Ekspertiza e Prokurorisë: Autobusi i AK ishte me defekt
ELBASAN- Aksidenti i ndodhur 5 ditë më parë në Qafë Krrabë, ku mbetën të plagosur aktivistët e Aleancës Kuq e Zi ka ndodhur për shkak të amortizimit të autobusit si dhe shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor nga shoferi Mit'hat Biçaku". Kështu deklaruan dje burime zyrtare nga Prokuroria e Elbasanit. Në mbyllje të hetimeve dhe në përfundim të akt - ekspertimit të gjendjes teknike të autobusit, ekspertët arritën në konkluzionin paraprak, se mjeti kishte sistem frenimi me probleme. Ndërkaq nga hetimi është provuar dyshimi se drejtuesi i tij ka shkelur rregullat e qarkullimit në momentin e aksidentit. Grupi hetimor pasi ka dokumentuar të gjitha provat ka hedhur poshtë aludimin se ky mjet ishte goditur nga një fuoristradë dhe kjo të kishte qenë shkaku i aksidentit që për pak sa s'u kthye në një tragjedi. Akti i ekspertizës për gjendjen teknike të autobusit do zbardhë në detaje të gjitha misteret e krijuara fillimisht pas ndodhjes së këtij aksidenti. Ndërkaq, pak ditë më parë Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurimit "burg pa afat" për shoferin i cili shkaktoi aksidentin e aktivistëve të Aleancës Kuq e Zi në vendin e quajtur "Qershitë" në Qafë - Krrabë gjatë të shtunës së kaluar. 43-vjeçari Mit'hat Biçaku aktualisht është i paraburgosur në Institutin e Ekzekutimit të Dënimeve Penale në Peqin dhe akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë plagosjen e disa shtetasve. Për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti pati një angazhim të jashtëzakonshëm të ekspertëve të aksidenteve rrugore dhe të strukturave të tjera shtetërore, por ajo u vonua për disa ditë pasi mjeti mbeti në shpatin e kodrës ku përfundoi pasi doli nga rruga rreth një javë më parë. Vetëm gjatë mbrëmjes së mërkurë autobusi u nxor që andej dhe sot është konfirmuar zyrtarisht se do zbardhet plotësisht përfundimi i hetimeve. Në momentin e aksidentit ndodheshin 35 shtetas, që të gjithë nga nënprefektura e Librazhdit. Disa prej tyre si edhe drejtuesi i mjetit në dëshmitë e para pretendonin se autobusi ishte goditur nga një fuoristradë e cila i kishte provokuar më herët në rrugë. Pasi kishin kaluar kthesat e Qafë - Krrabës në vendin e quajtur "Qershitë", autobusi pasi devijoi nga rruga doli jashtë saj duke u përmbysur e rrokullisur disa herë duke rënë të paktën dhjetë metra poshtë rrugës kombëtare Tiranë - Elbasan. Fatmirësisht nuk pati asnjë viktimë, ndërsa në spital u transportuan 29 nga 35 pasagjerët. Vetëm katër nga pasagjerët qëndruan tre ditë në spitalin kirurgjik të Elbasanit mes të cilëve edhe drejtuesi i autobusit.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)