Uragani i fitores po përhapet fuqishëm në të gjithë vendin
Partia Demokratike dhe “Aleanca për Qytetarin”, vijojnë turin elektoral të prezantimit të kandidatëve për kryetarë bashkie. Berisha prezanton në Kavajë, kandidatin Refik Rugija
Kryeministri Sali Berisha garantoi dje gjatë një mitingu elektoral në Kavajë se në 4 vitet që vijnë Kavaja do të shndërrohet në një nga qendrat më të fuqishme ekonomike të vendit. Në vijim të turit elektoral për zgjedhjet vendore të 8 majit, kryeministri Berisha zhvilloi pasditen e djeshme një tubim në qytetin e Kavajës, ku shprehu mbështetjen për kryetarin aktual të kësaj bashkie, Refik Rugia, njëkohësisht kandidat i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për zgjedhjet e 8 majit.
Duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen që i kanë dhënë dhe i japin PD-së qytetarët e Kavajës, Berisha theksoi se morali, guximi dhe energjitë e qytetarëve të Kavajës mbeten për të burim i pashtershëm frymëzimi. Kryeministri siguroi se në 4 vitet që vijnë qeveria do të investojë për të ndërtuar Kavajën moderne evropiane, Kavajën e zhvilluar.
“Kavaja do të ngrihet në lartësitë më të mëdha të zhvillimit në këtë vend. Brigjet e bukura të Kavajës do të jenë port kryesor turistik i Shqipërisë dhe rajonit. 4 vitet që vijnë Kavaja do të jetë me fermat e saj një nga prodhuesit kryesor bujqësor dhe blegtoral të Shqipërisë, ndërsa kodrat dhe fushat e saj do të mbulohen me drurë frutorë”, tha Berisha.
Gjatë këtyre viteve në Kavajë janë asfaltuar rreth 180 km rrugë, tha më tej Berisha, ndërsa siguroi se në 4 vitet që vijnë nuk do të ketë asnjë km rrugë të paasfaltuar në këtë qytet. Kryeministri premtoi se do të rindërtohet e ndërtohet çdo shkollë dhe kopsht në parametrat më moderne si dhe do të sigurohet furnizimi 24 orë me ujë për banorët.
“Në kohërat më të zeza të historisë së Shqipërisë ju u shndërruat në kryeqytetin e lirisë, ndërsa tani po ecni me shpejtësinë më të madhe drejt Europës”, tha Berisha, duke ftuar qytetarët e Kavajës që të bashkohen me alternativën që vendos në piedestal qytetarin. “Java që vjen është java e fitores. Uragani i saj po vërshon nga të katër anët e Shqipërisë dhe fitorja po ecën si uragan drejt Tiranës”, tha në përfundim Berisha.