Pranga adoleshentëve, vidhnin vazot e varrezave
Tiranë- Fenomeni i vjedhjes së varreve, i cili disa vite më parë ishte shndërruar në një fenomen shumë shqetësues, është rikthyer sërish në ditët tona dhe këtë herë në prangat e policisë kanë rënë tre minorenë. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bëjnë të ditur se të arrestuarit janë tre 16-vjeçarët me inicialet E. D., E. M. dhe S. Xh. Referuar të njëjtave burime, mësohet se tre të rinjtë janë arrestuar ditën e djeshme në flagrancë në varrezat e Sharrës në Tiranë, duke vjedhur vazo bronzi, të cilat më pas i shisnin në pikat e grumbullimit të hekurit. Kanë qenë denoncimet e shumta të familjarëve, të cilët shkonin në varreza te të afërmit e tyre dhe shikonin që mungonin vazot e luleve, të cilat kanë vënë në lëvizje forcat e Komisariatit Nr. 6 në Tiranë. Pas vëzhgimit disaditor, gjatë ditës së djeshme janë arritur të identifikohen tre të rinjtë, të cilët janë arrestuar në momentin kur ishin duke tentuar për të vjedhur një vazo bronzi në një prej varreve. Ndërkohë, menjëherë pas ndalimit të tyre, ata janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit, ku janë marrë në pyetje në prani të psikologut dhe avokatëve mbrojtës. Sipas deklarimeve të tyre, mësohet se ata e kanë pranuar që kanë kryer disa vjedhje në varrezat e Sharrës, kryesisht në zbukurime metalike. Pasi i vidhnin këto objekte, ata menjëherë i shisnin në pikat e grumbullimit të hekurit. Në bazë të deklarimeve të tyre, mësohet se ata vepronin kryesisht gjatë orëve të drekës, kur në varreza nuk kishte shumë njerëz. Dyshohet se përveç vazove, ata mund të kenë grabitur dhe sende të tjera metalike që shërbejnë për zbukurimin e varreve. Ndërkohë, nga hetimet e kryera deri më tani mësohet se njëri prej të rinjve, pikërisht 16-vjeçari me inicialet E. D., dyshohet të jetë dhe drejtuesi i grupit, pasi banesa e tij ishte shumë pranë varrezave dhe mendohet se ideja fillestare për kryerjen e këtyre vjedhjeve të jetë hedhur prej tij. Nga ana tjetër, ekspertët e policisë janë duke vijuar hetimet për të provuar raste të tjera të grabitjeve të varreve nga ana e këtij grupi. Ndërkohë, materialet hetimore për tre të miturit i kaluan Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme, ndërsa pritet që gjatë dy ditëve në vijim të ndaluarit të përballen me Gjykatën e Tiranës, ku dhe do t’u caktohet masa e sigurisë.