Arrestohet i mituri, i dërgonte letra kërcënuese mjekut
Korçë- Kërcënohet mjeku me gjobëvënie, i mituri letërshkrues përfundon në burg. Një ngjarje e çuditshme për më tepër me sfond tejet aventurier ka ndodhur në qytetin e Korçës. Për dy ditë me radhë gjatë fundjavës, një 15-vjeçar i dërgonte letra kërcënuese një mjeku që njëherësh është dhe drejtues i një klinike private, nëse ai nuk i jete të holla. Kërkesa e vetme në këto letra që kanë tronditur jo pak mjekun dhe familjen e tij në lidhje me lekët që ai përfitonte nga konsultat mjekësore, të cilat duhet t’ia jepte kërcënuesit. 15- vjeçari me inicialet P. Th. banor i lagjes 14 në Korçë, kërkonte përveç të tjerash dhe lekët që familja e tij kishte shpenzuar për disa vizita mjekësore pranë kësaj klinike, për një të sëmurë, por nga ana tjetër ato nuk kishin dhënë rezultat. Ngjarja që duket mjaft e çuditshme ka detyruar 58-vjeçarin P. J. të kërkonte ndihmën e policisë lokale, pasi letrat në adresë të tij ishin duke u bërë më të shpeshta. Gjithçka ka nisur të shtunën për të vazhduar deri të dielën, derisa 58-vjeçari ka vendosur t’i drejtohet uniformave blu, teksa ka menduar që situata po bëhej shumë serioze. Pasi komisariati i Korçës është vënë në punë, është bërë i mundur identifikimi i menjëhershëm i autorësisë së letrave kërcënuese që përfundonin në klinikën private në lagjen 3 të qytetit. Policia pas identifikimit të autorit ka kryer arrestimin në flagrancë të tij gjatë orëve të mbrëmjes së kaluar. Adoleshenti akuzohet për veprën penale “Vjedhje me anë të mashtrimit”. Në rrëfimin e tij për blutë i riu ka pretenduar se vizitat në klinikë janë super të shtrenjta dhe aspak rezultative, ndaj dhe atij i është dukur më e udhës t’i rikërkojë lekët përsëri për të vazhduar mjekimin në një vend më të specializuar. 15-vjeçari tashmë është i arrestuar, ndërsa e ka justifikuar veprimin e tij si mjaft të natyrshëm. Policia nga ana e saj është duke hetuar për zbardhjen e plotë të ngjarjes, teksa ka konfiskuar në cilësinë e provës materiale letrat që shkonin te klinika në fjalë.