E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët përintegrim: Kosova eizoluar edhe në 2011

PRISHTINE- Për dallim nga vendet e rajonit, qytetarët e Kosovës edhe gjatë këtij viti do të jenë të detyruar t’i drejtohen ambasadave të shteteve përkatëse në vend e jashtë tij, po qe se dëshirojnë ta vizitojnë ndonjërin nga vendet anëtare të BE-së.

Në fund të vitit që lamë pas, BE-ja hoqi regjimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën, kurse një vit më parë pati hequr vizat edhe për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë.
Pavarësisht deklaratave shpresëdhënëse të zyrtarëve kosovarë dhe atyre evropianë, Kosova ende nuk e ka filluar dialogun zyrtar, e as nuk posedon strategjinë për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian.

Drejtorja e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile, Venera Hajrullahu thotë se mungesa e dialogut zyrtar me BE-në për çështjen e vizave krijon pasiguri te qytetarët e Kosovës lidhur me afatin kohor për këtë proces.
“Mungesa e një dialogu formal në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian për liberalizim të vizave është ajo që i lë qytetarët e Kosovës jo vetëm në izolim, por edhe në pasiguri të plotë lidhur me atë se kur mund të presin të lëvizin pa viza”, thotë Hajrullahu.

Hajrullahu thekson se për shkak të mungesës së një vlerësimi konkret të Komisionit Evropian lidhur me përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, është vështirë të parashikohet koha se kur Kosova do të mund të hynte në listën e bardhë Schengen.
Në anën tjetër, autoritetet kosovare janë shprehur të bindura se kanë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për të marrë strategjinë për liberalizimin e vizave nga BE-ja.
Ministri për Integrime në largim, Besim Beqaj ka thënë se gjatë këtij viti institucionet kosovare do të përmbushin të gjitha kriteret e vëna nga Brukseli për t’i prezantuar ato në fillim të vitit 2012.
“Në fillim të vitit 2012 do ta informojmë Komisionin Evropian që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet, të cilat janë të parapara konform atyre gjërave, që kanë ndodhur në rajon sa i përket hyrjes në listën e bardhë të Schengenit”, ka thënë Beqaj në konferencën e fundvitit për shtyp të ministrisë.

Riatdhesimi, ri-integrimi i personave të riatdhesuar, menaxhimi i integruar i kufijve, siguria e dokumenteve të udhëtimit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të tjera vlerësohet të jenë kushtet kryesore, të cilat duhet të përmbushen nga pala kosovare lidhur me liberalizimin e vizave.

Ish-kreu i Agjencisë për Integrime Evropiane, Shenoll Muharremi vlerëson se nuk janë zbatuar tërësisht këto kritere. Muharremi shprehet lidhur me synimin e ekzekutivit kosovar që në fillim të 2012-ës t’i ketë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme.
“Duke pasur parasysh të gjitha këto kushte dhe kriteret e tjera, mendoj që është tepër ambicioze dhe, nëse nuk ndodh ndonjë çudi, Kosova nuk do të mund të hyjë në listë të bardhë të Schengenit në fillim të vitit 2012”, vlerëson Muharremi.
Një deklaratë të ngjashme me atë të Beqajt e pati dhënë kohë më parë edhe kryeministri në largim, Hashim Thaçi, duke theksuar disa herë gjatë fushatës parazgjedhore, se vizat për kosovarët do të hiqen brenda 15 muajve të parë të mandatit eventual të ri të tij si shef i ekzekutivit.

Muharremi konsideron se deklaratat e tilla krijojnë përshtypjen se çështja e vizave do të ndërlidhet me bisedimet e ardhshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.
“Kur kemi parasysh deklaratat tepër entuziaste të kryeministrit Thaçi dhe të ministrit Beqaj, ku përmenden afate tepër të shkurtra për heqjen e vizave, me të vërtetë na bëjnë pak skeptikë nëse Kosova do të ketë një rrugëtim të ngjashëm si vendet e Ballkanit Perëndimor. Është shumë me rëndësi që këto dy procese të ndahen dhe Kosova të mos bëjë kompromise shtetërore e territoriale për arsye të liberalizimit të vizave”, thekson Muharremi.

Ndërkohë, afati kohor për nisjen e dialogut zyrtar për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili u përmend së fundi nga përfaqësuesit e lartë evropianë ishte “Shumë shpejt”.
(m.a/kd/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›