Braçe: Berisha në një vit i kushtoi vendit mbi 500 mln USD
Tiranë- Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe ka shprehur sot shqetësimin në emër të PS-së, për bllokimin e punës në Kuvend. Ai ka theksuar se Berisha po i kushton çdo ditë e më shtrenjtë vendit dhe dëmi po kushton financiarisht në xhepat e shqiptarëve.
Bilanci i vitit 2007 dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë jo nga opozita por nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, evidenton se gjatë vitit 2007 Sali Berisha i solli vendit nga shkelja e ligjit për zbatimin e buxhetit të vitit 2007, 160 mln USD dëme në të ardhura dhe 250 mln USD dëme me shpenzimet, 67 mln USD borxhe të reja në tatime, 11 mln USD borxhe të reja në dogana dhe 10 mln USD nga shkeljet financiare gjatë zbatimit të ligjit për prokurimet publike.
Sipas tij, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë nuk punon, sepse para Kuvendit po mbërrihet në protesta popullore, ndaj një qeverie dhe ndaj një maxhorance që është shumë e zënë me vjedhje, grabitje dhe korrupsion dhe që në ditën e punës së saj nuk gjen dot kohë të zgjidhë hallet e njerëzve siç edhe i dëgjon.
Arsye e dytë sipas tij, është fakti që kryetarja e Kuvendit Jozefina Çobaj, nuk ndodhet në Shqipëri, në krye të një tabori me deputetë të maxhorancës, thjesht të maxhorancës, dhe punonjësve të administratës së Kuvendit, zonja Topalli ndodhet në një tjetër vizitë turistiken Zvicër prej dy ditësh.
“Kjo është e disata herë që Kryetarja e Kuvendit mbyll Kuvendin për të ikur jashtë shtetit, në udhëtimet e saj turistike. Ky është shembulli më i qartë i arrogancës, i abuzimit me përfaqësimin, i abuzimit me shpenzimet që dhunohen e shpërdorohen në emër të detyrës shtetërore që i kanë besuar shqiptarët. Dua t’u kujtoj se deri Tani Jozefina Çobaj apo Topalli ka kryer prej tre vjetësh mbi 700 mijë km udhëtime në Europë, në Azi, në Afrikë, në Arabi, në Amerikë. Nga llogaria e shpenzimeve të saj nga paratë publike të shqiptarëve po derdhen. Vetëm bileta e saj e udhëtimit të sotëm në Zvicër kushton 700 Euro, ose sa 7 pensione pleqërie në qytet, ose sa 14 pensione pleqërie në fshat,
ose sa 15 pensione minatorësh që rrinë atje përjashta dhe presin të mbarojë udhëtimin turistik Jozefina Topalli”- tha Braçe.
Së treti, sipas Braçes kuvendi nuk punon sepse nuk ka projektligje dhe se qeveria me gjithë mbledhjet e shpeshta të saj plus nga një fjalim të Sali Berishës brenda, nuk ka dorëzuar në Kuvend projektligje që përbëjnë e mbushin vijën e punës së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Për të, ky është një shembull i ri, tejet domethënës që provon se ne kemi një qeveri të paaftë, të pamundur për shkak të paaftësisë, injorancës dhe zënies me punë në biznese korruptive që të përdorë kompetencën e saj kushtetuese, për ta hartuar ligje në favor të shqiptarëve, nevojës dhe cilësisë së jetës së tyre.