E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertiza e FBI për Trebickën

Eksperti Kevin Teter ka pohuar se vdekja ka ardhur si pasojë e aksidentit automobilistik. Në hetim, shkaku i aksidentit

TIRANË- “Kosta Trebicka vdiq si pasojë e aksidentit, për shkak të batimit të makinës”. Ky është përfundimi i ekspertit amerikan, Kevin Teter, i cili pas kryerjes së ekspertimit autoteknik të makinës dhe vendit të ngjarjes, ka sjellë në Tiranë raportin e tij. Sipas burimeve të rezervuara pranë Prokurorisë së Përgjithshme mësohet se raporti përfundimtar tashmë i është dërguar grupit hetimor të ngritur pranë organit të akuzës së Korçës, të cilët e kanë administruar në dosjen penale, ku po hetohet zbardhja e vdekjes së biznesmenit Trebicka. Ndërkaq, grupi hetimor mësohet se nuk do të nxjerrë konkluzionet përfundimtare në lidhje me çështjen, deri në përfundimin e akt-ekspertimeve të dy ekspertëve shqiptarë, të cilët brenda këtyre ditëve do të dorëzojnë raportin e tyre përfundimtar mbi ngjarjen.

Raporti i firmosur nga vetë Kevin Teter, në prani të një notereje amerikane ka nxjerrë si shkak të vdekjes së Trebickës aksidentin. “Në këtë dokument cilësohet se pas një ekzaminimi i të gjitha evidencave që u paraqitën apo u ekzaminuan nga eksperti amerikan në vendin e ngjarjes dhe kryerjes së akt-ekspertimit autoteknik ka rezultuar se automjeti i përfshirë në këtë ngjarje si dhe shoferi po udhëtonin në rrugë në drejtim të veriut. Shoferi ka bërë një kthesë të fortë në krahun e majtë, e cila ka bërë që pesha e automjetit të kalonte menjëherë në krahun e djathtë, në pjesën e përparme. Si rezultat i këtij manovrimi të menjëhershëm dhe të kalimit të peshës, automjeti u rrotullua në tavanin e tij, mbi trupin e shoferit dhe u kthye mbi rrota, pingul me rrugën. Si rezultat i pjerrësisë së rrugës në drejtim të lindjes automjeti ka ecur mbrapsht, siç tregohet nga shenjat e gomave që shkojnë nga rruga deri në pozicionin final të qëndrimit të automjetit”,-thuhet në raportin dy faqesh, të firmosur nga eksperti Teter paraditen e 23 shtatorit.

Mësohet se prokuroria e Korçës, edhe pas hetimeve 19- ditore ku ka kryer të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale nuk ka arritur të nxjerrë përfundimet se cili ka qenëshkaku që ka sjellë kthimin e timonit në krahun e majtë nga biznesmeni Trebicka, që ka sjellë rrotullimin e makinës. Hetuesit e kësaj çështjeje, sipas burimeve të akuzës, fillimisht kanë nxjerrë versionin e dyshuar se shkaku i lëvizjes së timonit me shpejtësi nga biznesmeni Trebicka ka qenë prerja e rrugës nga qeni i gjuetisë që ai kishte me vete. Por deri në këto momente, ky është vetëm një version hipotetik, i cili pritet të diskutohet në analizën e fundit që pritet të bëhet në Prokurorinë e Përgjithshme. Sipas akuzës, raporti i ekspertit Teter ka ardhur me ndihmën e postës diplomatike të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, ku i është dërguar fillimisht kryeprokurores Ina Rama, e cila gjatë paradites së djeshme e ka nisur në drejtim të prokurorisë së Korçës për ta administruar në dosjen hetimore. Kosta Trebicka u gjet i vdekur në vendin e quajtur “Kullat e Gjergjevicës” në aksin rrugor Voskopojë-Lekas, gjatë udhëtimit të tij me makinën tip “Nissan” me targa TR 8843 J.

