E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intelektualët e Tiranës votëbesojnë administratën “Basha”

03-05-2011 / Gazeta 55

Kandidati i Aleancës për Qytetarin Lulzim Basha ka marrë mbështetjen e plotë të “Iniciativës për Tiranën”, një grupim intelektualësh, i cili publikisht kërkoi dje ndryshimin e drejtimit në bashkinë e kryeqyteti Basha: Do qeverisim me përgjegjshmëri, gjelbërimi do ketë prioritet mbi betonizimin


Kandidati demokrat për bashkinë e Tiranën, Lulzim Basha, zhvilloi dje pasdite në sallën e Akademisë së Arteve një takim të hapur me intelektualët e vendit me temë: “Iniciativa për Tiranën, ide për Qytetin”. Ky është takimi i tretë që Basha zhvillon me intelektualët duke shpalosur projektet e tij për zhvillimin e Tiranës. Kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha, në përgjigje të pyetjes se si do t’i shtojë hapësira e gjelbra, në një kohë që akuzon kundërshtarin për betonizim, tha se ajo që do t’i shtohet çdo pallati është hapësira e gjelbër që i mungon, ku sipas tij, në vend që të ndërtohet një park i gjelbër, ndërtohet një parking, apo një lokal, duke marrë hapësirat që i takojnë qytetarit. Respektimi i pronës private, krahas hapësirës së gjelbër, ishte një pikë tjetër ku Basha mbështeti platformën e tij në këtë bashkëbisedim me intelektualët. “Oferta ime për Tiranën është respekt total për pronën private dhe fitimi i hapësirave publike. Do fillojë puna në qelizë, në lagjet e Tiranës. Në një lagje të vjetër nuk do ngulim një pallat 15 katësh, por duke vlerësuar një pronë ne do t’i lëmë vend zhvillimit. Kemi nevojë për rrugë, gjelbërim, shkolla e kopshte. Në çdo lagje do ketë kënde të gjelbra. 50 për qind e sipërfaqeve do jenë të gjelbra, pasi qytetit i është gllabëruar zhvillimi. Jam shprehur qartë që të mos betonizohet zona e Liqenit, ka një sërë formash që njeh urbanistika moderne kundër betonizimit. Pikërisht këtë synojmë, të rikthejmë cilësinë europiane të jetesës”, tha Basha.


Basha, garanton se bashkia do të tregojë kujdes për pronat


Kandidati për kryetar bashkie në Tiranë, Lulzim Basha, ka garantuar banorët e Tiranës se pas 8 majit do t’i jepet fund praktikave abuzive me pronën private dhe se brenda 6 muajve të parë do të bëhet hipotekimi i apartamenteve që ende nuk kanë certifikatë pronësie. Banorët e njësisë bashkiake numër 7, shprehen shqetësimin për prishjen e ndërtimeve të tyre nga bashkia dhe për ndërtimin e rrugëve pa i njoftuar, pa plan dhe pa dëmshpërblim për pronën e tyre. “Na kanë prishur muret pa shpronësim pa leje pa gjë fare. Absolutisht pa gjë fare. Vetëm për fushatë po bëhet kjo. Asgjë, as për ujërat e bardha, as ujërat e zeza, as ujët e pijshëm, këtu është kot”, i tha Bashës një banor. “Do ta fillojmë me një marrëdhënie të re ku qytetarët dhe Bashkia të jenë në kontakt të vazhdueshëm dhe të marrin vendimet me konsensus. Për çdo gjë që bëhet për lagjet tona, çdo gjë që ka lidhje me shtëpitë tona, ju do të dini në radhë të parë se çfarë projektesh ka. Së dyti do keni mundësi të bashkë vendosni me Njësitë Bashkiake dhe Bashkinë për këto projekte. Çdo centimetër katror i pronës tuaj do respektohet”, u shpreh Basha. Një tjetër banor u ankua për faktin se nuk ka hipotekë prej 9 vitesh. “Leja e shfrytëzimit nga Bashkia do të mbyllet në kohën më të shkurtër. Maksimalisht me 15 nëntor ju do keni hipotekat”, garantoi Basha. “Ne kemi shumë nevojë për një mbikalim ose për një nënkalim se këtu ndodhin shumë aksidente”- tha një banore te Pallatet e Arabit. “Ne do të ndërtojmë të paktën dy nënkalime që të jenë të pandërprera, të jenë të pamundimshme, që të mund të ecin fëmijët, të moshuarit, njerëzit me karroca. Pra do të jetë me standardet optimale dhe e ndriçuar”, siguroi Basha. Lulzim Basha me platformën e tij për Tiranën, duket se ka zgjuar shpresën e çdo banori, nga fëmijët e deri tek të moshuarit, po mbi të gjithë Lulzim Basha ka zgjuar ëndrrat dhe shpresat e të rinjve për të ndërtuar të ardhmen e tyre në Tiranë. Kjo vihet re në çdo takim që Lulzim Basha zhvillon në lagje, në rrugë, në lokale apo duke u bërë pjesë e festave rinore. Dje Basha ka zhvilluar deri vonë takime me qytetarë të shumtë. Basha ka garantuar çdo banor se e vetmja betejë e tij në krye të bashkisë, do të jenë shqetësimet e qytetarëve. Ndërsa për të rinjtë Basha ka një plan që garanton mbështetje për  punësimin, strehimin dhe arsimimin e tyre. Banorët e zonës së Ali Demit në një bashkëbisedim me Lulzim Bashën, kanë pohuar si shqetësim sistemin e amortizuar të ujësjellës-kanalizimeve, infrastrukturën e shkatërruar e papunësinë. Basha ka garantuar banorët se ai do të marrë përgjegjësinë për zgjidhjen e problemeve dhe nuk do ti shmanget detyrimit, apo të gjejë fajtor diku tjetër. “Unë njoh dhe do të njoh përgjegjësinë time si kryebashkiak se për mua punësimi është prioriteti numër një. Unë jam ai kryebashkiak që këtë prioritet do ta kthej në një objektiv të prekshëm për çdo qytetar që ka nevojë për punësim, për çdo qytetar që ka nevojë për një pagë dinjitoze, për një vend pune dinjitoz”, u shpreh Basha. Kandidati për kryebashkiak në Tiranë, ka ftuar sot studentët e fakultetit të ndërtimit të bëhen pjesë e hartimit të planit të ri urbanistik të Tiranës, dhe projekteve të tjera zhvillimore. “Çdo aspekt kërkimor dhe zhvillimor, çdo aspekt planifikimi do të jetë i hapur ndaj kontributit tuaj. Në fakt ju do të jeni ata që do ftoheni të strukturoni një kalendar të qartë konkursesh, prezantimesh të cilët pjesë-pjesë do të përbëjnë mozaikun e ri që duhet të shoqërojë planin e ri urbanistik dhe konceptet për ta zbatuar atë. Bëhuni pjesë e projekteve dhe zgjidhjeve të mëdha për Tiranën moderne Europiane. Tirana ka nevojë për to, Bashkia ka nevojë për to dhe kryebashkiaku i ardhshëm i Tiranës ka nevojë për to”, tha kandidati për kryebashkiak në Tiranë para studentëve dhe pedagogëve të fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit.  Basha shprehu vendosmërinë e tij që duke filluar nga shtatori, studentët do të kenë kartën studentore dhe kampusin e ri universitar. Basha është takuar edhe me përfaqësues të Partisë së të Drejtave të Mohuara. Kjo kategori, sipas Bashës do të ketë vend prioritar në politikat sociale dhe të strehimit të bashkisë së Tiranës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›