Ekspertët ajrorë: Ndërprerja më e madhe e fluturimeve në histori
Të gjithë aeroportet më të mëdha të Europës kanë vazhduar të qëndrojnë të mbyllura edhe gjatë ditës së djeshme, ndërkohë që masa e madhe e hirit të zi që del në mënyrë të vazhdueshme nga gryka e vullkanit islandez vazhdon të përhapet në jug dhe në lindje të kontinentit. Miliona udhëtarë janë bllokuar aeroporteve dhe qyteteve të Europës, ndërkohë që fluturimet e tyre janë anuluar për të tretën ditë.
Sipas shkencëtarëve islandezë, aktiviteti i vullkanit është rritur dhe nuk po shfaq aspak shenja qetësimi dhe si pasojë kaosi që do të pasojë nga kjo situatë mund të jetë shumë më i madh nga sa mendohej në fillim. Edhe pse sasia e hirit është shtuar, shkencëtarët besojnë se forca e erës do t’i lejojë ata që të fluturojnë në afërsi të grykës së vullkanit. Ata duan që të shohin se sa akull ka shkrirë për të kuptuar se sa gjatë do të vazhdojë erupsioni e si pasojë edhe për sa kohë akoma do të kemi re të trasha hiri nëpër kontinent. Duke qenë se vullkani ndodhet nën një kapuç të trashë akulli, magma ftohet menjëherë, duke shkaktuar shpërthime të njëpasnjëshme dhe të mëdha. Pikërisht ky fenomen shkakton edhe sasitë e mëdha të hirit, të cilat nëse do të hasnin në krahët e avionit do t’i ndalonin së fluturuari. Ky është edhe shkaku kryesor i ndalimit të pjesës më të madhe të fluturimeve me avion nëpër kontinent. Sipas shkencëtarëve, magma kur përzihet me ujin e ftohtë është shpërthyese. Për fat të keq kjo përzierje duket se nuk po ka fund. Kjo situatë ka shkaktuar edhe disa vonesa nga delegacioni i krerëve të shteteve që kanë marrë pjesë në funeralin e Presidentit polak. I pari që njoftoi mungesën e tij për shkak të rrezikut të fluturimit ishte Presidenti i Koresë së Veriut.
Sipas ekspertëve të aviacionit, bëhet fjalë për ndërprerjen më të madhe të fluturimeve në Europë në të gjithë historinë e fluturimeve. Për sa i përket Francës, Belgjikës dhe Zvicrës ato i kanë ndaluar fluturimet edhe gjatë ditës së djeshme dhe nuk do t’i nisin sot pa një njoftim zyrtar. Danimarka dhe Finlanda gjithashtu i kanë mbyllur plotësisht hapësirat aeroportuale, ndërsa Italia e veriut ka mbyllur pjesërisht disa aeroporte dhe ka anuluar disa fluturime, kryesisht ato që ishin drejtuar për në vendet e veriut të kontinentit. Serbia ka mbyllur gjithashtu disa aeroporte në veri të vendit, ndërkohë që shtete të tjera i kanë kufizuar fluturimet në masa të caktuara. Megjithatë të gjithë shkencëtarët janë të sigurt që kjo situatë do të zgjasë të paktën edhe 24 orë të tjera në më të mirën e rasteve. Sipas agjencisë që merret me kontrollin e trafikut ajror, në 38 vende të Europës vetëm gjatë ditës së djeshme janë anuluar në kontinentin tonë 16 mijë fluturime. Zakonisht gjatë një dite në Europë kryhen 22 mijë fluturime.
Vullkani nisi erupsionin e tij të mërkurën dhe që nga ajo ditë hiri i lëshuar prej tij vazhdon të përhapet nëpër qiejt e Europës. Për shumë specialistë të fluturimeve dhe persona që kanë punuar prej vitesh në këtë sektor, kjo është hera e parë që një situatë e tillë bllokimi zgjat për një kohë kaq të gjatë.
#