E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Kundër TVSH-së për arsimin privat

Vendosja e TVSH-së në arsimin privat nga qeveria aktuale është një barrë e dyfishtë për familjet, të cilat zgjedhin për të shkolluar fëmijët e tyre në këtë sektor. Në këtë çështje është përqendruar ndër të tjerash diskutimi i “Ideve për të Ardhmen”, gjatë fazës së dytë të Dialogut me Shqipërinë, zhvilluar në qytetin e Fierit. Kryetari i PSSH, Edi Rama, gjatë bashkëbisedimit me njerëzit e sektorit të arsimit në këtë qytet, është shprehur për hartimin e politikave që rrisin dhe zhvillojnë arsimimin e fëmijëve dhe të rinjve.

Lideri i opozitës është shprehur gjatë bashkëbisedimit me mësues dhe pedagogë të qytetit të Fierit, se heqja TVSH në arsimin privat, do të jetë një ndër masat e para që do të marrë Partia Socialiste me fitoren në zgjedhjet e 2009.

Faza e dytë e “Dialogut me Shqipërinë”, e quajtur Rruga e ideve për të ardhmen, ka nisur të përvijojë disa nga alternativat e PSSH për qeverisjen.

“Sot ne kemi një qeveri e cila nuk arrin dot të kuptojë e më pas të bashkëjetojë me idenë se sistemi publik dhe ai privat janë dy sisteme që plotësojnë njëri-tjetrin, aq më tepër në një kohë si e sotmja, kur gjithçka që prindërit presin nga sistemi publik, ky i fundit nuk ua afron dot. Duke filluar nga siguria për fëmijën dhe te oraret, e deri te kujdesi i trupës mësimdhënëse”tha Rama.

Ai e ka cilësuar të patolerueshme, që arsimi privat të paguajë taksë mbi vlerën e shtuar, duke bërë që këta prindër që i çojnë fëmijët në arsimin privat, të paguajnë dy herë, një herë që shteti të ndërtojë një infrastrukturë të besueshme për arsimin publik, por edhe që të shkollojnë fëmijët në arsimin privat.

“Ne mendojmë se taksa e tatimi mbi vlerën e shtuar, është një vendim i padrejtë dhe padrejtësisht rëndon mbi plot e plotë familje shqiptare, që rëndom i çojnë fëmijët në arsimin privat, sepse arsimi publik nuk u jep atë që kërkojnë. Dhe heqja e TVSH-së është një hap që duhet bërë për të garantuar në radhë të parë mos rëndimin e këtyre familjeve dhe në radhë të dytë, për të bërë të mundur që të rritet cilësia mes këtij raporti të arsimit publikut dhe privatit, duke bërë që shteti të luajë rolin e vet në forcimin e arsimit publik por në asnjë mënyrë të mos marrë pozicion anësor në raport me arsimin privat”- tha ai.

Rama ka theksuar se kjo është një barrë për familjet që çojnë fëmijët në arsimin privat dhe PS-ja me të fituar zgjedhjet do ta rrëzojë një vendim të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›