Me datë 19 shtator 2008 mbërrita në vendin e përplasjes së një automjeti, i cili rezultonte në fatalitet. Përplasja kishte ndodhur në një rrugë dytësore dhe që vazhdon paralel me rrugën kryesore e që lidh fshatrat Lekas me Voskopojën. Vendi i përplasjes është përafërsisht 3 km në jug të fshatit Voskopojë. Përplasja ka ndodhur më 12 shtator 2008. Përpara mbërritjes sime në vendin e përplasjes më kishin thënë se reshjet e shumta të shiut kishin fshirë shenjat e lëna nga automjeti i përfshirë në aksident. Policia e shtetit shqiptar kishte kryer hetime paraprake në datën e përplasjes. Unë pashë me kujdes fotot, një video të bërë ditën e përplasjes, si dhe skicat e hartuara nga policia e shtetit shqiptar.

Fotot dhe skicat tregonin një automjet “Nissan Patrol” me katër rrota aktive, i cili ndodhej në lindje të rrugës dhe me fytyrë nga jugu. Kishte gjurmë të dukshme që nga vendi i ndalimit të mjetit mbrapsht në drejtim të veriut me drejtim të harkuar deri në rrugë. Në kufirin lindor të rrugës ndodhej një pjesë metali e palosur. Kishte një telefon celular, shishe plastike, një shotgan “Beneli”, pjesë të xhamave të stopave të pasme të një makine, shishe uji, tre çanta dhe fragmente xhami. Në një distancë të shkurtër, ndodhej trupi i viktimës. Viktima ishte shtrirë me kurriz me dëmtime të dukshme në kokë. Viktima ishte i shtrirë pingul me rrugën, me kokën në kufirin perëndimor të saj. Direkt pas anës jugore të trupit të viktimës dhe menjëherë pas kufirit perëndimor të rrugës gjendej një zonë e vogël që përmbante xham të thyer automjeti. Në një distancë të shkurtër në jug nga xhami i thyer i automjetit kishte gjurmë të lakuara që të çonin nga kufiri perëndimor i rrugës, mbrapsht në jug. Unë i identifikova këto gurmë, si gjurmë shmangieje nga karakteristikat e gjurmës së lënë me rrëshqitje. Këto gjurmë lakoheshin nga kufiri perëndimor i rrugës dhe në drejtim të jugut për në pjesën lindore të ulurit të saj. Rruga përbëhej nga dheu dhe gurët. Konturet e rrugës mund të përshkruhen si një shteg shumë i përdorur nga trafiku i automjeteve. Rruga harkohet lehtë me drejtim poshtë dhe është e anuar në drejtim të lindjes.

Më datë 19 shtator mbërrita në policinë e Korçës. Atje këqyra ekzaminimin e automjetit. Automjeti ishte një Nissan Patrol, automjet sportiv me katër rrota aktive dhe ishte në pronësi të viktimës Kosta Trebicka. Nuk kishte vit prodhimi të stampuar. Të gjitha gomat kishin komardare dhe ishin të fryra. Parafango e parë në anën e majtë ishte e shtrembëruar. Mbulesa e parafangos së anës së majtë ishte e shtypur në drejtim poshtë. Goma e përparme e anës së majtë kishte gërvishtje. Rrota e përparme e anës së majtë kishte bar të shtypur ndërmjet gomës dhe diskut. Dera e pasagjerit ishte e shtypur në drejtim brenda në pjesën poshtë dritares. Zona e tavanit të automjetit të anës së pasagjerit ishte e shtypur. Parafango e anës së djathtë ishte e dëmtuar. Xhami i përparmë ishte i thyer në anën e pasagjerit. Një ekzaminim i rripit nuk tregoi evidencë të përdorimit të tij, pasi s’ishte i pastër nga dheu. Leva e frenës së dorës u tërhoq në pozicionin maksimal dhe frenat ishin efektive. Lëngu i timonit hidraulik ishte në nivelin e duhur. Sistemi i drejtimit operonte plotësisht në të dy drejtimet. Në vazhdim të ekzaminimit, automjeti u ndez dhe u provua për të testuar marrjen e shpejtësisë dhe të frenimit. Automjeti mori shpejtësi normalisht dhe të gjitha frenat.

