Fajdet, 5 milionë USD do transferohen nga Greqia

Grupi Mbikëqyrës i Firmave Piramidale ka dërguar në Athinë, Greqi, tri vendimet e Gjykatës së Tiranës, e cila ka shpallur debitore në firmat piramidale shqiptare disa kompani private greke. Kryeadministratori i fajdeve, Bajram Malaj, tha për gazetën “Shqip” se shteti shqiptar ka kontraktuar në Athinë një studio ligjore për sjelljen në Shqipëri të 5 milionë USD, të cilat janë transferuar në shtetin helen para falimentimit të firmave rentiere VEFA, “Cenaj” dhe “Gjallica”. Kur kanë kaluar rreth 13 vjet nga zhbërja e firmave që i “grabitën” shqiptarëve miliona kursime shteti shqiptar është në udhën e duhur për të sjellë miliona USD të transferua në vendet fqinje.
Fillimisht po punohet me shtetin grek ku një firmë e quajtur “Siontis”, kundrejt një akt marrëveshje (sipas dokumenteve që zotëron Këshilli Mbikëqyrës”), ka marrë tre milionë e gjysmë USD nga shoqëria “Gjallica”, me qëllim ndërtimin e qendrës së biznesit në Vlorë, e cila nuk arriti as të nisë nga themelet, për shkak të trazirave të vitit 1997. Ndërkohë, firma “Sabo”, është nënkontraktuar nga ana e shoqërisë “Gjallica” për ndërtimin dhe sjelljen e pajisjeve për fabrikën e tullave në Vlorë dhe për këtë arsye janë dhënë kesh 2 milionë USD, nga ish-shoqëria “Gjallica”. Lidhur me paratë e sekuestruara të shoqërisë “Cenaj”, është në udhë të mbarë padia civile për “kthimin e sendit në origjinë”. Ndërkohë, problemi për kompaninë VEFA qëndron me një kontrate shitblerjeje, ku kjo shoqëri, ka paguar, kesh në dorë, dy milionë USD për blerjen e një kompleksi turistik të shoqërisë “Poseidon” që ndodhet në jug të Athinës, në brigjet e Pireut.
Grupi mbikëqyrës i firmave piramidale ka dërguar në vendin fqinj tri vendime të Gjykatës së Tiranës që shpallte debitor firmat private greke, ndërkohë shtetin shqiptar në padinë civile do e përfaqësojë një firmë e huaj ligjore.
Tri vendimetGrupi mbikëqyrës i firmave piramidale ka bërë një marrëveshje me studion e huaj ligjore për përfaqësimin e Shqipërisë në padinë civile. Mësohet se studio ligjore do të marrë rreth 20 për qind të shumës që do të transferohet në Shqipëri. Ndërkohë, nga burime pranë grupit mbikëqyrës, do të dërgohen në Greqi tri vendimet e Gjykatës së Tiranës ku firmat private greke janë shpallur debitore në firmat rentiere shqiptare që lulëzuan para vitit 1997. Vendimi i parë i Gjykatës së Tiranës mban numrin 469 datë 6 prill 2010, i cili ka vendosur që të ekzekutohet vendimi i administratorëve mbi shpalljen debitor për shumën 2.000.000 USD, të shoqërisë anonime POSEIDON AE, me adresë “Glifadhe-Attike”, Rruga “Metaksa”, nr.32 Athinë-Greqi.
Në vendimin e dytë thuhet se kërkuesi shoqëria “Cenaj” sh.p.k, përfaqësuar nga administratori, Astrit Qerimi i është drejtuar Gjykatës së Tiranës, me një kërkesë ku në objektin e saj kërkon “lëshimin e urdhrit të ekzekutimit të vendimit të administratorëve mbi shpalljen debitor për shumën 857.204.864 lekë të shtetasit Lefter Qerim Cenaj”. Personi i shpallur debitor nuk ka shlyer detyrimin në mënyrë vullnetare, dhe kërkuesit i lind e drejta për kërkimin e detyrimit me lëshimin e urdhrit të ekzekutimit, pasi ka dyshime se këto para janë në bankat greke.
Në vendimin e tretë thuhet se administratori i pavarur i shoqërisë “Gjallica” sh.p.k. ka paraqitur para gjykatës kërkesën për të shpallur debitore shoqërinë “Desing and Constructions Sionitis S.S Janinë” për shumën 1.700.000 USD.
Këto firma janë shpallur debitore në bazë të ligjit “për nxjerrjen e detyrimeve debitore dhe rikthimin e vlerave pasurore në llogaritë e personave juridike jobankarë që kanë marrë hua nga publiku i gjerë”. Vendimi i mësipërm përbën titull ekzekutiv. Gjykata argumenton se në bazë të Kodit të Procedurës Civile “Ekzekutimi i detyrueshëm mund të bëhet vetëm në bazë të një titulli ekzekutiv. Janë tituj ekzekutivë aktet e tjera që sipas ligjeve të veçanta quhen tituj ekzekutivë dhe ngarkohet zyra e përmbarimit për ekzekutimin e tyre”.
#