Shkrimtari Fahri Balliu është pritur në kabinetin e tij në Bruksel, nga europarlamentari Eduard Kukan
Ish-ministri i jashtëm i Sllovakisë si dhe kryetari i delegacionit të PE-së për Shqipërinë dhe Kosovën ka vlerësuar kontributin intelektual që shkrimtari dhe botuesi Balliu po jep në këtë fazë të rëndësishme reformash për shoqërinë shqiptare. Duke vlerësuar vlerat njohëse që përcjell monografia për diktaturën “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”, zoti Kukan shprehu besimin se kursi reformator i Shqipërisë shumë shpejt do të kulmonte me marrjen e statusit të kandidatit për në BE. Në takim, zoti Balliu, u shoqërua nga aktivisti i çështjes shqiptare në Belgjikë, zoti Sulejman Gjana
Shkrimtari dhe publicisti Fahri Balliu, themelues dhe botues i të përditshmes “55”, është pritur dy ditë më parë, në Bruksel, në një takim të veçantë, nga eurodeputeti Eduard Kukan, kryetar i Delegacionit për Shqipërinë, Bosnjën, Kosovën, Serbinë e Malin e Zi, në Parlamentin Europian si dhe anëtar i Komisionit parlamentar për Marrëdhëniet me Jashtë. Mjaft i njohur për çështjet e Ballkanit, për shkak se ai ka qenë i dërguar i OKB-së për rajonin në vitet 1991-2001, Kukan ka shprehur vlerësimin e tij të lartë për përparimin e njëmendtë që Shqipëria ka regjistruar vitet e fundit, përparim që po shpërblehet tani edhe me heqjen e regjimit të vizave si dhe me akordimin e statusit të vendit kandidat për në BE. Zoti Balliu, duke i dhuruar me autograf, librin e tij, “Zonja e Zezë, Nexhmije Hoxha” (publikimi në frëngjisht), e falënderoi eurodeputetin Kukan për vëmendjen e vazhdueshme që ka treguar ndaj çështjeve shqiptare si dhe për praninë që ai ka pasur në momente shumë të rëndësishme të bashkëpunimit të Shqipërisë me Parlamentin Europian. Gjatë ekspozesë së tij, zoti Balliu u ndal në përmbajtjen e monografisë së tij për gruan e diktatorit, të cilin botuesi francez e ka përcjellë tek lexuesit me nofkën “Gruaja e Djallit”, duke shprehur besimin e tij se libri do ta ndihmonte zotin Kukan të kuptonte në të gjithë përmasën e plotë, diktaturën komuniste në Shqipëri dhe mekanizmin me të cilin vepronte ajo. Libri ndalet gjerësisht, tha zoti Balliu, edhe te ndikimet që ka ky mekanizëm në stadin aktual të shoqërisë, veçanërisht në pengesat që gjeneron kohë pas kohe, në rrugën e shqiptarëve për rikthim në familjen e qytetërimit perëndimor, bashkëthemelues të të cilit, janë prej më se 2 mijë vjetësh.
Europarlamentari Eduard Kukan veçoi në ekspozenë e vet, njohjen që kishte pasur mbi aktivitetin e shkrimtarit dhe publicistit Balliu, duke lexuar një interviste të gjatë që para një muaji, ai kishte dhënë për të përjavshmen e Brukselit “New Europe”. “kontributi i intelektualëve si ju, i tha europarlamentari Kukan, publicistit Balliu, në këtë fazë të rëndësishme reformash për Shqipërinë, është mjaft esencial. Ky vlerësim bëhet edhe për shkak të bilancit profesional që bëj, për shkak të shërbimit që kam pasur në diplomacinë sllovake, si ministër i jashtëm, në periudhat mars-dhjetor 1994 dhe tetor 1998- tetor 2006, dhe të njohjes së problematikës së shqiptarëve, në Ballkan, por edhe më gjerë”, theksoi zoti Kukan.
Gjatë takimit me europarlamentarin Eduard Kukan, ish-ministër i Jashtëm i Sllovakisë, publicisti Balliu u shoqërua nga aktivisti i njohur i çështjes shqiptare si dhe i diasporës tonë në Belgjikë, zoti Sulejman Gjana.