E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët e Brukselit çertifikojnë përmbushjen e kritereve për vizat

Pas takimit me ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, ekspertët e misionit faktmbledhës të Komisionit Europian bënë publike konkluzionet e para të misionit të tyre, në të cilin paraprakisht vlerësohet edhe përmbushja e 3 kritereve shtesë, të shpallura në marsin e këtij viti. Gati zyrtarizimi i vendimit për heqjen e vizave

Shqipëria do përfitojë shumë shpejt vendimin e Komisionit Evropian, për liberalizimin e vizave me vendet anëtare të BE-së. Lajmin e dhanë dje ekspertët e misionit faktmbledhës të Komisionit Evropian, të cilët prej dy ditësh ndodhen në vendin tonë, për të parë nga afër progresin e shënuar dhe punën e bërë në drejtim të përmbushjes së kritereve.
“Jemi të kënaqur për progresin që kemi konstatuar për plotësimin e kritereve shtesë të
Komisionit Europian për liberalizimin e vizave. çdo gjë është në rrugën e duhur”, u shpreh shefi i Njësisë së Marrëdhënieve me Jashtë dhe Zgjerimit në Drejtorinë e Përgjithshme për Lirinë dhe Sigurinë të Komisionit Europian Luigi Soreca në takimin me Ministrin e Brendshëm Lulzim Basha.
Soreca shoqërohej në takim nga zëvendësshefi i Njësisë së Marrëdhënieve me Jashtë dhe Zgjerimit Vassilis Maragos dhe kreu i Delegacionit të Komisionit Europian Helmut Lohan.
Përfaqësuesit e Komisionit Europian vlerësuan se është bërë punë shumë e mirë për Strategjinë për Riintegrimin e të Riatdhesuarve, se kanë konstatuar rezultate të kënaqshme në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, narkotrafikut dhe trafikut të qenieve njerëzore si dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të Policisë së Shtetit, e po kështu vlerësuan përpjekjet dhe rezultatet e deritanishme të agjencive ligjzbatuese në fushën e goditjes së aseteve ekonomiko-financiare të krimit të organizuar.
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha u shpreh në takim se qeveria shqiptare, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë vullnetin dhe përkushtimin e plotë jo vetëm për të përmbushur detyrat shtesë të Komisionit Europian për liberalizimin e vizave por edhe për të vendosur në praktikën e punës të institucioneve shqiptare standardet më të larta të Bashkimit Europian.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›