E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista e Këshillit të ri Bashkiak, ikin figurat e vjetra dhe vijnë të rinjtë

DURRËS- Në dy qytete të mëdha, si Elbasani dhe Durrësi, do të shihet se si do të bëhet bashkëpunimi mes kryetarit të bashkisë, i cili është marrë nga PS, përkatësisht Qazim Sejdini dhe Vangjush Dako, ndërsa anëtarët e këshillit bashkiak i takojnë koalicionit “Aleanca për qytetarin”. Lista e Këshillit Bashkiak, që ka dalë nga zgjedhjet e 8 majit për Bashkinë e Durrësit, ka sjellë shumë emra të rinj nga dy subjektet e mëdha politike, ndërkohë që shumë emra të vjetër që kanë dhënë kontribute në të dyja forcat politike, PD dhe PS, tashmë nuk janë më në këtë listë. Partia e numrin më të madh të këshilltarëve është Partia Socialiste, e cila ka 19 këshilltarë dhe bashkë me aleatët, PDK dhe PDS, do të ketë në total 21 këshilltarë, duke mos arritur mazhorancën teorike. Nga ana tjetër, Partia Demokratike do të ketë 15 këshilltarë dhe bashkë me partitë aleate të koalicionit, PDIU, LSI dhe PR, do të ketë 24 këshilltarë. Ajo që bie në sy nga lista e re e këshilltarëve të mandatit 2011-2015, është fakti se në këtë listë kanë prurje të reja, emra që shumë pak kanë qenë të njohur në të dyja kampet politike. Më shumë emra të njohur që kanë mbetur jashtë këtij këshilli janë nga kampi i djathtë. Bie në sy mungesa e shumë emrave që mbajnë aktualisht poste kyçe në drejtori të ndryshme vendore dhe qendrore, si Arqile Gorea (drejtor i përgjithshëm i postës shqiptare), Edmir Kapidai, ish kryetar i PD-së së Durrësit, Frederik Tufa (drejtor i sigurimeve shoqërore), Andi Lila (drejtor i ALUIZNI), Xhevdet Hysenaj, nëndrejtor i APD, Sabah Jemishta, Ismail Dervishi, Rezart Kthupi etj. Ndërkohë lista e PD në këtë këshill ka sjellë emra të rinj, si Armand Teliti, Nevila Kalaja, Klodjan Pajuni, Ledia Kovaçi, Neritan Golia, Indrit Hamiti, Sabri Xhakerri, Anila Velja dhe Pëllumb Berisha. Edhe nga lista e Partisë Socialiste bie në sy mungesa e shumë emrave që kanë dhënë kontribute në PS, aktivistë të njohur, si: Eduard Prenga, Alfred Dhuli, Servet Kasa, Dhurata Milaqi, Ledion Lako. Në vend të tyre kanë hyrë emra që aktualisht kanë poste drejtuese në PS, si kryetari i PS së rrethit Gentjan Bejko, kryetari i PS për qytetin Alfred Mullaraj, ish kryetari i PS Edison Konomi, Redi Demiri, Gazmend Kabashi, Ilia Muloshi, Fatmir Shahini, Fatmir Gjergji dhe Eduard Ruçi. Duhet theksuar se lista e këshilltarëve të Partisë Socialiste kryesohet nga Bardhyl Agasi, ish deputet i PS-së në Durrës për katër legjislatura.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›