E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teatri i Federico Garcia Lorca-s, në Tiranë

Premiera Regjisorja Alma Hoti sjell “Yerma”-n në Akademinë e Arteve

“Yerma” e Federico Garcia Lorca-s, një prej tre veprave teatrale, pjesë e “trilogjisë lorkiane”, së bashku me “Shtëpia e Bernarda Albës” dhe “Dasmë Gjaku”, vjen premierë në datat 24 dhe 25 prill në Teatrin e Akademisë së Arteve në Tiranë. Vepra e Lorca-s vjen nën regjinë e Alma Hotit. Bashkë me kastin e aktorëve, vepra e këtij shkrimtari të madh spanjoll do të ngjitet në skenë në kuadrin e Javës së Letërsisë Spanjolle 2010. është e vështirë që të imagjinohet një përfaqësues më i mirë i letrave spanjolle në skenat shqiptare sesa Federico García Lorca, i cili është padyshim poeti dhe dramaturgu spanjoll më i njohur përgjatë shekullit XX. Ndërgjegjja e tij shoqërore dhe pozicioni i tij antifashist e kthyen në një nga viktimat e Luftës Civile Spanjolle. Ai ndërroi jetë i pushkatuar në Granada në vitin 1936, po atë vit i pat dhënë fund edhe trilogjisë së famshme teatrale. “Yerma” rrëfen historinë e një fshatareje me të njëjtin emër, e cila vuante për shkak të paragjykimeve, sepse ajo nuk mund të sillte në jetë një fëmijë me bashkëshortin e saj, Juan. Vepra eksploron konfliktin e brendshëm të një gruaje të martuar që kërkon me të gjithë mënyrat të bëhet nënë, në mënyrë që të ndihet një grua e kompletuar. Tragjedia e protagonistes paralajmërohet që prej emrit të saj (në spanjisht "yerma" do të thotë "shkretëtirë") dhe konkretizohet nga steriliteti i mundshëm i çiftit. Juan, bashkëshorti i saj, nuk do dhe nuk mund të ketë fëmijë. Fakti që Yerma e vret bashkëshortin për shkak të impotencës, zyrtarizon realitetin dhe fatkeqësinë e saj. Bindjet morale nuk e lejonin që të bënte fëmijë me një burrë tjetër, ndërsa i shoqi të ishte ende në jetë. I ndërgjegjshëm për rezultatin e dramës rurale poetike, Lorca përpunon këto tragjedi duke u bazuar mbi ngritjen e një miti. Ai përshkruan një grua të shtypur, por edhe çlirimtare të vetes në të njëjtën kohë. Kjo veprimtari është organizuar nga Ambasada e Spanjës në Shqipëri.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›