E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertet Ndihma kineze rrezik per BE-ne

Ekspertët ndërkombëtarë të ekonomisë deklaruan se Kina është shndërruar në shtetin ku të gjithë vendet europiane në krizë kanë kthyer sytë, por në të njëjtën kohë ata theksuan se ndihma e Pekinit mund të kushtëzojë thellësisht ekonominë brenda eurozonës.

Zëvendëskryeministri kinez Li Kegiang firmosi pak ditë më parë një marrëveshje me vlerë 7,5 miliard dollarë me Spanjën, një shtet që rrezikon të jetë dominoja e radhës që do të rrëzohet brenda BE-së, pas Greqisë dhe Irlandës.

Siç vunë në dukje ekspertët gjermanë në “Sueddeutsche Zeitung”, ndihma kineze nuk ishte pa kushte. “Kegiang kërkoi që të hiqen pengesat për eksportin e teknologjisë së lartë europiane në Kinë, në mënyrë që vendi i tij të jetë më i hapur me botën”, shkruante gazeta, në atë që e interpretonte si një mesazh të qartë.

”Kina është shndërruar në zjarrëfikësin e botës përsa i përket çështjeve financiare. Ata kanë provuar më parë me sukses politikën e tyre në Afrikë, nga ku sigurojnë naftë dhe një sasi të madhe mineralesh. Tani po bëjnë të njëjtën lojë me Europën, por nga kontinenti atyre u nevojitet pikërisht teknologjia dhe hapja e kufijve”, shtoi e përditshmja gjermane.

Kompanitë kineze në Europë e kanë patur të vështirë për t’u zgjeruar, si pasojë e favorizimit të grupeve europiane prej Brukselit. Pekini më parë ndërhyri me një kredi të madhe për Greqinë, në shkëmbim të aksesit në portet e vendit dhe të disa konçensioneve të tjera ekonomike.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›