shqiptare të realizojë rritjen më të madhe të rrogave, pensioneve në Europë, ndërkohë që shumica e vendeve të tjera për shkak të krizës i uli ndjeshëm ato”, është shprehur Berisha, duke e mbyllur mesazhin me një urim për ëndrrën evropiane.
“Uroj shumë gëzime, mbarësi, shpresë dhe lumturi për të gjithë ju dhe shqiptarët kudo që janë. Uroj arritje të tjera të mëdha në ndërtimin e Shqipërisë europiane”, ka shtuar ai.