Në dokumentin e paraqitur në Prokurorinë e Përgjithshme dhe më pas në Prokurorinë e Korçës, cilësohet se pas analizimit të të gjitha evidencave që u paraqitën apo u ekzaminuan nga vetë eksperti amerikan, rezulton se: Automjeti i përfshirë në këtë ngjarje, si dhe shoferi po udhëtonin në rrugë në drejtim të veriut. Duke dalë në një kthesë në të majtë, shoferi ka bërë një kthesë të fortë në të majtë, e cila bëri që pesha e automjetit të kalonte menjëherë në krahun e djathtë të përparmë. Si rezultat i këtij manovrimi të menjëhershëm dhe të kalimit të peshës, automjeti u rrotullua në krahun e djathtë, duke thyer xhamin e derës së pasagjerit dhe duke hedhur shoferin në tokë nga zona e tavanit.

Ndërkohë, automjeti pasi është rrotulluar mbi shoferin, është kthyer mbi rrota, duke vazhduar rrugën deri në vendin ku ka ndaluar. Si rezultat i pjerrësisë së rrugës në drejtim të lindjes, automjeti ka ecur mbrapsht, siç tregohet nga shenjat e gomave që shkojnë nga rruga deri në pozicionin final të qëndrimit.

Dokumenti është firmosur nga eksperti Teter më 23 shtator, në prani të një noteri.Zv.drejtori i policisë së Korçës, Ylli Doda, që drejtoi hetimin e vdekjes së Kosta Trebickës,emërohet në Policinë e Shtetit

Drejtoi hetimin për Trebickën, ngrihet në detyrë

KORÇË- Largohet nga Korça zv.drejtori i policisë, që drejtoi hetimin e vdekjes së Kosta Trebickës. Nuk kanë kaluar as tre javë nga ngjarja e bujshme e vdekjes tragjiketë biznesmenit që denoncoi trafikun e armëve nga Shqipëria në Afganistan, kur Ylli Doda, me detyrën e zv.drejtor në drejtorinë e qarkut të Korçës është larguar në heshtje, pa shumë bujë drejt kryeqytetit. Largimi i Dodës ka ardhur në një kohë kur hetimet e policisë për këtë ngjarje janë mbyllur, ndërsa mësohet se ai është ngritur në detyrë, duke u emëruar tek zyra e Krimeve të Hapura në Policinë e Shtetit. Arsyet e ngritjes në detyrë të Dodës janë komentuar në Korçë të lidhura me hetimin e çështjes “Trebicka”, pasi më 12 shtator ai ka drejtuar të gjitha operacionet që lidhen me policinë nga skuadra në vendin e ngjarjes, drejtimi i saj, puna e ekspertëve të policisë shkencore, deri dhe marrja në pyetje e dëshmitarëve të parë okularë që kanë gjetur gati në jetë Trebickën, disa çaste pas ngjarjes.

Në fakt, Drejtoria e Policisë në Korçë drejtohet nga Emri Vata, por më 12 shtator, ai ka mbërritur me vonesë në Lekas, për faktin se ka qenë në kryeqytet, pas një takimi që ka patur një ditë më parë me ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani. Madje, ka qënë Doda ai që ka njoftuar drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ahmet Prençi, e më pas Tonin Vocin për ngjarjen e rëndë, duke dyshuar fillimisht se viktima e gjetur ishte e Kosta Trebickës, pasi është identifikuar në kohë mjeti të cilin ai drejtonte, që kishte si pronar Kosta Jorgo Trebickën. Gjithçka është zbardhur vetëm një orë pasi është njoftuar policia për ngjarjen, rreth orës 15.30 të datës 12 shtator, që viktima ishte Kosta Trebicka. Të gjitha këto veprime për këtë ngjarje të rëndë janë ndjekur në mënyrë të pandërprerë nga zëvëndësdrejtori Doda, i cili është transferuar nga Korça në drejtim të Policisë së Shtetit në Tiranë, fill pas zbehjes së jehonës për çështjen “Trebicka”.

