Bursa ndërkombëtare vazhdon të luhatë tregun valutor vendës deri në fund të qershorit
Agjentët valutorë raportojnë se luhatjet e tregut të brendshëm valutor do të përfundojnë në fund të qershorit. Sipas tyre, ardhja e emigrantëve me rastin e pushimeve të verës nuk do të ndikojë në ndryshimin e kursit të këmbimit në tregun e brendshëm, ashtu siç nuk ndikoi edhe në muajin dhjetor, me rastin e festave të fundvitit. Sipas agjentëve valutorë, emigrantët operojnë me monedhën e vendeve nga vijnë kur bëjnë shpenzimet e rastit, por ata nuk këmbejnë më euro si vite më parë, me qëllim investimi në rikonstruksion apo blerje shtëpish dhe pasurish të paluajtshme. Agjentët valutorë parashikojnë që edhe me ardhjen e emigrantëve, euro nuk do të këmbehet me më shumë se 139 lekë. Ndërsa luhatjet e deritanishme të tregut të brendshëm valutor, ata i shpjegojnë me ndikimin e drejtpërdrejtë të bursës ndërkombëtare, pasi, sipas tyre, menjëherë kur guvernatori i Bankës Qendrore Amerikane rriti likuiditetin në treg ra vlera e dollarit dhe u ngrit ajo e euros. Kjo ka reflektuar vazhdimisht edhe në tregun vendës.