Ekspertët: Rritja e pagave dhe pensioneve jo elektorale, pjesë e buxhetit të rishikuar
Ekspertët e ekonomisë nuk e shohin me dyshim deklaratën e kryeministrit Berisha që në korrik do të ketë rritje pagash dhe pensionesh. Sipas tyre, ky lajm nuk është i ri, madje nuk është një shpërblim paselektoral për votuesit. Rritja e pagave dhe pensioneve, sipas ekspertëve, është bërë traditë e qeverisë demokratike me rishikimin e buxhetit në pjesën e dytë të vitit. “Rritja e deklaruar nga Kryeministri është indeksim vjetor i pagave dhe pensioneve. Kjo tashmë është bërë një traditë. Madje është parashikuar që në fillim kur është hartuar buxheti i vitit 2011. Prandaj nuk është një risi. Rritja do të ndjekë kurbën e përhershme. Do të pësojnë rritje më të madhe rrogat dhe pensionet e ulëta dhe rritje më të vogël rrogat dhe pensionet e larta, sipas nivelit që do të përcaktohet. Efekti është i pritshëm” - u shpreh eksperti i ekonomisë, deputeti demokrat Selami Xhepa. Në të njëjtën kohë edhe eksperti Artan Gjergji është shprehur se rritja e rrogave dhe pensioneve është parashikuar në buxhetin fillestar të vitit 2011, vetëm se, sipas tij, qeveria duhet të ketë kujdes që rritja të jetë e moderuar. Sipas Gjergjit, financat publike janë në nivel të menaxhueshëm dhe e përballojnë rritjen e parashikuar të rrogave dhe pensioneve, veç duhet të jetë konservatore. Nga ana tjetër, Financat po përgatisin draftin e Buxhetit të Shtetit të rishikuar dhe pritet që ky të jetë gati në fund të muajit qershor. Sipas financave, niveli i të ardhurave paraqitet jo i mirë dhe pritet që buxheti i rishikuar të rezultojë me shkurtime fondesh për disa sektorë, por nuk do të preket zëri i rritjes së pagave dhe pensioneve. Dy ditë më parë, kryeministri Berisha deklaroi në mbledhjen e Grupit Demokrat se qeveria po përgatit, në përputhje me programin e saj, paketën e rritjes së rrogave dhe pensioneve, pasi kjo ka qenë shtylla më kryesore e qeverisjes së kësaj mazhorance, që nga ardhja e saj në pushtet në vitin 2005 dhe do të vazhdojë të mbetet drejtim themelor i punës së saj. Sipas Kryeministrit, për këtë muaj aktiviteti më i rëndësishëm i qeverisë është rritja e rrogave dhe pensioneve, megjithëse do të bëhet duke kontrolluar me lupë të gjitha shpenzimet e tjera dhe nuk do të pranohet që të rritet qoftë dhe një qindarkë borxhi publik. Rritja e rrogave dhe pensioneve është bërë traditë nga qeveria demokratike vitet e fundit. Kjo parashikohet që në hartimin e buxhetit fillestar të vitit dhe niveli i rritjes përcaktohet në bazë të indeksit të inflacionit.