E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bonot e privatizimit, “peng” i udhëzimit të Financave

23/02/2010 Ende nuk ka asnjë nismë për rishpërndarjen e letrave të Anglo-Adriatika-s

Rishpërndarja e bonove të privatizimit që janë depozituar në kompaninë Anglo Adriatika kanë mbetur pezull të udhëzimit të Ministrisë së Financave. Ndryshimet më të fundit që i janë bërë ligjit të legalizimeve për përdorimin e bonove të privatizimit nga ana e qytetarëve për pagesën e objekteve që do të legalizohen ka detyruar Ministrinë e Financave që të pres daljen e këtij ligji në Fletoren Zyrtare në mënyrë që të vijojë nxjerrjen e udhëzimit. Ky udhëzim do të përcaktojë mënyrën e rishpërndarjes së bonove. Sipas ligjit, do të shpërndahen vetëm bonot që janë tek Anglo-Adriatika, pasi sipas saj bonot e tjera janë ende në përdorim nga qytetarët. Pavarësisht se udhëzimi duhej të miratohej pas hyrjes në fuqi të ligjit “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” që u miratua në seancën e fundit parlamentare ende nuk ka asnjë afat konkret nga ana e ministrisë. “Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, të gjitha bonot e privatizimit të investuara në fondet e investimit të krijuara me ligjin nr. 7979, datë 26.07.1995, “Për fondet e investimeve”, u rishpërndahen individëve. Ministri i Financave me udhëzim rregullon procedurat dhe afatet e rishpërndarjes”,- thuhet në ligjin e miratuar në Kuvend. Në Shqipëri kanë ekzistuar tri fonde investimesh, që kanë grumbulluar letra me vlerë, ku më e njohura mbetet Anglo-Adriatika, në të cilën kanë depozituar bono privatizimi rreth 47 mijë familje shqiptare për një vlerë prej rreth 10 miliardë lekësh. Ekspertët shprehen se bonot ndodhen të depozituara në një bankë private në Tiranë dhe se sapo ligji të hyjë në fuqi, për një periudhë që pritet të zgjasë rreth 3 muaj, qytetarët do të kenë të drejtën të rimarrin mbrapsht bonot e tyre. Sipas përllogaritjeve, gjendja e bonove të privatizimit dhe vlera në miliona lekë të shpërndara zë më shumë se 51 miliardë lekë ose rreth 68 për qind. Rreth 24 miliardë lekë janë të pashpërndara dhe në total zënë rreth 75 miliardë lekë bono privatizimi.

Privatizimet

Në procesin e privatizimit janë përdorur rreth 11 miliardë lekë bono, ndërsa 74 miliardë nuk u arritën të përdoreshin. Sipas përllogaritjeve, janë rreth 750 mijë qytetarë, të cilët përfituan nga letrat me vlerë dhe bonot e privatizimit. Sipas të dhënave, rreth gjysma e letrave me vlerë u mbetën në dorë qytetarëve kur ligji i vitit 1998 nuk u zbatua dhe si pasojë edhe vlera e tyre në treg ra ndjeshëm duke arritur në 4 për qind.

Situata

Sipas të dhënave, mendohet se vlera e papërdorur e bonove të privatizimit dhe letrave me vlerë përllogaritet deri në 64 miliardë lekë bono privatizimi dhe 12.5 miliardë lekë letra me vlerë privatizimi, që kanë përfituar ish-të përndjekurit politikë. Tashmë me aktivizimin e tyre në procesin e legalizimeve pritet t’i jepet një hov i ri përdorimit të këtyre bonove dhe si pasojë edhe rritjes së vlerës së tyre në treg.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›