E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grosistët e naftës: Po shesim me humbje

SHKRUAN: Blerina Hoxha 27-04-2011 12:13

Bash në mes të akuzave që vijnë nga ekspertët se, tregu i naftës po spekulon me çmimet, duke ofruar vlera më të larta në raport me tregun ndërkombëtar, vjen një reagim i Shoqatës së Hidrokarbureve se, ata janë duke shitur me humbje. Sipas një përllogaritje, duke marrë parasysh çmimin në bursë, deri sa nafta del nga depozitat, sipas njoftimit të grosistëve të naftës, një litër naftë del nga depozitat me kosto 167,97 lekë. Duke marrë në konsideratë edhe vlerat që i shtohen në procesin e shpërndarjes dhe kostove të tjera, kompanitë bëjnë me dije se po shesin me humbje. Por, duke ju referuar madhësisë të dhënave të tatimeve, nafta është një nga tregjet me fitimprurëse në vend dhe grosistët e naftës hyjnë në 20 tatimpaguesit më të mëdhenj. Kështu, sipas përllogaritjeve të grosistëve, duke marrë në konsideratë çmimin 1037,25 në bursë, mbi këtë çmim rafineritë shtojnë fitimet e tyre, që në gjuhën teknike quhen ”prime” mbi çmimin PLATZ, që varion sipas momentit, ngjarjeve, por edhe rafinerive të ndryshme dhe kontratave të lidhura, konkretisht nga 8-25 USD/ton. Transporti detar, nga pikat e prodhimit deri tek portet shqiptare (Petrolifera apo Porto Romano), aktualisht varion nga 28-40 USD/ton, shpjegojnë grosistët. Në llogaritjen e mëtejshme të kostos, sqaron Shoqata, merren parasysh edhe 10 USD/ton shpenzimet portuale, 10 USD/ton janë shpenzimet e përpunimit, ruajtjes në depozitë dhe tarifat e tjera si ajo e mjedisit, e zjarrfikëses, e peshëmatjes etj, etj. “Kjo do të thotë se një ton naftë, tani kushton 1099,74 USD. Pra ky është çmimi me të cilin nafta hyn në depo’, sqarojnë grosistët në njoftimin e tyre për mediat. Nga ana tjetër, detyrimet doganore llogariten me çmimin e bursës, pra duke përfshirë edhe transportin dhe janë të llogaritura duke marrë në konsideratë, kursin e dollarit 97,2 lek/USD, janë të barabarta me 106.434 lek/ton. “Këtij çmimi duhet t’i shtojmë 37 lek/litër- taksa e akcizës ose 44.400 lek/ton akcizë, 3 lek/litër- taksën e karbonit, ose 3600 lek/ton, e cila së bashku me vlerën e detyrimeve doganore llogaritet në 154.424 lekë/ton. Tatimi mbi vlerën e shtuar është 30.886, 8 lekë/ton”, sqarojnë importuesit e karburanteve. Në përfundim, duke llogaritur të gjitha vlerat e mësipërme, një litër naftë del nga depozitat me çmimin 167,97 lekë. Kjo është vlera të cilës kompani të ndryshme i shtojnë, amortizimin e depozitave dhe instalimeve, interesat bankare për kreditë dhe overdraftet, TVSH në fazën e dytë të shitjes, transportin nga depozitat deri te pikat e shpërndarjes, zakonisht përbën 2 lekë/litër, shpenzime amortizimi në stacionet e shpërndarjes, shpenzimet administrative. Duke radhitur të gjitha këto kosto, del se në ditë të veçanta kompanitë kanë dalë me humbje nga kjo veprimtari. Por grosistët sqarojnë se, humbjet në të tilla raste amortizohen nga rezerva e sigurisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›