Ekspertiza e plumbave lë pezull hetimin e 3 gardistëve
Tiranë- Arrestimi i tre gardistëve dhe mbajtja në qeli për 30 ditë, duket se nuk e ka ndihmuar hetimin dhe mbledhjen e provave që mund të provojë fajësinë e tyre në ngjarjet e 21 Janarit. Kur kanë kaluar më shumë se 10 ditë nga caktimi i masës së sigurisë ndaj gardistëve që ishin pjesë e “grupit të zjarrit”, provat në ngarkim të tyre kanë mbetur gati në të njëjtën gjendje. Burime të rezervuara pranë Prokurorisë pohuan se gjatë këtyre ditëve, kur gardistët Gazmend Ahmetaj, 38 vjeç; Sadik Çela, 45 vjeç; dhe Mark Nikolli, 28 vjeç, ndodhen në qeli, grupi hetimor ka mundur të mbledhë disa prova, që mund të konsiderohen si periferike dhe jo me rëndësi thelbësore për procesin. Në ngarkim të tyre, organi i akuzës përveç disa dëshmive ka vetëm ekspertizën balistike të armëve që ata përdornin. Sipas ekspertizës, rezulton se tre gardistët kanë qëlluar më 21 Janar, por pa mundur të provohet se plumbat e dalë nga armët e tyre kanë vrarë apo plagosur demonstrues. Historia e arrestimit zë fill me sekuestrimin e planit të masave në Gardën e Republikës, i cili parashikonte se Agim Llupo, tashmë i arrestuar nën akuzën e vrasjes, dhe katër gardistë në varësi të tij ishin grupi i zjarrit të vendosur në pjesën veriore të Kryeministrisë. Plani i masave është sqaruar në Prokurori edhe nga drejtuesit e Gardës, të cilët thanë se “grupi i zjarrit” përbëhej nga këta persona. Me daljen e akt-ekspertimit balistik, Prokuroria urdhëroi ndalimin e Gazmend Ahmetajt, Sadik Çelës, Mark Nikollit dhe Agron Malajt, i cili u lirua nga Gjykata pasi u provua se arma që ai përdorte nuk kishte qëlluar më 21 Janar. Sipas akt-ekspertimit balistik, provohet se armët e tre gardistëve të tjerë kanë qëlluar, por vetëm kaq, pasi asnjë prove tjetër nuk hedh dyshime se ata kanë qëlluar në drejtim të turmës. Ky fakt është pohuar jo vetëm nga gardistët e arrestuar, por edhe nga eprorët e tyre, të cilët kanë mohuar në mënyrë kategorike se kanë urdhëruar të qëllohej drejt turmës. Vetë gardistët kanë deklaruar se kanë qëlluar në ajër, duke paralajmëruar demonstruesit të mos afrohen në rrethimin e brendshëm të Kryeministrisë, e cila konsiderohet si institucion i rëndësisë së veçantë dhe mbrohet nga Garda e Republikës. Kjo situatë duket se vazhdon edhe 10 ditë pasi tre gardistët ndodhen në qeli, pasi provat e siguruara nga akuza mbeten ende shumë të pakta. Madje, ka dyshime se Prokuroria mund të kërkojë zgjatjen e paraburgimit për gardistët, derisa të sigurojë provat që mund t’i ngarkojnë ata me përgjegjësi. Por kjo taktikë, e cila është miratuar fillimisht nga gjykata, është kundërshtuar nga avokati i njërit prej gardistëve. Menjëherë pas përfundimit të masës së sigurisë ndaj tyre, avokati Marash Ibraj tha se “gjëja më skandaloze është se gjykata i lë detyrë prokurorisë që brenda 30 ditësh të vërtetojë në janë armët e tyre ato që kanë shkaktuar vdekjet”. Me të dhënat që Prokuroria ka aktualisht, është gati e pamundur që të provohet ky fakt, pasi në trupin e viktimës Faik Myrtaj nuk është gjendur predha që i mori atij jetën. E vetmja shpresë për Prokurorinë mbetet predha që mjekët turq nxorën nga trupi i Aleks Nikës. Duke qenë se predha do të administrohet në rrugë zyrtare, ekspertimi i saj pritet të zgjasë për disa kohë, pasi do të jetë Policia Shkencore ajo që do të përcaktojë se nga cila armë është qitur kjo predhë. Deri atëherë organi i akuzës do të tentojë të kërkojë zgjatjen e paraburgimit për gardistët e arrestuar, të cilët mbahen në qeli prej të paktën 10 ditësh.