E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët shqyrtojnë planin për rimëkëmbjen e Greqisë

"Bëhet fjalë për një vizitë teknike, për të shqyrtuar ecurinë e planit grek dhe për të dhënë çdo ndihmë teknike që do të nevojitet", theksoi një zyrtar i Ministrisë së Financave, i cili preferoi të mbetej anonim. Asnjë takim nuk është caktuar me zyrtarë qeveritarë, edhe pse ekziston mundësia e një takimi protokollar me ministrin e Financave, shtoi ai.

Ky zyrtar përjashtoi mundësinë e diskutimeve të mundshme të delegacionit tripalësh lidhur me masa të mundshme shtrënguese për të garantuar që Athina do t'ia dalë mbanë, ashtu siç është angazhuar në Bruksel, në zvogëlimin brenda vitit me 4 për qind të deficitit të saj publik, duke e çuar atë në 8,7 për qind të PBB-së.

"Ata nuk kanë asnjë kompetencë për këtë, do të ishte njëlloj sikur një funksionar grek të shkonte në Francë për të kërkuar zbatimin e masave fiskale", bëri të ditur ai.

Sipas Athinës, që përjashton çdo lloj huaje nga FMN-ja, pjesëmarrja, përkrah funksionarëve evropianë dhe të Bankës Qendrore Evropiane, e një eksperti të këtij institucioni synon t'u japë evropianëve një ekspertizë që ata nuk e kanë, veçanërisht në fushën e auditit.

"Me kërkesën e Komisionit Evropian dhe me ftesën e autoriteteve greke, një bashkëpunëtor i Fondit Monetar Ndërkombëtar ndodhet në Athinë për të ndihmuar një ekip të Komisionit Evropian", bëri të ditur dje FMN-ja në një komunikatë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›