Eksperti Meka për ATSH-në: “Pasqyra Albania” rrit transparencën e çmimeve, sfidë mbetet tregtia me shumicë

TIRANË, 5 shtator/ATSH/ Nisma “Pasqyrë Albania”, e ndërmarrë nga qeveria për rritjen e transparencës dhe monitorimin e çmimeve të produkteve ushqimore, është një hap pozitiv për konsumatorin dhe pikënisje për një treg më konkurrues.
Kështu vlerëson profesori i ekonomisë Elvin Meka, i cili në një intervistë për ATSH-në e konsideron të rëndësishëm fokusin te çmimet e ushqimeve, duke e lidhur këtë me peshën që zënë produktet ushqimore në shpenzimet e familjeve shqiptare.
Sipas tij, niveli relativisht më i lartë i çmimeve të produkteve ushqimore në Shqipëri, në raport me vendet e Bashkimit Evropian dhe rajonin, është një sinjal që kërkon analizë më të thelluar të mekanizmave që përcaktojnë çmimin final.
“Çmimet mesatare të produkteve në Shqipëri figurojnë praktikisht mbi mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian. Kjo tregon që ka një problematikë dhe situata nuk është kaq e thjeshtë, ka nevojë të identifikohen aspektet, faktorët ose fenomenet që sjellin këtë situatë të pazakontë”, shprehet Meka.
Ai e cilëson të mirëpritur angazhimin e qeverisë për adresimin e kësaj problematike, duke theksuar se transparenca dhe informimi i konsumatorit janë hapa të nevojshëm për një treg më funksional.
“Është për t’u përshëndetur konsiderimi nga ana e qeverisë i një nisme të tillë. Më mirë vonë se kurrë”, thotë eksperti.
Transparencë në kohë reale për çmimet
Sipas Mekës, mekanizmat e parashikuara nga nisma kanë në qendër informimin dhe transparencën mbi çmimet e produkteve kryesore ushqimore, veçanërisht të shportës bazë.
“Bëhet fjalë për informimin në kohë reale se si paraqitet gjendja e çmimeve të artikujve kryesorë ushqimorë. Nuk bëhet fjalë për listën totale të artikujve, por për ato që kanë rëndësi të madhe, shportën kryesore bazike të produkteve ushqimore”, shpjegon ai.
Profesori i ekonomisë vlerëson se transparenca dhe monitorimi, të vetme, nuk janë të mjaftueshme për realitetin shqiptar.
Sipas tij, këta mekanizma funksionojnë më mirë në ekonomitë ku ekziston një nivel i konsoliduar konkurrence dhe ku institucionet e tregut janë të mirëvendosura dhe funksionojnë në mënyrë efektive.
Meka: Problemi kryesor është te tregtia me shumicë
Eksperti argumenton se, krahas transparencës, vëmendja duhet të përqendrohet te mënyra se si formohet çmimi gjatë kalimit të produktit nga importi dhe tregtia me shumicë drejt konsumatorit.
“Realiteti shqiptar, më tepër se sa informim dhe transparencë, ka nevojë për disa ndërhyrje energjike, sidomos në hallkat e tregtisë me shumicë”, thekson ai.
Sipas Mekës, kjo është veçanërisht e rëndësishme për mallrat e importit, ku duhet të analizohet rruga e produktit nga importi, dogana, tregtia me shumicë dhe më pas rrjeti i shitjes me pakicë.
“Abuzivizmi duket të jetë kryesisht te pjesa e tregtisë me shumicë”, deklaron eksperti.
Sipas Mekës, diskutimi për konkurrencën nuk duhet të fokusohet vetëm te dyqanet dhe minimarketet, pasi këta operatorë marrin mallin nga tregu i shumicës.
Për këtë arsye, eksperti propozon që të krijohen më shumë mundësi për operatorët që duan të aksesojnë tregun e shumicës.
“Më shumë tregtarë që e aksesojnë tregun e shumicës dhe, në mënyrë natyrale, konkurrenca do të ishte aspekti më i mirë, më i dëshirueshëm për të konsideruar efektin në çmimet finale”, thekson Meka.
Ai paralajmëron njëkohësisht se ndërhyrja e shtetit duhet të jetë e kujdesshme dhe të mos dëmtojë funksionimin normal të tregut.
“Është shumë e rëndësishme të zbatohen rregulla të pastra dhe të drejta loje”, shprehet ai.
Një tjetër çështje që, sipas ekspertit, mund të jetë pjesë e debatit të mëtejshëm është rishikimi i ngarkesës fiskale të TVSH-së për mallrat bazë të shportës.
Megjithatë, Meka vëren se ulja e TVSH-së nuk garanton automatikisht që përfitimi do të shkojë te konsumatori.
Sipas tij, përvoja e vendeve të rajonit tregon se ekzistojnë mekanizma kontrolli për të garantuar që ndryshimet fiskale apo masat e tjera të mos përfundojnë vetëm në favor të sipërmarrjes.
Sipas tij, nisma “Pasqyrë Albania” përfaqëson një fazë të parë, e cila mund dhe duhet të shërbejë si bazë për masa të tjera, nëse mekanizmat e transparencës nuk japin rezultat.
“Qeveria shqiptare po provon aspektin më të lehtë dhe me më pak ndikim në lojën e tregut, duke treguar kujdes. Ai pastaj mund të shërbejë si një bazament i mirë që qeveria të konsiderojë masa të tjera”, thotë eksperti.
Ai thekson se nuk duhet të krijohen pritshmëri të menjëhershme për ulje të çmimeve vetëm nga vendosja në funksion e mekanizmave të rinj informues. Megjithatë, ai vlerëson se transparenca është e nevojshme të krijojë një efekt te tregtarët e shumicës, të cilët do të kuptojnë se tregu po monitorohet më nga afër.
“Roli i qeverisë nuk është dhe nuk duhet të jetë goditja e sipërmarrjes, por të godasë abuzivizmin e sipërmarrjes. Këtu duhet të jemi kategorikisht të ndarë dhe të qartë”, thekson ai.
“Abuzivizmi nuk duhet të lejohet në mënyrë kategorike nga asnjë sipërmarrje”, shprehet Meka.
Sipas tij, qeveria duhet të ketë vullnetin dhe seriozitetin për ta çuar procesin përtej fazës së informimit dhe transparencës.
“Qeveria duhet të ketë vullnetin dhe seriozitetin që t’i shkojë deri në fund këtij elementi, nga transparenca dhe informimi i publikut deri te kufizimi masiv dhe thelbësor i abuzivizmit në treg, duke nxitur dhe garantuar konkurrencën e lirë në treg”, deklaron ai.
“Jemi në ekonomi tregu, jemi në kapitalizëm. Nëse heqim elementin e konkurrencës, është shumë e thjeshtë rrëshqitja në pozita monopol apo oligopol, të cilat kanë efekte të padëshirueshme në koston e jetesës së qytetarëve dhe kryesisht në çmimin e produkteve ushqimore”, përfundon eksperti i ekonomisë, Elvin Meka
/e.xh/a.f/