Duket se është menduar që një nga njerëzit kryesorë që asistoi në të gjitha veprimet e kryera për vdekjen e Trebickës, të transferohej nga Korça në mënyrë të beftë, ndërkohë që ndryshime të tjera pritet të përfshijnë policinë e Korçës. Duke iu referuar burimeve të mirinforuara pranë policisë në Korçë mësohet se radha është e drejtorit të këtij qarku, Emri Vata, një tjetër emër që është duke u përfolur të lerë drejtimin e kësaj drejtorie drejt një pozicioni tjetër. Doda duket se ka qënë i pari në transferimin e tij pasi ka punuar gjatë për një çështje të bujshme dhe mjaft të përfolur, kurse fati i njëjtë pritet ta ndjekë dhe Vatën, të paktën sipas zërave që qarkullojnë orëtfundit. Askush nuk mund të shpjegojë arsyet e këtyre ndryshimeve, kur i larguari i parë nuk kishte as 9 muaj në këtë pozicion në drejtorinë e Policisë për qarkun e Korcës. Arsyet e motivit të këtij largimi nuk bëhen të ditura, ndërsa Ylli Doda është zëvendësuar në këtë detyrë nga Ilir Dedja. RAPORTI

Dinamika e aksidentit të ekspertit amerikan

KORÇË- Në raportin e tij, eksperti i ardhur nga Virxhinia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë një dinamikë hipotetike të aksidentit. Në raportin e tij, të mbërritur në Tiranë nëpërmjet Ambasadës Amerikane ai ka shprehur mendimin e tij se makina është batuar nga rruga, për shkak të një kthese të fortë nga e majta. Sipas Teter, makina ka të gjitha shenjat për të justifikuar këtë hipotezë, si goditje të parakolpit, shtrembërim të pjesës së sipërme apo edhe thyerje të xhamave e stopave. Ndërkaq, pas saltos vdekjeprurëse, makina është zhvendosur rreth 40 metra nga pika fillestare, për shkak të terrenit të pjerrët. Më tej, në raport theksohet se kushtet teknike të makinës, pas provave të bëra me të në drejtorinë e policisë së Korçës kanë qenë të mira. Të gjitha sistemet e saj funksiononin në rregull. Ndërkaq, raporti i ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i jep fund diskutimeve për vdekjen e dëshmitarit kyç të çështjes së Gërdecit. Prokurorët janë duke pritur përgjigjen e dy ekspertëve shqiptarë, për të vendosur më tej fatin e hetimeve të kësaj çështjeje të bujshme, të ndodhur mesditën e 12 shtatorit në aksin rrugor Lekas-Voskopojë.

Në ekspertizën e Kevin Teter mungon shpejtësia me të cilën po udhëtonte Trebicka

Raporti nga SHBA, asnjë shpejtësi për makinën

KORÇË- Eksperti amerikan, Kevin Teter nuk ka bërë të ditur në raportin e tij shpejtësinë me të cilën udhëtonte makina e Kosta Trebickës. Ekspertiza e amerikanit Teter ka qenë e zbehtë, madje specialisti i huaj nuk ka përcaktuar as shpejtësinë me të cilën lëvizte makina. Megjithëse ekspertët shqiptarë kanë bërë një përllogaritje të shpejtësisë nën 40 km në orë, Teter nuk është ndaluar fare në këtë moment, gjatë ekspertizës së tij. Pas mbërritjes së dokumentit dhe përkthimit përgjatë 24 orëvetë shkuara në gjuhën shqipe nga Prokuroria e Përgjithshme, akti i kësaj ekspertizembërriti dje në Korçë. Grupi i hetimit, nën drejtimin e prokurorit të rrethit të Korçës, Përparim Vukaj ka zhvilluar një takim për t’u njohur me këtë ekspertizë, që duket se ka qënë mjaft e zakonshme dhe e shprehur jo me shumë detaje për atë se çfarë ka ndodhur mesditën e 12 shtatorit. Sipas burimeve të mirinformuara pranë grupit hetimor në Korçë mësohet se akti i ekspertimit jep fillimisht një pikë përshkruese për vendin ku ndodhi aksidenti. Teter jep si shkak të kësaj vdekjeje pasojat e një aksidenti të mirëfilltë automobilistik, por duke lënë të pazbardhur shpejtësinë me të cilën lëvizte mjeti që duket se është dhe thelbi i kësaj ekspertize. Në gati dy faqet e këtij raporti që duket se është krejt i zakonshëm për të mos thënë dhe i thatë, që në fakt duket se ka habitur dhe vetë grupin e hetimit, pasi kanë menduar se do të ishte bërë një tjetër vlerësim i situatës në raport me atë të ekspertëve vendas. Nga Prokuroria e Korçës mësojmë se akti i ekspertëve shqiptarë, dy inxhinierëve mekanikë do të jetë më i detajuar dhe më i hollësishëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›