E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: PD mbushi tubimet e Ramës për rrëzimin e Nanos

Kryeministri Sali Berisha tha dje se ka bashkëpunuar me Edi Ramën, i cili përmes MJAFT-it organizonte tubimet për rrëzimin e Fatos Nanos. “Ato tubime të MJAFT-it i mbushte PD-ja me mbështetësit e saj. Mënyra se si e përshkruan ai Fatos Nanon është identike me ato të Enver Hoxhës për Haxhi Lleshin”

Kryeministri Sali Berisha ka pranuar dje se ka bashkëpunuar me kryesocialistin Edi Rama, kur ky i fundit ishte kryetar bashkie i Tiranës, për të rrëzuar Fatos Nanon si kryeministër dhe kryetar të Partisë Socialiste. Deklarata e Berishës është bërë nga Durrësi, ku ai ka zhvilluar një takim me studentë të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, në kuadër të aktiviteteve për Ditën e Rinisë dhe kujtimit të ngjarjeve të dhjetorit 1990, ku ndërmjet të tjerave ka folur edhe për “Kurbani”-n e Ramës, megjithëse pohon se nuk e ka lexuar.

Deklarata

Duke iu përgjigjur interesit të studentëve lidhur me ato që përmend Rama në këtë libër, për sa i përket lëvizjeve demokratike të fundvitit 1990, kreu i qeverisë nuk ka nguruar të lidhë të shkuarën me të tashmen, dhe duke hequr vija paralele për sa i përket trajtimit të bashkëpunëtorëve mes diktatorit Enver Hoxha dhe kreut aktual socialist. Këtu ai ka sjellë si shembull marrëdhëniet që Rama ndërtoi me ish-kryetarin e socialistëve, Fatos Nano dhe përpjekjet që ai bënte për ta larguar atë nga qeveria nëpërmjet mbështetjes së “nëndheshme” që i jepte MJAFT-it. Dhe këtë, sipas Berishës, Rama e ka bërë në bashkëpunim me të, pasi siç u shpreh ai në fjalën e vet, tubimet anti-Nano të MJAFT-it i mbushte PD-ja me mbështetës të saj. “Mënyra se si e përshkruan ai Fatos Nanon, absolutisht është mënyra më primitive njerëzore, e cila është identike me ato të Enver Hoxhës për Haxhi Lleshin. Të harrojmë gjithçka shkruan për Sali Berishën, dakord është armiku i jashtëm, por një njeri që e mori nga Parisi, e bëri ministër, e kandidoi për kryetar bashkie dhe kryetar e bëri PS-ja. Në fund ai punoi së bashku me mua për rrëzimin e tij, se ato sheshet e MJAFT-it i mbushte PD-ja”, - u shpreh kryeministri Sali Berisha. Ndërkohë, ai e ka konsideruar Ramën si njeriun që në politikë ka pësuar numrin më të madh të disfatave dhe për të cilat nuk ka mbajtur kurrë përgjegjësi morale. “Zoti Rama ka të regjistruar në politikë, regjistrin më të madh të disfatave politike, nuk i ka analizuar ato. Nuk është marrë aspak me to, çka do të më interesonte. Librin nuk e kam lexuar sepse nga pasazhet që ai ka botuar në shtyp, del se ai operon me armikun e brendshëm, Nano, MJAFT-i etj. Kur ti shkruan me kaq urrejtje ndaj tij, ti shpalos doktrinën e ideologjisë marksiste”, - u shpreh më tej Berisha.

Ndërkohë, ai u ka përcjellë dhe një mesazh studentëve në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, për të mos e lexuar këtë libër, pasi sipas tij, ai sjell modele të këqija për shoqërinë. “Nuk mund të lexohet ky libër, sepse ky përbën modelin më primitiv të qëndrimit, model klasor tipik”, - u shpreh Berisha.

Lëvizja studentore

Në fjalën e tij për lëvizjen studentore të vitit 1990, kreu i qeverisë, në rolin e njërit prej protagonistëve të atyre ngjarjeve, ka gjetur rastin të flasë edhe për rolin që luajti në të ish-presidenti Ramiz Alia, që u nda nga jeta vetëm pak kohë më parë. Berisha e konsideron atë si diktatorin e fundit komunist, ndërsa nuk harron të ngrejë hije dyshimi se Aliaj dha urdhër në atë kohë që të qëlloheshin studentët që nuk pranonin të hiqnin dorë nga protestat. “Ish-diktatori i fundit komunist që vdiq pak muaj më parë, pranoi vite më vonë se nuk ishte dakord me pluralizmin, por nuk dërgoi tanket në Qytetin Studenti. Nuk i dërgoi, sepse nuk donte të pësonte fatin e Causheskut?! Këtë nuk e dimë. Por ne e vlerësojmë këtë që nuk çoi tanket. Por ministri i tij i Brendshëm ka thënë se i kishte dhënë urdhër të qëllonte mbi njerëzit, por ai nuk qëlloi. Ramizi nuk e përgënjeshtroi kurrë, çka do të thotë se kishte dhënë urdhër”, - deklaroi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›