Një piktor shqiptar në Nicë
Në ditët tona ka shumë artistë shqiptarë, në vende të ndryshme të botës, duke nisur që nga Bashkim Ahmeti, i cili jeton e punon në metropolin e artit botëror, në Nju-Jork, e duke vijuar me Zamir Matin që jeton në Paris, me Artan Shabanin me shokë në Itali e disa piktorë në Greqi. E lista mund të zgjatet edhe më, me emra të tjerë artistësh që jetojnë e punojnë në Europë e në Amerikë. Mund të përmenden edhe shumë artistë të mirënjohur shqiptarë të penelit nga Kosova e Maqedonia, në mes të të cilëve emra të shquar si Omeri në Paris apo Gjelosh Gjokaj në Gjermani.
Ka edhe shumë piktorë, të cilët nuk janë të njohur e për të cilët nuk është shkruar asgjë
Një ndër ta është piktori Paulin Nikolli, i cili prej disa vitesh jeton e punon në Nicë, në atë qytet të bukur të Bregut të Kaltër në jug të Francës, afërsisht në atë zonë ku ka punuar gjeniu fatkeq, Vinsent Van Gog dhe ndoshta piktori më i madh i shekullit të kaluar, Pablo Pikaso.
Paulini është një djalë hollak, me flokë të dendur, rreth 40 vjeç dhe ka një përvojë jetësore të madhe për moshën që ka.
Paulini është nga Lezha, qytet i njohur për poetët dhe piktorët e tij. Në atë qytet të vogël jetojnë pjesëtarët e familjes së tij, në mes të të cilëve dhe i ati, i cili, për shumë vite, ka ushtruar zejen e gdhendësit të drurit, duke nxjerrë nga dora vepra artistike. Paulini, për shumë vite, ka parë të atin duke punuar dhe kjo ka ndikuar që edhe ai vetë të merrej me art.
Në vitin 1990, Paulini kalon kufirin dhe shkon në Greqi. Aty bën gjithfarë punësh të rëndomta. Pasi e sheh se nuk po e rregullonte dot jetën, ai largohet nga Greqia dhe shkon në Itali. Edhe aty nuk lëshon rrënjë. Një ditë prej ditësh mbledh atë grusht plaçkash dhe albumet plot skica e vizatime të ndryshme dhe shkon në Francë. Vendoset afër kufirit italo-francez dhe pikërisht në Nicë, qytet i bukur bregdetar e seli e shumë artistëve të njohur.
Nuk kishte asnjë mbështetje e asnjë ndihmë financiare. Kishte vetëm duart e veta dhe pasionin për të vijuar të merret me pikturë.
Ndërsa rrimë e pimë një kafe në një lokal të Nicës së Vjetër, aty para detit të kaltër, Paulini më tregon për jetën e tij dhe vështirësitë që i është dashur të kapërcejë.
Pikërisht në Nicën e Vjetër, ai gjeti një depo të keqe dhe aty ngriti “atelienë” e vet dhe shtëpinë ku nisi të banojë.
Gazetari francez, Zhyljen Brajstropfer, në një shkrim kushtuar Paulinit, thotë: “Ajo është atelieja artistike më e vogël e krahinës. Brenda ka një shtrat, një tryezë dhe piktura që arrijnë deri në tavan brenda atyre 15 metrave katrorë. Duhet të ulësh kokën kur ndodhesh aty brenda”.
Mbasi nuk ka dritë të mjaftueshme, Paulini pikturon jashtë dhe aty i var veprat. Ai thotë: “Unë i bëj veprat e mia që t’i shohin njerëzit”.
Herë pas here, ai ua shet veprat turistëve që vërshojnë me shumicë në Nicë. Piktura e tij është një përzierje e pikturës naive e gërshetuar me elemente të shkollës dada, duke krijuar figura e peizazhe fantastike. Veprat e tij ndodhen në shumë vende të botës, përveç Francës. Ato i gjen edhe në Gjermani e Japoni, në Brazil në SHBA e në disa vende të tjera.
Nga një martesë fatkeqe, ai ka një vajzë, e cila e do shumë dhe vjen shpesh për ta takuar. Ajo është “bijë arti” dhe ndjek shkollën për t’u bërë aktore.
Paulini nuk merret vetëm me pikturë.
Jo shumë larg Nicës ndodhet qyteti i bukur mesjetar i Avinjonit. Para më shumë se një gjysmëshekulli, aktori dhe regjisori i madh Zhan Vilar, mësuesi i Zherar Filipit, pati organizuar një festival teatri të parvjetshëm në atë qytet të bukur, i cili dikur kishte qenë Selia e Papëve.
Aty vërshojnë trupa jo vetëm nga Franca po edhe nga Rusia, Gjermania, Anglia e vende të tjera.
Vitin e kaluar, pata rastin të ndodhem atje gjatë kohës që zhvillohej festivali dhe vura re se i gjithë qyteti, po sidomos sheshi i madh para Pallatit të Papëve, shndërrohej në një skenë vigane, ku debutonin aktorë, akrobatë, aktorë të pantomimës të kukullave etj. Një pjesë interpretonin pjesë dramatike, të tjerë improvizonin performanca të ndryshme.
E përmenda këtë fakt, pasi në Avinjon ka marrë pjesë dy herë edhe Paulin Nikolli: herën e parë, duke shfaqur një film me metrazh të shkurtër, që e kishte xhiruar me një regjisor francez, kurse herën e dytë kishte debutuar, duke recituar dhe duke pikturuar në të njëjtën kohë, m’u aty në sy të publikut të shumtë që gëlon në atë shesh.
Ekspozimi i veprave te trotuari i rrugës Rossetti i ka krijuar probleme me policinë bashkiake. Ajo i ka kërkuar lejen dhe të shlyente detyrimin, duke paguar taksat.
Para disa muajsh, në depon e vogël ku strehohet artisti, vërshoi policia. Ata, me një urdhër të lëshuar nga forcat e rendit, i sekuestruan 27 vepra dhe materialet që ai përdorte për të pikturuar dhe i çuan në qendrën e policisë.
Ka disa muaj që janë zhvilluar disa gjyqe që Paulinit t’i kthehen veprat e sekuestruara bashkë me materialet e tjera. Shumë artistë dhe intelektualë të qytetit kanë bërë peticione, ku kërkojnë që Paulinit t’i kthehen veprat, këtij “artisti të rrugës”, Një gazetë ka shkruar se “ai është një Robinson Kruzo”. Pra artist i varfër dhe i vetmuar. “Ai, shtonte gazeta, është artist me vlerë, që nuk duhet shpërfillur, pasi është pjesë e shpirtit të Nicës së Vjetër”.
#